E shtunë, 18 Maj, 2024

QËNDRIM: PUSHONI SË DEHUMANIZUARI SHQIPTARËT E KOSOVËS!

Mos prodhoni gjendjen e luftës së përjetshme apo të armëpushimit të qëndrueshëm, vetëm për ta bërë më të lehtë qeverisjen me qytetarët. Dhe pushoni më të dehumanizoni shqiptarët e Kosovës. Mos krijoni kulturën e frikës në shoqërinë tonë…

Shkruan: ALEKSEJ KISHJUHAS*

A është e mundshme që targat të nisin luftën? Natyriosht se munden. Sidomos nëse ato kanë të përvijuara simbole shtetërore dhe kombëtare – e i kanë. Në Beograd dhe Novi Sad, dhe veçanërisht në Twitter, kjo duket relativisht joreale. Megjithatë, njerëzit janë edhe kafshë simbolike, ndërsa luftërat kanë shpërthyer edhe për arsye (madje) më banale.

Zjarret që po ndizen në veri të Kosovës prandaj janë “dinamit nën fuçinë ballkanike të barutit” (Milivoj Bešlin). Gjithçka që duhet tani është që dikujt në barrikada t’i bjerë kallashnikovi nga krahu në beton, në mënyrë që realisht të pësojë ndonjë serb apo shqiptar i Kosovës.

Masmediat në Serbi tashmë kanë përgatitur terrenin për luftë. Ndërsa në strukturat (ndoshta edhe në majën e tyre?) të shtetit dhe shoqërisë së thellë serbe sigurisht që ka individë që sinqerisht besojnë se Kosovën duhet rikthyer me forcë. Dhe pikërisht tani është momenti i përshtatshëm për këtë, pasi NATO-ja është e zënë me Ukrainën.

Kosova nuk është kurrfarë “tërheqje e vëmendjes” nga problemet tona. Jo, qëndrimi dominues i Serbisë ndaj Kosovës është problemi ynë themelor shoqëror. Kurse gjithçka tjetër, nga korrupsioni dhe partiokracia deri te kopshtet e lënë pas dore, ajri i ndotur apo amoniaku i rrjedhur, janë vetëm pasoja indirekte të këtij problemi.

Dhe prandaj, nëse ka një dëshirë për Vitin e Ri, pra një lutje e sinqertë e këtij sociologu dhe kolumnisti për Baba Dimrat që marrin vendime, ajo është: Ju lutem, mos i fshehni interesat tuaja politike dhe kriminale pas gjoja mbrojtjes së popullit serb.

Mos prodhoni gjendjen e luftës së përjetshme apo të armëpushimit të qëndrueshëm, vetëm për ta bërë më të lehtë qeverisjen me qytetarët. Dhe pushoni më të dehumanizoni shqiptarët e Kosovës. Mos krijoni kulturën e frikës në shoqërinë tonë. Mos vringëlloni me armë nëse e njihni zotin ose materien.

*Shkrimi, me shkurtime, është marrë nga gazeta e pavarur serbe: danas.rs


 

 

Të fundit