E enjte, 18 Prill, 2024

PËRSE ARLINDIN?

Ndoshta i vetmi debat idesh gjatë kësaj fushate të pasur me sharje, por të varfër në mendim, ka qenë ai nëse vota kundër dy partive të mëdha është e çuar dëm. Në emër të votës së dobishme partizanët e pushtetit bënin thirrje se duhet të mbyllim hundën dhe të zgjedhim rilindjen, për të mos e kthyer vendin tek e shkuara e Saliut dhe Ilirit. Idhtarët e këtyre të fundit, madje dhe të tjerë, që si kanë votuar kurrë ata më parë, mbronin tezën se duhet përkrahur opozita më e fortë, për të ndaluar avancimin e një regjimi kleptokrat dhe liberticid.

Pra, të dyja oponionet dominante mbronin të njëjtën ide: vota për të vegjlit apo të rinjtë është e shpenzuar kot.

Në fakt është e kundërta. Dhe për këtë më ka bërë të bindem ndjekja e regullt e fushatës që zhvilloi në Tiranë kandidati i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori.

Ka së paku tre arsye se përse zgjedhja e emrit të tij në fletën e votimit të dielën është në të mirë të publikut të gjërë.

Së pari, sepse përgjatë gjithë betejës së tij të parë elektorale, në takime kokë më kokë me njerëzit, në emisione televizive e mbi të gjitha në videot e postuara në rrjetet sociale, ai vuri gishtin mbi plagët e Tiranës, që janë në fakt në përmasa më të zgjeruara, ato të të gjithë vendit. Ai denoncoi si askush ndonjëherë më parë ethet e shfrenuara për fitime përmes ndërtimit, që kanë masakruar mjedisin, kanë zvogluar hapsirat tona të gjelbëta, kanë mpakur trotuaret. Ai tregoi me gisht një qytet ku ndotja e ajrit ka çmimin marramendës të 3 mijë viktimave në vit, ku trashëgimia kulturore po shfarroset në favor të vlerës të metrit katror, ku fushat e sportit dhe sheshtet e dikurshme mes pallateve nuk egzistojnë më.

Po këtë, mund të thotë dikush, e kanë bërë edhe kandidatë të tjerë në të shkuarën. Madje ka pasur të tillë që ia kanë besuar himnin e fushatës, me temë shkatërrimin e Tiranës, të njëtëve këngëtarë që bëjnë thirrje për të votuar vandalët e sotëm.

Atëherë ku bëhet ndryshmi?

Po ai ekziston, madje është i dukshëm prej së largu.

Diferenca e madhe mes Arlind Qorit dhe atyre që kanë denoncuar më parë dëmtimet e pakthyeshme në kryeqytet, është se kandidati i Lëvizjes Bashkë nuk është mjaftuar vetëm me tregimin e simptomave. Ai  është futur më thellë, tek shkaqet e sëmundjes. Ai është i pari dhe i vetmi kandidat që pikën ku kemi mbërritur sot e sheh si një krim në bashkëpunim 30 vjeçar mes një klase politike që po përçudnohej, dhe një oligarkie që po forcohej. Ai është i vetmi që ka bredhur me një kamer të thjeshtë përgjatë vijës së verdhë buzë liqenit për të denoncuar, emër për emër, oligarkët që e kanë kafshuar parkun kombëtar.

Arsyeja e dytë për të cilën ai duhet zgjedhur këtë herë, qëndron në faktin se është i vetmi që nuk e sheh të keqen tek emrat e përveçëm (Rama, Veliaj, Basha, Brojka apo Berisha) por te sistemi që kanë instaluar ata. Ai propozon një mënyrë tjetër të shikimit të gjërave, atë ku i forti të mos jetë doemos ujk për njeriun e thjeshtë.

A ja vlen pra që qoftë edhe të fillojmë të mendojmë se mund të kemi një formë të re të organizimit shoqëror, ku të lëmë pas kapitalizmin kafshëror, në emër të më shumë barazie, ligjshmërie, ndershmërie? Kjo është pyetja që ngre në thelb kandidimi i Arlind Qorit. Kjo është risia që ai propozon, për herë të parë pas 30 vjetësh, në një skenë politike moralisht të degjeneruar nga paraja, ideologjikisht të trullosur nga neoliberalizmi dhe mendërisht të atrofizuar nga mungesa e shpresës.

Natyrisht, në këto zgjedhje ai nuk është kandidati që do kthejë përmbys tryezën. Në një sistem si ky yni gjërat janë të paravendosura. Rilindja dhe Veliaj i kanë mbyllur letrat ende pa iu drejtuar zgjedhësit kutive të votimit. Në këtë kuptim, debati për votën utile apo atë të çuar dëm është i pakuptimtë. Asnjë përpjekje për të frenuar marshimin e regjimit, duke përzgjedhur rivalin më të fortë të tij, nuk mund të jetë e suksesshme. Dhe kjo i zhvesh idhtarët e votës pragmatike nga detyrimi për të bërë zgjidhjen më pak idealiste të mundshme. Kjo i çliron ata nga detyrimi momental.

Pikërisht këtu gjendet edhe arsyeja e tretë se përse duhet votuar për grupin e të rinjve të Lëvizjes Bashkë. Jo tek synimi për të rëmbyer bashkinë, por tek shpresa e vetme për të rihapur një debat mbi shoqërinë ku duam të jetojmë. Në këtë kuptim, çdo votë për kandidartin me numrin 1 dhe këshilltarët me numër 36, është një kontribut për krisjen e një modeli të dështuar. Ajo nuk të rendit sot për sot me fitimtarët, por ajo të nderon në raport me të nesërmen. Ajo nuk përkëdhel dot sedrën e atyre që duan të jene medoemos nga ana e më të fortit, po ajo shpërblen ata për të cilët ka vlerë të jenë në anën e së drejtës. Fiks për këtë vota për Arlind Qorin nuk është një votë e çuar dëm, pasi ndonëse nuk prodhon një ndryshim të menjëhershëm, ajo mban gjallë rezistencën për një të ardhme tjetër.

©Lapsi.al

Të fundit