E shtunë, 20 Prill, 2024

BIZNESE SHQIPTARE NË KOPER TË SLLOVENISË

Të jetosh dhe të punosh jashtë vendit është një sfidë e vërtetë, por edhe një mundësi për të hapur një faqe të re të jetës.  Arian Beqiri nga Tetova, së bashku me familjen e tij,  ka vite që kanë hapur biznesin e tyre familjar në qytetin e Koperit. Ai thotë se padyshim është një sfidë e vërtetë të fillosh një jetë të re pa pasur pranë familjen dhe miqtë. Atij i kujtohet mes tjerash adrenalina që rritej kur po merrte frymë në ajrin e aventurës së re. Por, ai, bashkë me familjen tashmë janë akomoduar në këtë qytet të mrekullueshëm, në cilin do ta vazhdojnë biznesin e tyre.

Shkruan: Puhiza Osmani

Qyteti bregdetar i Koperit për shkak të trashëgimisë kulturore dhe turizmit  është një nga pikat qendrore të Sllovenisë, ku shumë familje shqiptare janë vendosur atje për të jetuar dhe punuar.

Zoti Arian Beqiri së bashku me familjen e tij nga Tetova kanë hapur biznesin e tyre familjar në qytetin e Koperit. Ai thotë se padyshim është një sfidë e vërtetë të fillosh një jetë të re pa pasur pranë familjen dhe miqtë. Atij i kujtohet mes tjerash “adrenalina që rritej kur merrte frymë në ajrin e aventurës së re”.

“Si fillim vëllai im ka ardhur i pari në Koper, pastaj familjarisht jemi vendosur këtu me vizë pune para dhjetë viteve, ku dhe kemi hapur biznesin tonë familjar. Në fillimet e kësaj periudhe dhjetëvjeçare, rrugëtimi jonë ka qenë një sfidë e madhe, sepse ne duhej të kapërcenim pengesa të shumta. Është padyshim një sfidë të fillosh një jetë të re pa familje pranë, pa miqtë dhe pa mos ditur të flasësh gjuhën sllovene. Po më kujtohet si ditën e parë kur mbërrita në stacionin e Koperit dhe adrenalinën që rritej kur merrja frymë në ajrin e aventurës së re që do të ndryshonte jetën time përgjithmonë”, thotë Beqiri.

Ai thotë se nuk dinte se kur do të kthehej më në vendin e vetë, por për një gjë ishte i sigurt se kurdo që të kthehej do të ishte një person tjetër. Për momentin ai bashkë me familjen ka vendosur që të qëndrojë në Koper dhe të vazhdojë me  biznesin që po shkon shumë mirë.

“Për momentin kemi vendosur që së bashku me familjen të vazhdojmë ende që të qëndrojmë këtu, për shkak se biznesi jonë po shkon shumë mirë, kemi një numër shumë të madh të klientëve të cilët janë dhe shumë njerëz të mirë, gjithashtu Koperi është një qytet i mrekullueshëm dhe na pëlqen shumë jetesa këtu, sidomos gjatë periudhës së verës ku dhe përfitimet janë më të mëdha”, thotë ai.

Gjithashtu në qytezën e Prianit në Slloveni ka shumë familje shqiptare që kanë bizneset e tyre, një ndër të cilat është edhe familja shqiptare nga Bosnja dhe Hercegovina, të cilët që prej shumë viteve kanë restorantin e tyre “Sarajeva” në këtë qytezë.

Të fundit