E shtunë, 18 Maj, 2024

NULAND: SHBA MBËSHTET SULMET UKRAINASE KUNDËR OBJEKTEVE USHTARAKE NË KRIME

“Shtetet e Bashkuara konsiderojnë se Krimea, të cilën Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014, duhet të çmilitarizohet në minimum dhe Uashingtoni mbështet sulmet e Ukrainës ndaj objektivave ushtarake në gadishull”. Deklarata, njofton agjencia Rojters, është e nënsekretares amerikane të Shtetit Victoria Nuland.

“Ukraina nuk do të jetë e sigurt nëse Krimea nuk çmilitarizohet,”– tha Nuland gjatë një video-diskutimi të organizuar nga Fondacioni Carnegie për paqe ndërkombëtare me seli në Uashington, – transmeton kdp.mk.

Zëvendës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Politike, Victoria Nuland ka nënvizuar gjithashtu se Kievi duhet të kthejë “pjesë të konsiderueshme të territorit përpara se të ngrihet çështja e Krimesë”:

“Qëndrimi ynë mbetet se Ukraina ka të drejtë sovrane mbi të gjithë territorin e saj brenda kufijve të saj ndërkombëtarë. Ne kurrë nuk e kemi njohur aneksimin rus të Krimesë,”- ka shtuar zyrtarja e lartë amerikane.

Një transkript i diskutimit është publikuar në faqen e internetit të Departamentit Amerikan të Shtetit, në të cilin thuhet se Nuland, duke iu përgjigjur pyetjes “çfarë dëshiron SHBA në Ukrainë,të cilës i duhen armë për të rikthyer territorin e humbur, përfshirë Krimenë”, ka thënë se Uashingtoni do të mbështesë Ukrainën sa të jetë e nevojshme të rimarrë kontrollin e territorit brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Krimea, e cila përfshin portin e Sevastopolit ku është vendosur flota ruse e Detit të Zi, shihet nga diplomatët perëndimorë dhe rusë si pika më nevralgjike e luftës në Ukrainë.

Agjencitë e lajmeve, po ashtu, transmetojnë edhe reagimin e Kremlinit ndaj  deklaratës së Victorias Nulandit

“Zyrtarja e lartë e administratës amerikane pranon se SHBA po nxit ambiciet e regjimit të Kievit  që të sulmojë vendin tonë,” – ka deklaruar zëdhënësi i ambasadës ruse në Uashington, Igor Girenko.

Të fundit