Gjithnjë e më tepër flitet për përfshirjen e Aleancës për Shqiptarët në qeveri. Kryeministri Kovaçevski ka theksuar se ka gjasa që ASH të bëhet pjesë e qeverisë dhe kjo do të varet nga dialogu dhe marrëveshja politike. Nga ASH kanë bërë të ditur se për momentin janë të fokusuar në mbajtjen e kuvendit qendror të partisë, në krijimin e organeve të reja, ndërkohë që më pas do të shqyrtohet edhe përfshirja në qeveri. Burime partiake theksojnë se pas mbajtjes së kuvendit pritet që të zyrtarizohen bisedimet, të definohet marrëveshja dhe dikasteret që do të udhëheqë kjo parti.
Shkruan: Enis Shaqiri
Që Aleanca për Shqiptarët të bëhet pjesë e Qeversië, sipas kryeministrit, Dimitar Kovaçevski do të varet nga marrëveshja apo dialogu politik. Ai theksoi se dyert e qeverisë janë të hapura për të gjitha partitë politike në vend, të cilat janë për konceptin pro evropian të Maqedonisë së Veriut.
Ai mes tjerash e ripërsëriti edhe njëherë qëndrimin e tij se të gjithë ata që dëshirojnë t`i bashkëngjiten konceptit për një Maqedoni evropiane, tani është koha që ta bëjnë atë.
“Lidhur me Aleancën për Shqiptarë, kam thënë se kjo parti ka shprehur vullnet politik për konceptin evropian të shtetit. A do të hyjë në Qeveri? Po ka gjasa për këtë. A do të ndodhë kjo, varet nga marrëveshja politike kuptohet, i cili ka çdoherë dy aspekte, njëri është programor, tjetri është kadrovik dhe derisa nuk ndodhë diçka e tillë, nuk mundemi të flasim me siguri se do të ketë edhe një partner qeveritar. Megjithatë, unë kam thënë që para tre muajve se, të gjithë ata që duan të bashkohen drejt konceptit për Maqedoni evropiane, tani është koha ta bëjmë atë, sepse prej ne varet anëtarësimi më i shpejtë i vendit në Bashkimin Evropian”, thekson Dimitar Kovaçevski.
Çështja e hyrjes së ASH-së në qeveri përfolët muaj me radhë, por kulminacioni erdhi dy ditë më parë, kur kreu i kësaj partie Arben Taravari tha se faktori ndërkombëtarë kërkon që Aleanca për Shqiptarët të jetë pjesë e Qeverisë.
Ndërkohë, në një prononcim për KDP, Arben Zeqiri nga Aleanca për Shqiptarët, thotë se prioritet i kësaj jave është mbajtja e kuvendit të partisë dhe themelimi i organeve të reja, ndërkohë që pas do të shqyrtohet edhe çështja e përfshirjes në qeveri.
“Ditën e shtunën kemi kuvendin e partisë ku do të themelohen organet tjera partiake përfshirë edhe Kryesin Qendrore dhe kjo mbetet prioritet i kësaj jave. Më pastaj do te shqyrtohen te gjitha temat tjera përfshirë edhe pyetjen e juaj.” thonë nga ASH-ja.
Jozyrtarisht mësohet se pas Kuvendit partiak të ASH-së pritet edhe të zyrtarizohen bisedimet, të definohet marrëveshja si dhe dikasteret që do të udhëhiqen nga kjo parti.
Lajmin për hyrjen e ASH-së në qeveri nuk e kanë pritur mirë Lëvizja Besa, VMRO-DPMNE-ja si dhe Partia Lidhja Demokrate e Pavle Trajanovit.
Deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli në një prononcim për mediat duke komentuar hyrjen e ASH-së në Qeveri ka thënë se hyrja e ASH-së në koalicionin qeverisës, nuk do t`i jepte jetë qeverisë më shumë se 2-3 muaj, sepse zgjedhjet e parakohshme parlamentare sipas tij janë të domosdoshme.
“Ajo që vërehet në opinionin publik dhe që ne mund ta shohim në Kuvend është përpjekja e vazhdueshme, vecanërisht e BDI-së që të krijojë në shumicë të re brenda Kuvendit. Në njëfarë mënyre BDI dëshiron “të kapet për kashte” sic thotë populli. Sa e vërej nuk është ndonjë angazhim serioz I LSDM-së se sa I BDI-së që të krijojë nëj shumicë të re parlamentare me futjen e ASH-së dhe në njëfarë mënyre mendojnë se mund ta shtyejnë qeverisjen e tyre edhe më tej. Vlerësimi im është se kriza politike dhe institucionale është shumë e thellë. Nuk ka rrugëdalje institucionale ose politike brenda këtij mandati parlamentar, realisht vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Hyrja e ASH-së në Qeveri mund t`I jep jetë qeverisë vetëm 2-3 muaj dhe jo më shumë”, ka deklaruar deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.
Partia, Lidhja Demokrate e Pavle Trajanovit, është shprehur kundër zgjerimit të shumicës parlamentare, sepse kjo do të rrisë pakënaqësinë te qytetarët dhe do të shkel parimet kushtetuese për përfaqësim adekuat dhe të drejtë të bashkësive etnike në pushtet.
Ndërsa nga VMRO DPMNE thonë se “kur Aleanca premton ndryshime kushtetuese pa e pyetur popullin, kjo quhet gënjeshtër. Gjithashtu gënjeshtër është edhe kur Taravari bëhet kryetar i Gostivarit me votat e VMRO-DPMNE-së, kurse pastaj vrapon që të hyjë në qeverinë e BDI-së dhe LSDM-së dhe gjithashtu është gënjeshtër kur Arben Taravari thotë se faktori ndërkombëtarë ka kërkuar nga vetë ai të hyjë në Qeveri dhe kur do ta pyesni se cili është ai faktor ndërkombëtar, Taravari do t`i shmanget përgjigjes ”