E premte, 29 Mars, 2024

SOLIDARITETI EUROPIAN PËR STABILIZIM TË EKONOMISË

Ndihma prej 80 milionë euro nga BE shihet si një ndihmesë thelbësore për përballjen me vështirësitë e shumta të qytetarëve në kohën e krizës ekonomike. Ekspertë të ekonomisë ndihmën  e shohin në kuadër të masave antikrizë. Sipas tyre, çështja e masave antikrizë është një veprim për t’u përshëndetur, për vet faktin që ekonomia e vendit edhe në kushte normale është e brishtë, kurse tani që sapo ka dalë nga pas-covidi, është akoma më e paqëndrueshme. Eksperti i ekonomisë Arben Halili thotë se ndihma e paralajmëruar nga BE, është pikërisht në drejtim të stabilizimit funksional të ekonomisë dhe shtetit. Por, sipas tij, në nivele afatgjata vetëm produktiviteti i investimeve kapitale do jetë infuzion i qëndrueshëm ekonomik. Ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, David Geer ka theksuar se kjo paketë ndihme flet për premtimet dhe solidaritetin e BE-së

Shkruan: Eljesa Dervishi

Maqedonia e Veriut mori ndihmën prej 80 milionë euro nga Bashkimi Evropian për të përballuar krizën energjetike. Ky fond do të shërbejë si ndihmë për konsumatorët familjarë, shkollat, kompanitë publike, lidhur me shpenzimet e energjisë elektrike, përkatësisht për përballjen me masat anti-krizë të cilat do t’i ndërmarrë qeveria në Shkup.

Paketën prej 80 milionë euro e njoftoi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë një vizite ne tetorin e vitit të kaluar në Shkup.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, David Geer tha se kjo paketë ndihme flet për premtimet dhe solidaritetin e BE-së jo vetëm për vendet anëtare te Bllokut por edhe ato të ardhshme “si vlerë e prekshme themelore”.

Ndihma është në kuadër të fondit prej një miliard euro që BE-ja ka premtuar për vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë që popullsia e rajonit të përballojë problemet e shkaktuara nga kriza energjetike.

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut janë shprehur mirënjohëse për premtimin e mbajtur të BE-së. Kryeministri Dimitar Kovaçevski bëri të ditur se qeveria ka parashikuar një shumë prej 225 milionë euro nga buxheti i saj për vitin 2023 për menaxhimin e krizës energjetike. Ai tha në një konferencë shtypi se qeveria e tij arriti të mundësoj furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike për konsumatorët familjarë dhe bizneset dhe bëri rritjen e prodhimit të kapacitetit vendor.

Zëvendës-kryeministri Bojan Mariçiç,i ngarkuar me Çështjen e Integrimit Evropian, tha se “kjo është më tepër se sa mbështetje financiare që ndihmon përshpejtimin e transformimit të shoqërisë dhe përgatitjen e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në familjen evropiane”.

Autoritetet synojnë rritjen e efikasitetit energjetik të objekteve shëndetësore në pjesën më të madhe të qyteteve dhe përforcimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në disa rajone të vendit me prodhimin e “energjisë së gjelbër”.

Kriza energjetike sikurse edhe në shkallë globale, ka ndikuar në ekonominë e Maqedonisë së Veriut. Vendi importon një pjesë të madhe të energjisë për nevojat e brendshme. Kriza ka bërë që të rriten çmimet jo vetëm të energjisë elektrike dhe gazit, por edhe çmimet e produkteve ushqimore.

Në një prononcim për KDP, eksperti i ekonomisë Arben Halili thotë se çështja e masave antikrizë është një veprim për t’u përshëndetur, për vet faktin që ekonomia e vendit edhe në kushte normale është e brishtë.

“Çështja e masave antikrizë është një veprim për t’u përshëndetur, për vet faktin që ekonomia e vendit tonë edhe në kushte normale është e brishtë, kurse tani që sapo ka dalë nga pas-covidi, është akoma me e paqëndrueshme. Në këtë drejtim ndërhyrja e shtetit me masa të reja është nevojë e patjetërsueshme, dhe kjo sigurisht nuk nënkupton vetëm mbrojtjen e interesit të kompanive, por edhe të konsumatorëve”, u shpreh, Arben Halili.

Gjithashtu ai vlerëson se pavarësisht çdo gjëje edhe komuniteti i biznesit i cili për 3 vite shfrytëzoi në maksimum përfitimet nga shteti, tani duhet të ketë mirëkuptim edhe për interesin e konsumatorit më të gjerë.

“Pavarësisht çdo gjëje, mendoj që edhe komuniteti i biznesit i cili për 3 vite shfrytëzoi në maksimum përfitimet nga shteti, tani duhet të ketë mirëkuptim edhe për interesin e konsumatorit më të gjerë. Harmonizimi i çmimeve me nivelin e fuqisë konsumatorë patjetër të ndodh. Kjo do të thotë që pikërisht ata kompani që përfituan nga shteti, duhet ndër të parat të jeni që do fillojnë me uljen respektivisht harmonizimin e çmimeve. Edhe ndihma e paralajmëruar nga BE, është pikërisht në drejtim të stabilizimit funksional të ekonomisë dhe shtetit. Në nivele afatgjata vetëm produktiviteti i investimeve kapitale do jetë infuzion i qëndrueshëm ekonomik”, tha Arben Halili, ekspert i ekonomisë.

Të fundit