E premte, 26 Prill, 2024

ANDREJ NIKOLAIDIS: PROJEKTI SHTETËROR SERBOMADH ËSHTE ÇELËSI I PROBLEMEVE NË BALLKAN

“Mesazhi im për këta arkitektët e paqes dhe arkitektët e marrëdhënieve ndërshtetërore në Ballkan është ky: Ndaloni nacionalizmin serbomadh! Përderisa nuk e bëni këtë, nuk ka paqe në Ballkan! Është krejt njësoj: mund të kemi një periudhë prej dhjetë vjetësh stabilitet, 20 vjet stabiliteti, por nëse keni idenë imperiale dhe e keni, kjo ide imperiale është aktive një shekull e gjysmë, më së paku një shekull e gjysmë, dhe ja çfarë stabiliteti keni!”

Kështu ka deklaruar, Andrej Nikolaidis, shkrimtar dhe publicist i njohur nga Ulqini për serialin dokumentar “Balkanview”, një bashkëprodhim ky Institutit Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal dhe TVM2 që po transmetohet këto ditë e që është realizuar fund-vitin e kaluar.

Intervistoi: SELADIN XHEZAIRI

  • Si i shikoni zhvillimet aktuale në gjithë rajonin?

ANDREJ NIKOLAIDIS: E shikoj të kaluarën e papërfunduar, si të shkuarën që refuzon me këmbëngulje kalimin. E shikoj, po ashtu, si një punë të bërë shumë keq, të mos them shkel e shko, nga ana e të ashtuquajturës bashkësi ndërkombëtare që këtu është tejet e pranishme, qysh nga përfundimi i luftës në Bosnjë, madje edhe nga përfundimi i luftës në Kroaci, po edhe më herët. Po bëhet e pabesueshme që rajoni i cili është aq fuqishëm nën llupën e fuqive të mëdha për shkak se shkaktoi probleme të mëdha në të kaluarën, kurse problemet dinë të jenë të shtrenjta kur i zgjidhni. Pra, përkundër kësaj, po përsëriten situata të cilat shumë shpesh përngjajnë me ato nga vitet e nëntëdhjeta. Është e pabesueshme sesi punët po zgjidhen, nëse zgjidhen fare, me aq ngadalësi dhe në masë të vogël, prandaj mendoj se për ne, në gjithë rajonin, nuk është fajtor dikush nga jashtë. Për gjithë atë që ka ndodhur përgjegjës jemi ne, ama kur bashkësia ndërkombëtare pozicionohet gati si administratë kolonialiste, sikurse është fjala vjen, rasti i Bosnjës ku keni institucionin e Përfaqësuesit të Lartë që ka autorizime të mëdha, i cili në fakt është në gjendje të me vendimet e veta të zgjidhë shumë punë, dhe këtë prapëseprapë nuk e bën, dhe punët shkojnë kështu shkel e shko, atëherë shtrohet edhe çështja e përgjegjësisë së tyre. Natyrisht, e dini se çfarë thotë Kanti për të paarsimuarin: Është vetëm mituri e fshehur. Dmth. përherë është fajtor dikush tjetër, përherë refuzosh pranimin e përgjegjësisë. Jo, në rregull, ne pranojmë përgjegjësinë tonë, por insistoj se bashkësia ndërkombëtare ka mundur që këtu të zhvillojë një politikë shumë më efikase dhe më të mençur, me shumë më pak kompromise ndaj pushtetmbajtësve lokal dhe me sa më pak mirëkuptim për të ashtuquajturën stabilokraci.

  • Lideri i shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti, më 2014 tha se Ukraina nuk është larg…

ANDREJ NIKOLAIDIS: Domethënë, kishte të drejtë!

  • Çfarë zhvillim të ngjarjeve parashikoni duke marrë parasysh se ëndërrallat për të ashtuquajturat shtete të mëdha ekzistojnë edhe sot e kësaj dite?

ANDREJ NIKOLAIDIS: Po, projektet shtetmëdha ekzistojnë dhe ato janë gjithçka, por jo joaktive. Unë mendoj se thjesht duket ashiqare, pra në aspektin empirik, për nga numri i viktimave që prodhoi, absolutisht më i madhi dhe pa kurrfarë mundësish krahasimi me të tjerët, projekti serb për shtetin e madh. Unë, natyrisht e di se ekziston edhe ideja e të ashtuquajturës Shqipëri natyrale dhe, u mor vesh, e di se në qarqet djathtiste kroate ekziston ideja, përkatësisht ëndrralla  se një pjesë e Bosnjës do të mund t’i bashkohej Kroacisë me ç’rast, që të jemi të sinqertë,  kroatët nga Bosnja shpërngulen dhe i shpërngulin kroatët dhe ata janë gjithnjë e më pak, pas dhjetë vjetësh mund edhe të mos ketë më në BeH. Pra, çelësi i problemeve në këtë rajon është projekti shtetëror serbomadh. Projekti shtetëror serbomadh është shëndosh e mirë. Unë po ua rikujtoj se Ivica Daçiq para nja dhjetë vjetësh, atëherë ishte në postin e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, tha se luftërat e viteve nëntëdhjetë ishin vetëm gjysma e parë e lojës dhe se pason gjysma tjetër. Nëse kjo deklaratë nuk ishte arsye për alarmin e kuq dhe nuk ishte për shkak se u anashkalua, unë nuk e di se çfarë duhet tjetër. Prandaj, këto projekte që po vijnë nga Beogradi, në quhen ato Naçertanie dikur, ose Serbia e homogjene, sikurse e emërtoi Moljeviqi, i afërt me lëvizjen çetnike, ose në quhen “Serbia e Madhe” ose “Bota serbe” sipas yrnekut të “Botës ruse”, përbëjnë një vazhdimësi dhe kjo vazhdimësi, dhe prania e kësaj politike, më bëjnë skeptik karshi cilësdo nismë që vjen nga cilado adresë, pra edhe nisma e Ballkanit të Hapur.

  • Fitohet përshtypja se, prapëseprapë, kjo flet për qëndrueshmërinë e politikës serbe. Ku janë të tjerët?

ANDREJ NIKOLAIDIS: Po kjo flet edhe për vendosmërinë, me ç’rast këtu qëndrueshmëria nuk është kompliment! Unë mendoj, të jem i sinqertë, kjo është teza ime, mbase mund t’ju duket radikale, por unë insistoj se kjo është e domosdoshme për vendosjen e paqes në këtë rajon. Pra, që ky projekt për shtetin e madh dhe kjo ideologji duhet nxjerrë jashtë ligjit, nuk duhet toleruar! Duhet nxjerrë jashtë ligjit për shkak se kjo ideologjia serbomadhe rezultoi me gjenocidin në Srebrenicë. Nëse kjo nuk është arsye që diçka të jetë jashtë ligjit, unë nuk e di se çka tjetër do të ishte. Prandaj, mesazhi im për këta arkitektët e paqes dhe arkitektët e marrëdhënieve ndërshtetërore në Ballkan është ky: Ndaloni nacionalizmin serbomadh! Përderisa nuk e bëni këtë, nuk ka paqe në Ballkan! Është krejt njësoj: mund të kemi një periudhë prej dhjetë vjetësh stabilitet, 20 vjet stabiliteti, por nëse keni idenë imperiale dhe e keni, kjo ide imperiale është aktive një shekull e gjysmë, më së paku një shekull e gjysmë, dhe ja çfarë stabiliteti keni! Fatkeqësisht, shumë njerëz të së majtës në Perëndim nuk po e shohin këtë problem. Ata janë të orientuar anti imperialisht, ama ata harrojnë se krahas perandorive të mëdha, brenda rajoneve të vogla, ekzistojnë edhe perandori të vogla, përkatësisht vende të vogla që, po ashtu, kanë pretendime imperialiste ndaj fqinjëve. Serbia është një nga vendet e tilla.

  • Përmendët, Naçertanien. Në këtë dokument historik, përmendet edhe Ulqini…

ANDREJ NIKOLAIDIS: Po, si të them, të gjitha ato dokumente janë listë dëshirash, por është problem kur keni një elitë politike e cila nis të zbatojë politikën sipas kësaj liste të dëshirave, ndaj atëherë kujtohen se gjysma e bregdetit kroat është e tyre, pastaj Ulqini e ku ta di unë. Kërkohet territor i Shqipërisë e kështu me radhë. Mendoj se këto janë punë të rrezikshme. Ndryshimi i kufijve në Ballkan përherë është i rrezikshëm, ndryshimi i kufijve, fundja kudo është rrezik potencial  dhe vet ideja se cilido prej këtyre shteteve dhe ,të jem i sinqertë të gjithë jemi njësoj, duhet të zgjerohet, është krejtësisht e gabueshme. Ne na duhet diçka tjetër, na duhen shtete funksionale në shërbim të qytetarëve. Na duhen demokraci të qëndrueshme dhe ekonomi të mira e jo më shumë territore në të cilat njerëzit do të jetojnë pa demokraci, në mungesë lirie dhe në varfëri. Kujt i duhet kjo?

  • Ashiqare, ne jemi shumë larg të ashtuquajturit shtet i mirëqenies?

ANDREJ NIKOLAIDIS: Po, po! Më brengos fakti se shumë qytetarë nuk janë fare të interesuar për shtetin e mirëqenies, por përkundrazi – janë të interesuar për ëndrra nacionaliste.

  • Kemi disa nisma perëndimore: Procesi i Berlinit, CEFTA, Ballkani i Hapur dhe një pesimizëm të theksuar për vënien e tyre në jetë…

ANDREJ NIKOLAIDIS: Patjetër të ketë pesimizëm kur projektin ua drejton Aleksandar Vuçiq që është frontmen, deri dje ishte, frontmen i nacionalizmit serbomadh. Kush mund të më bind se Ballkani i Hapur nuk është zëvendësim për Serbinë e Madhe? Kush mund të më bind se ky nuk është vazhdim i Serbisë së Madhe me mjete të tjera, ta formuloj kështu. Askush, thjesht, për shkak se Serbia, krahas Shqipërisë, si bartëse e këtij projekti, nuk ka hequr dorë nga ideologjia e vet. Pra, a nuk do të ishte më mirë të eliminohet kjo mundësia e politikës imperialiste serbe e pastaj të bisedohet për bashkim dhe gjëra të ngjashme? Prandaj, mirë, unë jam shumë hapur dhe direkt kundër Ballkanit të hapur, sepse mendoj se ky është një kompromis të cilin Perëndimi dhe para së gjithash Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e bëjnë me nacionalizmat e këtushëm. Në vend se të eliminojnë nacionalizmat, ata tentojnë t’i qetësojnë ashtu që do t’ju ofrojnë njëfarë zëvendësimi , njëfarë shpërblimi ngushëllues, për gjithë atë që këta nacionalizma kanë bërë dhe e kanë bërë vetë keq gjatë këtyre tridhjetë viteve të fundit.

  • Shtrohet çështja si të zgjidhet kjo nyja ballkanike?

ANDREJ NIKOLAIDIS: Në fakt, mendoj se çelës është hyrja në Bashkimin Evropian. Unë as që mendoj se ne do t’i shkaktonim çfarëdo problemi BE-së, gjithsesi jo më të madh se ç’i shkakton, për shembull,  Hungaria ose Polonia, dhe mendoj se me  këtë akt do të vehej ad acta çfarëdo mundësie e ndyrshimit të kufijve dhe me këtë edhe këta nacionalizmat, për të cilët po flasim, me të vërtetë do të bëheshin vetëm folklor, sepse kjo është një arkitekturë serioze brenda së cilës këta nacionalizma do të vepronim me të vërtetë në mënyrë komike!

  •  Si njohës i mirë i rrethanave në hapësirat e ish-Jugosllavisë, në gjithë rajonin, çfarë parashikoni: deri kur rajoni do të pres të bëhet pjesë e Evropës ose do të na vijnë rusët, kinezët…?

ANDREJ NIKOLAIDIS: E dini, njeriu i cili ka folur shumë herë për këtë është Milo Gjukanoviq. Ai gjatë tre viteve të kaluara vazhdimisht ka përçuar mesazhe në drejtim të BE-së, se nëse mbetet hapësirë boshe, ndonjëra nga fuqitë e mëdha do të hyjë në këtë boshllëk. Putin në këtë moment ka shumë butona në këtë rajon e të cilët mund ty shtyp. Milorad Dodik mbase është, në këtë moment, butoni më i madh ndër këta butona dhe potencialisht më i rrezikshmi. Mirëpo, ka shumë, ndikimi i tyre në rajon nuk është i vogël. Brenda shumicës parlamentare në largim, në Mal të Zi, të paktën dy të tretat ishin forca pro-Putinit, me të, ndër të tjera edhe u bë ndërrimi i pushtetit. Unë mendoj dhe ky është një parashikim shumë pesimist, po kam frikë se është real, mendoj se ky lloj i pafundësisë së keqe dhe i përsëritjes së të kaluarës që refuzon të tejkalohet, është thjeshtë një opsion i mundshëm. 30,40, 50 vjet është kohë goxha e madhe për jetën e njeriut, por është një ‘vrap’ në perspektivën historike. Taborët njëqindvjeçar, bile edhe më shumë se kaq, nuk janë asgjë për historinë. Historia din të jetë edhe më e vrazhdët  dhe ne, druaj se, i gjithë rajoni, nuk kemi as fuqi e para së gjithash urtësi, që të bëjmë atë që është e domosdoshme për të shpëtuar nga kjo. Domethënë, na duhet një ndërhyrje deus ex machina, ndërsa kjo ndërhyrje  fatkeqësisht nënkupton që dikush tjetër të marrë përsipër përgjegjësinë për fatin tuaj, përkatësisht tonin dhe për këtë që po ndodhë. Ju, si dhe unë, e dini se bota funksionon kështu: nëse vendosni bast për epilogun negativ, shanset janë më të mëdha se do të fitoni në bastore, por ja, unë nuk do ta bëj këtë, do ta bëj të kundërtën nga mendja e shëndoshë dhe do të them se prapëseprapë ushqej shpresën se ndonjë gjeneratë e re politikanësh dhe në përgjithësi gjeneratat e reja të njerëzve të cilët do të besojnë që do të veprojnë në hapësirën publike, disa që do të jenë shumë më të mirë se ne, do të kenë mjaftueshëm urtësi e gjerësi që të mos i përsërisin gabimet tona. Sepse, gjenerata jonë, kam frikë, ka kapërcyer atë pikën kur ishte i mundshëm çfarëdo konstruktiviteti. Kjo gjeneratë dhe këto elita politike, mendoj se në këtë moment vetëm pengojnë. Ato, natyrisht dëshirojnë të mbeten në pushtet, ato natyrisht duan t’i ruajnë privilegjet, por unë nuk shikoj kurrfarë potenciali tek liderët e konsumuar të cilët kanë përjetuar numër të pafund transformimi. Nuk shikoj kurrfarë potenciali tek ish-radikali që tani është demokrat e nesër makar u bëftë ultra-liberal; nuk shoh kurrfarë potenciali tek njerëzit kanë sunduar 30 vjet e tash nuk janë pushtet, e sërish do të duhej të sundojnë 20 vjet, jo! Kjo lojë duhet të përfundojë! Duhet spastruar hapësirën dhe t’ju lejohet njerëzve të rinj të mundohen të bëjnë diçka, sepse gjithçka që ne tentuam – dështoi!

Të fundit