E shtunë, 18 Maj, 2024

BE, KRITIKA NDAJ VIZITËS SË MILLORAD DODIK NË MOSKË

Bashkimi Evropian ka kritikuar vizitën e liderit të serbëve të Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, në Moskë dhe takimin që ka zhvilluar me presidentin rus, Vladimir Putin.

Dodik u takua më 23 maj me Putinin në Moskë dhe i tha se entiteti i Republikës Sërpska vazhdon të jetë pro-ruse.

BE-ja tha se mbajtja e lidhjeve me Rusinë sot shihet si veprim që është në kundërshtim me vlerat evropiane dhe me aspiratat strategjike për integrim në bllokun evropian.

“BE-ja ka rikujtuar në disa raste, dhe së fundmi edhe nga përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, në takimin e fundit të ministrave të Jashtëm, që u mbajt të hënën me ministrat e Ballkanit Perëndimor, se mbajtja e lidhjeve të afërta me Rusinë është në kundërshtim me rrugën drejt BE-së”, tha për REL zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Stano shtoi se blloku evropian dëshiron të “llogarisë në të gjitha vendet kandidate si partnere të besueshme për parimet e përbashkëta, vlerat, sigurinë dhe prosperitetin”.

Në dhjetorin e vitit 2022, Bosnja ka marrë statusin e vendit kandidat. Ky shtet ka pranuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, por zbatimi i tyre është bllokuar nga entiteti serb, Republika Sërpska.

Reagon dhe Departamenti Amerikan i shtetit

Departamenti amerikan i Shtetit, duke komentuar takimin e presidentit të entitetit të Republikës Sërpska të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, dhe presidentit rus Vladimir Putin, deklaroi se “asnjë qeveri, në asnjë nivel, në këtë moment nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë, ndërkohë që ai vend po kryen agresion kundër Ukrainës”.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha për Zërin e Amerikës se vendimi i Dodikut për t’u takuar me Putinin, “në kohën kur Rusia shkel haptazi themelet dhe ligjet e rendit ndërkombëtar, si dhe vendimi i mëparshëm i Dodikut për të dekoruar Putinin, janë lëvizje shkurtpamëse që nuk u shërbejnë interesave të qytetarëve të Republikës Sërpska”.

“Rruga që të çon drejt një të ardhmeje demokratike, të begatë dhe të sigurt, të cilën e dëshirojnë të gjithë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, kalon përmes Brukselit, jo përmes Moskës. Prandaj, ne e konsiderojmë rrugën e Dodikut kundërproduktive dhe mbi të gjitha të dëmshme”, tha zëdhënësi i Departamenti i Shtetit, shkruan rel.

Të fundit