E premte, 25 Prill, 2025

JEMI MË TË FORTË, SEPSE JEMI TË LIRË!

Pa armiq, Aleksandar Vuçiqi nuk mund të ekzistojë. Kur ka armiq, ai mbulon çdo marifet të tij politik. Për të është krejtësisht ok që serbët në veri të Kosovës të mbrohen nga kriminelë të cilët si të tillë i kanë etiketuar disa shtete të tjera, kurse për Aleksandar Vuçiqin fajtorë janë gazetarët kur e shtrojnë këtë çështje.

 

Enkas për KDP-në nga Beogradi shkruan: NENAD KULAÇIN

 

Tash shpejt kam rikujtuar për të përditshmen e pavarur “Danas” të Beogradit se presidenti aktual serb, Aleksandar Vuçiq, ishte ministër kur më 11 prill të vitit 1999 u vra gazetari dhe botuesi i njohur Slavko Quruvija. Ndaj, më duhet të përsëris dhe një herë, duke ngritur zërin në kupë të qiellit:

Gjatë mandatit të Aleksandar Vuçiqit si ministër i Informacionit, u vra Slavko Quruvija, ndërsa Serbia u bë  vendi me Ligjin më të ngurtë për Informimin në Evropë. Dhe, këtu është fillimi dhe mbarimi i çdo historie për median dhe për vet atë. Pse ndjej nevojën të rikujtoj e rikujtoj nga e para këtë fakt që shprehimisht askujt edhe nuk i intereson për së tepërmi? Për shkak se po na ndodhin të njëjtat gjëra që na kanë ndodhur edhe në atë kohë.

Është çështje momenti kur do të pësojë ndonjë gazetar në Serbi, madje forcërisht. Me shpejtësi progresive po i afrohemi këtij momenti. Së pari u krijua një atmosferë që të gjithë gazetarët dhe mediat që nuk janë drejtpërdrejt nën shkopin e Aleksandar Vuçiqit janë armiq të shtetit dhe se punojnë kundër dhe në dëm të Serbisë. Pastaj përsëri u cilësuam si tradhëtarë vendas dhe mercenarë të huaj. Fajtori më i madh dhe i vetëm për këtë është Aleksandar Vuçiq. Nuk ishte gjallë derisa nuk i krijoi vetes armiq. Opozita ishte shumë e dobët dhe ishte lehtë për ta manipuluar. Çfarëdo çështje që të shtrohej para opozitës që nga ardhja e progresistëve në pushtet, Aleksandar Vuçiqi ia doli ta përçajë me një manipulim të shkathët. Kur duhet mbështetur një kandidat të opozitës për çfarëdo  funksioni, ai gjithmonë ia del të bëj pishman dikë që kjo të mos ndodhë.

Bojkoti dështoi, sepse gjithmonë mund të gjendet dikush që do të dalë në zgjedhje.  Përderisa ai  planifikon të rritet, opozita  ndahet në dhjetë lista regjistrimi.

Gazetarët? Kjo është një histori tjetër. Janë të paktë, por janë një kockë e fortë. Ka gjithmonë nga ata që do të pyesin se çfarë nuk duhet, të publikojnë atë që do të duhet të mos publikohet, të thonë atë që askush tjetër nuk guxon. Prandaj gazetarët janë të dëmshëm dhe janë kthyer në armiq. Është krejtësisht legjitime  që në një atmosferë të këtillë janë bërë caqe legjitime për kanosje me vrasje, me plumba, therje, veprime terroriste.

Nëse jemi të parëndësishëm, nëse askush nuk na lexon, nuk na shikon, përse po na kërcënoni, ngjisni pllakate dhe po shfryni dufin mbi një grusht gazetarësh? Sepse na shpallët armiq. Pa armiq, Aleksandar Vuçiqi nuk mund të ekzistojë. Kur ka armiq, ai mbulon çdo marifet të tij politik. Për të është krejtësisht ok që serbët në veri të Kosovës të mbrohen nga kriminelë të cilët si të tillë i kanë etiketuar disa shtete të tjera, kurse për Aleksandar Vuçiqin fajtorë janë gazetarët kur e shtrojnë këtë çështje. Kështu qëndrojnë punët me të dhe me ne që nuk do të heshtim.

Tani, si vazhdimësi e kësaj fushate, radhën e ka  edhe shtypja e pllakateve  me të dhëna të gazetarëve. Para disa ditësh kjo më ndodhi mua, nesër do t’i ndodhë dikujt tjetër, nuk ka rëndësi. Është problem se shoqëria nuk po bën zë. Thjesht kjo nuk është temë. Po të mos ishin “Danas” dhe portali “Nova.rs”, NUNS(Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë), Veran Matiq dhe ndonjë avokat, nuk do të kishim tek kush të mbështetemi, të ankohemi, të qanim. Ka të drejtë bashkëluftëtrari im Marko Vidojkoviq kur thotë – Byrazer, në këtë jemi  vetëm.

Burri ka ditë që po përjeton traumat më të mëdha për shkak se tha se “nuk ia ndinë” për Kampionatin Botëror në futboll dhe nuk do të bëjë tifo për përfaqësuesen e Serbisë, sepse ajo është kombëtarja e SNS-së (Partisë Progresiste të Serbisë). A duhet të linçohet për këtë? Duket se duhet. Duhet shtypur çdo mendim që nuk bie ndesh me narrativën progresiste. A na ka thirrur dikush ndonjërin prej nesh, përveç atyre që u përmendën, për të na pyetur  – po si jeni, djema? Askush!

Kurrë, ama kurrën e kurrës nuk e kam besuar se Aleksandar Vuçiq ka edhe një kokërr, qoftë edhe një mikroçip, që është akorduar për demokracinë. I rritur në atë kapotën radikale, ai thjesht nuk e ka atë kapacitetin dhe aftësinë për të pranuar se  kritika është baza e ekzistencës së demokracisë dhe lirisë. Janë gazetarët ata të cilët e kanë pyetur për helikopterin, Savamalën, trarin te Doljevci, për aferën Krushik. Kush mundet që sado pak normal të jetë të emërojë drejtor të subjektit subjektit më të rëndësishëm dhe më të ndërlikuar ekonomik shtetëror, e kam fjalën për EPS-në (Elektroekonominë e Serbisë),  pronarin e një furre dhe të nxehet kur gazetarët e pyesin për një gjë të tillë.

Çdo etiketë që ai u ka ngjitur gazetarëve në Serbi, duke u përpjekur të jetë simpatik, ​​është një tullë në murin e kërcënimeve dhe përbuzjeve për këdo që nuk është “i tij”.  Nga ajo – “ekspert”, deri në talljen e qëllimishme të kolegëve  ashtu që qëllimisht ua gabon emrin. Ky është fajtori kryesor pse sot po kërcënohen gazetarët në Serbi. Aleksandar Vuçiq është  vrasësi i medias.  A do të bëhet edhe vrasës i gazetarëve, këtë do ta shohim gjatë muajve që vijnë. Le të kujtojmë se pas kërcënimeve drejtuar Danasit se do të përfundojmë si Charlie Hebdo, Aleksandar Vuçiq shpresoi se kjo nuk do të ndodhë. Ai nuk lëvizi gishtin e vogë për të gjetur autorin e këtij kërcënimi. Burri shpreson. Epo, Aleksandar Vuçiq, edhe ne shpresojmë se e vërteta dhe drejtësia do të ngadhnjejnë, si dhe dëshira për liri! Herë do kurdo. Ne jemi më të fortë, sepse jemi të lirë!

 

* Nenad Kulaçin është gazetar me përvojë nga Serbia. Ka lindur në vitin 1970 në Beograd. Karrierën gazetareske e filloi në të përditshmen Borba, punoi si gazetar dhe redaktor në “Frankfurtske Vesti” dhe ishte redaktor në të përjavshmen Standard. Karrierën e tij televizive e filloi në televizionin e Beogradit “Tv Enter”, për dy vite ishte redaktor në B92, prej nga kaloi në pozitën e kryeredaktorit të RTV Shabac në vitin 2009. Aktualisht punon në të përjavshmen lokale të Shabacit “Glas Podrinja”. Me Marko Vidojkoviqin është bashkautor i emisionit “Dobar, loš, zao” në TV Shabac.

 

 

Të fundit