E enjte, 16 Maj, 2024

“I DON’T HAVE A DREAM”/ KIKO FJALIM EMOCIONUES PËR KRYEQYTETET PA KULLA

Nga Lutfi Dervishi

 

Heshtja e Kikos për disa javë kishte ndezur vorbullën e thashethemeve të Tiranës. Disa thonin që ai është blerë me para inceneratorësh si shumë të tjerë, disa mendonin se është paguar me paratë e drogës së bananeve dhe disa të tjerë pretendonin se kishte filluar një punë në shtet.

Por si përherë, çdo rikthim i Kikos të le pa fjalë. Nuk bëhet fjalë për censurë apo autocensurë, por për disa kohë paqeje që Kiko ka zgjedhur të shpenzojë me vetveten duke bërë vizita në disa kryeqytete të Europës.

Emocionet e këtyre udhëtimeve, Kiko vendosi t’i ndajë me opinionin publik përmes një fjalimi që zgjodhi ta mbajë në pedonalen e Sarandës para vendasve dhe turistëve.

Në fillim të fjalimit, Kiko listoi kryeqytetet e Europës që kishte vizituar:

-Lisbon

-Vienë

-Pragë

-Helsinki

-Varshavë

-Bratislavë

-Talin

-Vilnius

-Zagreb

-Ljubjanë

“Kam qenë edhe në Paris, edhe në Romë edhe në Barcelonë”, -vijoi Kiko, “a e dini të nderuar dy këmbësh sa jam tmerruar, zhgënjyer, zemëruar, nervozuar, revoltuar, gati-gati jam çmendur? Të gjithë këto të ashtëquajtura kryeqytete kanë një të përbashkët: nuk kanë asnjë kullë. Asnjë kullë për be!”, tha ai teksa i kishte ngulur dy sytë e vegjël në mes të turmës.

“Si ka mundësi që Viena, ky kryeqytet perandorak, mburret sot para botës me arkitekturën dhe trashëgiminë kulturore, me muzikën, me kafenetë dhe restorantet? Po ku ka vend në botë që nuk i ka të gjitha këto?! A kanë oligarkë këta apo jo?!

Po Praga që është shpallur edhe pasuri e UNESKOS, si nuk i vjen rëndë që krenohet me  arkitekturën Gotike dhe me historinë e vet? Si është e mundur që nuk kanë një kullë që i marroftë Zoti i marroftë?! A mos vallë konsumojnë shumë birrë dhe mendojnë se çekëve do t’u merren mendtë nga godinat e larta? Po nëse nuk e mbajnë dot pijen, të mos pijnë, por të mos dënojnë brezat e rinj të jetojnë siç kanë jetuar paraardhësit e tyre prej 1000 vjetësh?!

Po Finlanda?! Si është e mundur që të mblidhet gjithë kontinenti në Helsinki, në një kryeqytet që nuk ka asnjë rrokaqiell dhe të miratojnë “Kartën e Helsinkit”?! A nuk i kanë finlandezët mundësitë ekonomike të ndërtojnë një ndërtesë që të kapin retë? Në vend që të ndërtojnë të paktën  një kullë kanë shkuar dhe e kanë mbushur kryeqytetin me sauna.

Mirë vendet që kanë male, mund të justifkohen, por edhe këto vendet e ulëta që nuk kanë as kodra, si kanë fytyrë të dalin faqe botës dhe të ftojnë miletin për turizëm, kur në vendin e tyre ende nuk kanë ndërtuar një kullë?! Jam tmerruar nga Amsterdami, mirë kulla, por as edhe një pallat 9 katësh nuk pashë! Si është e mundur që një popull që dikur ka patur koloni në anën tjetër të globit, të mburret se ndërtesa më e lartë është një mulli me erë? Marre! Turp! 1000 herë turp.

Po Franca, që e mban veten fuqi bërthamore dhe lokomotivë të BE-së, nuk i vjen zor që kulla e vetme në Paris, është ndërtuar që më 1889?

Po katundarëve të Zvicrës, u rroftë ora zviceriane, trenat dhe alpet, ç’dreqin kanë?! Kur pyeta pse nuk ndërtojnë kulla, më thanë se u merret mendja njerëzve!

Po në Romë, a nuk kanë ndopak sedër romane që mburren ende me faktin se ndërtesa më e lartë që kanë është Koloseu e ndërtuar që në kohën e Spartakut?! Edhe Tirana ka pasur 15 katësh që nga shekulli i kaluar”, -tha majmuni i dashur Kiko teksa u përball me duartrokitjen e parë të njerëzve që po e ndiqnin sy e veshë.

“Mungesa e kullave nuk është thjesht çështje zgjedhjeje mes të ardhmes dhe të shkuarës, as  dilemë nëse duhet ta shohësh apo prekësh qiellin, madje as ka të bëj me raportin e godinave me njerëzit, por ka të bëjë mbi të gjitha me demokracinë dhe rendin liberal- demokratik.

Demokracia kërkon njerëz me pikëpamje dhe këndvështrime të ndryshme. Si mund të kenë kënvështrime dhe mendime të ndryshme njerëzit që jetojnë në të njëjtin nivel?

Vetëm jetesa në kulla do të garantojë ajër të pastër, këndvështrime dhe pikëpamje të ndryshme dhe mbi të gjitha demokraci, shtet ligjor dhe ekonomi funksionale tregu!”, foli Kiko.

Në fund, ai e mbylli me disa fjalë zemre: “ I don’t have a dream”!

Nëse për popujt e tjerë, pasia e kullave është ende një ëndërr, unë nuk e kam atë sepse jam duke e jetuar.

Falë kësaj qeverie, falë vizionit  dhe falë qytetarëve që i kanë përkrahur me votë, sot jetojmë në një habitat të këndshëm betoni me qiellin e bukur ku vizitohen retë e çimentos dhe rrezet e hekurit dhe çelikut që zgjaten pafundësisht.

Thonë se ëndërrimtarët e vërtetë nuk flenë kurrë, andaj edhe është koha që europianët të zgjohen nga gjumi për të fluturuar mbi kullat e pafundësisë që veç se e bëjnë të bukur qiellin!

Faleminderit!

Të fundit