E enjte, 28 Mars, 2024

KUR NISI TË SHËNOHET DITA E EUROPËS?

Njohja e parë e Ditës së Evropës u prezantua nga Këshilli i Evropës në vitin 1964, ku fillimisht ishte caktuar data 5 maj, si dita e themelimit të Këshillit të Evropës.  Në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si Dita e Europës, duke e lidhur atë pikërisht me ditën e deklaratës së Robert Schuman-it. Parlamenti Evropian e njohu ditën e Evropës sërish më 9 maj, në vitin 2008. Për të festuar Ditën e Evropës, institucionet e BE-së hapin dyert e tyre për publikun në 5 maj në Bruksel, 5 dhe 9 maj në Luksemburg dhe 10 qershor në Strasburg.

Shkran: KDP

Dita e Evropës shënohet më 9 maj. Data përkujton përvjetorin e “Deklaratës së Schuman-it” në 1950, në të cilën u propozua krijimi i një Komuniteti Evropian të Qymyrit dhe Çelikut, paraardhësi i Bashkimit Evropian.

Në një fjalim në Paris në vitin 1950, Robert Schuman, asokohe ministri i jashtëm francez, paraqiti idenë e tij për një formë të re të bashkëpunimit politik në Evropë, prej të cilit do të përfitonin ekonomikisht vendet pjesëmarrëse si dhe do të zvogëlohej mundësia  e ndonjë lufte të ardhshme midis kombeve të Evropës. Vizioni i tij ishte krijimi i një institucioni evropian që do të grumbullonte dhe menaxhonte prodhimin e qymyrit dhe çelikut. Në një situate kur kombet e Evropës ende po luftonin për të kapërcyer shkatërrimin e shkaktuar nga Lufta e Dytë Botërore, e cila kishte përfunduar më 1945 dhe të vendosur për të parandaluar një luftë tjetër kaq të tmerrshme, qeveritë evropiane arritën në përfundimin se bashkimi i prodhimit të qymyrit dhe çelikut – sipas fjalëve të Deklaratës – do ta bënte luftën midis rivalëve historikë Francës dhe Gjermanisë “jo thjesht të paimagjinueshme, por materialisht të pamundur”.

Mendohej, me të drejtë, se bashkimi i interesave ekonomike do të ndihmonte në ngritjen e standardeve të jetesës dhe do të ishte hapi i parë drejt një Evrope më të bashkuar. Anëtarësimi në këtë komunitet ishte i hapur për vende të tjera.  Ideja e komunitetit ishte që anëtarët e saj themelues, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu, të bashkonin burimet e tyre të qymyrit dhe çelikut dhe të krijonin një treg të përbashkët për ta duke hequr detyrimet e importit dhe eksportit. Një traktat për krijimin e një organi të tillë u nënshkrua në Paris pothuajse një vit më vonë. Propozimi i Schuman-it konsiderohet të jetë fillimi i asaj që tani është Bashkimi Evropian. Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut ishte i pari nga një seri institucionesh evropiane ndërkombëtare që do të bëheshin përfundimisht “Bashkimi Evropian” i sotëm.

Njohja e parë e “Ditës së Evropës” u prezantua nga Këshilli i Evropës në vitin 1964, ku fillimisht ishte caktuar data 5 maj, si dita e themelimit të Këshillit të Evropës.  Në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si “Dita e Europës”, duke e lidhur atë pikërisht me ditën e deklaratës së Robert Schuman. Parlamenti Evropian e njohu ditën e Evropës sërish më 9 maj, në vitin 2008.

Edhe pse është vetëm një festë publike për disa prej vendeve evropiane, kjo ditë festohet gjerësisht në të gjithë Bashkimin Evropian. Për të festuar Ditën e Evropës, institucionet e BE-së hapin dyert e tyre për publikun në 5 maj në Bruksel, 5 dhe 9 maj në Luksemburg dhe 10 qershor në Strasburg. Zyrat lokale të BE-së në Evropë dhe në mbarë botën organizojnë një sërë aktivitetesh dhe ngjarjesh për të gjitha moshat. Çdo vit mijëra njerëz marrin pjesë në vizita, debate, koncerte dhe ngjarje të tjera për të shënuar këtë ditë dhe për të rritur ndërgjegjësimin për BE-në.

Në disa vende të Evropës Lindore, 9 maji është një festë publike për të shënuar Ditën e Fitores. Kjo ditë feston fitoren sovjetike ndaj Gjermanisë naziste dhe përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.

Të fundit