Ish-presidenti i Kinës, Jiang Zemin, ka ndërruar jetë në moshën 96 vjeçare. Kdpolitik.com, transmeton njoftimin e radios kineze sipas të cilit ai u nda nga jeta për shkak të leukemisë dhe mosfunksionimit të shumë organeve.
Njoftimi u bë në një letër publike të lëshuar nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës. Në të, Jiang Zemin cilësohet si “një udhëheqës i jashtëzakonshëm, që gëzoi prestigj të lartë të njohur nga e gjithë Partia, e tërë ushtria dhe populli kinez i të gjitha kombësive, një marksist i madh, një revolucionar proletar i madh, shtetar, strateg ushtarak dhe diplomat, një luftëtar komunist i sprovuar për një kohë të gjatë dhe një udhëheqës i shquar i kauzës së madhe të socializmit me karakteristika kineze”.
BBC rikujton se Zemin ishte një ndër personalitetet kryesore të historisë moderne të Kinës. Nën drejtimin e tij vendi përjetoi një rritje të shpejt ekonomike.
Gjatë sundimit të tij u zbatuan reformat historike ekonomike, Britania e Madhe ia ktheu, më 1997, Kinës Hong Kongun, ndërsa shteti kinez, në vitin 2001, u bë pjesë e Organizatës Botërore të Tregtisë.
Jiang Zemin u kritikua për shtypjen e aktivistëve pro-demokracisë dhe të drejtave të njeriut dhe të punës, ndërsa lëvizja Falun Gong, e cila shihej si një kërcënim për monopolin e Partisë Komuniste në pushtet, u nxor jashtë ligjit.