E premte, 3 Maj, 2024

UASHINGTON: QË NGA DHJETORI – 20 MIJË RUSË TË VRARË NË UKRAINË

Shtëpia e Bardhë tha të hënën se tani vlerëson se vetëm që nga dhjetori, Rusia ka pësuar 100 mijë viktima, duke përfshirë më shumë se 20 mijë të vrarë, ndërsa Ukraina u ka rezistuar sulmeve të rënda nga forcat ruse në Ukrainën lindore, – transmeton kdp.mk njoftimin e Zërit të Amerikës.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se vlerësimi i Shteteve të Bashkuara bazohet në të dhënat e sapo publikuara të shërbimeve amerikane të zbulimit. Ai nuk dha detaje se si agjencitë amerikane të zbulimit arritën në këtë përfundim.

Shefi i shtatmadhorisë amerikane, Gjenerali Mark Milley, tha në nëntor se Rusia kishte pësuar mbi 100 mijë të vrarë ose të plagosur në tetë muajt e parë të luftës. Shifrat e reja sugjerojnë se humbjet ruse janë rritur në mënyrë dramatike në muajt e fundit.

Zoti Kirby tha se gati gjysma e të vrarëve që nga dhjetori kanë qenë anëtarë të grupit Wagner, shumë prej tyre të dënuar që u liruan nga burgu për t’iu bashkuar luftës së Rusisë në Ukrainë. Ai tha se forcat e grupit Wagner “u dërguan në luftime pa trajnim të mjaftueshëm, pa udhëheqje luftarake ose logjikë komandimi dhe kontrolli organizativ”.

Zoti Kirby nuk pranoi të fliste lidhur me numrin e të vrarëve në mesin e forcave ukrainase. Gjenerali Milley tha në nëntor se rreth 100 mijë ukrainas ishin vrarë në luftimet me forcat ruse në tetë muajt e parë të luftës.

Trupat nga grupi mercenar rus Wagner dhe forcat e tjera ruse po luftojnë në Bahmut kundër trupave ukrainase shtëpi më shtëpi për kontrollin e asaj që është bërë e njohur si “rruga e jetës”, rruga e fundit e mbetur në perëndim ende në duart e Ukrainës, gjë që e bën atë kritike për furnizimet dhe mbërritjen e trupave të reja ruse në zonat lindore të Ukrainës. Të dyja palët kanë përmendur fitoret e tyre në ditët e fundit.

Beteja për këtë qytet në lindje të Ukrainës po vazhdon tash dhjetë muaj:

“Problemi i Bahmutit dhe situata rreth Bahmutit është se kjo mbase është pika më e vështirë në front, ku rusët vazhdimisht përpiqen të thyejnë pozicionet tona. Ata kontrollojnë pjesën më të madhe të asaj zone, por forcat tona ndonjëherë  me kundërofensiva lokale rimarrin kontrollin mbi disa kuarte të qytetit”, – ka komentuar profesori ukrainas Maksim Kamenjenckij nga Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Kiev, duke folur për tv e pavarur serb N1. Sipas tij, Bakhmuti është një qytet i rëndësishëm sepse është “vendi ku mund të zhvillohet luftë mbrojtëse kundër forcave të rëndësishme ruse”.

Sipas tij, Rusia po angazhohet kaq shumë për pushtimin e këtij qyteti në mënyrë që këtë, në vendin e vet, ta paraqesë si fitore.

Agjencitë e lajmeve bëjnë të ditur këtë të martë se njësitë ukrainase kanë zmbrapsur forcat ruse nga disa pozicione në Bakhmut.

“Situata në Bakhmut është goxha e vështirë,”- citon agjencia Rojters gjeneral-kolonelin Oleksandr Sirsky, komandanti i forcave tokësore të Ukrainës. Sipas tij, “në disa pjesë të qytetit, armiku ka braktisur disa pozicione pas kundërsulmit tonë,”-njofton kdp.mk.

Të fundit