E diel, 27 Prill, 2025

KONGRESI I QENËSISË EUROPIANE

Kongresi i Manastirit, përcaktimi për alfabetin latin, mbetet matrica e qenësisë europiane shqiptare, mbetet përpjekja më sublime dhe më vizionare e mendjeve pjesëmarrëse nga të gjitha hapësirat shqiptare. Të neglizhosh këtë ngjarje do të thotë të mos e kuptosh dimensionin e modernitetit kulturor që përfaqëson, në një kohë kthesash të mëdha historike dhe rivendikimesh gati fatale për kulturën shqiptare. Gjuha është qenësi dhe në të njëjtën kohë një sistem i hapur ndërveprimesh që i japin dinamikën e përftesave leksikore të harruara që vijnë të përplotësojnë lartësitë dhe thellësitë e saj. Shumë gjuhëtarë të vëmendshëm kanë shfaqur shqetësimin e reduktimit të gjuhës shqipe në dimensionin e përfshirjes së leksikut, sidomos në interpretimin ideologjik të këtij leksiku që akoma e kemi në fjalor. Deideologjizimi i “shqipes totalitare” mbetet një detyrë urgjente për të “çliruar” fjalët nga semantika e deplasuar “kooperativiste” dhe për t’iu dhënë atyre kuptimin autentik gjuhësor.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Nuk e di mbase gjërat mund të marrin një kuptim, ndërkohë që brenda jetës kombëtare fillojnë të mbarështrohen botëshikime që i tejkalojnë skemat shterpe të vetëkënaqësisë. Kam përshtypjen se po i ripërsërisim “ekstazat” bjerrakohëse dhe druajmë që t’i shfaqim dilemat, ngërçet, fragmentimet brenda hapësirës shqiptare, të cilat notojnë në detin e ngrirë të moslëvizjes dhe mërzisë entuziaste.

Hajdegeri thoshte se “gjuha është shtëpia e qenies” dhe kjo premisë na vendosë përpara koncepteve tjera, përpara vlerësimeve dhe rivlerësimeve që shkojnë përtej antagonizmave të kreshpëruara, taborëve të mbërthyer në parzmore dyluftimesh mbi fatin e gjuhës shqipe, që mbetet pa asnjë dilemë kryeshtylla e identitetit tonë kulturor.

Sigurisht, ky shkrim nuk pretendon të shpërfaqë ndonjë qasje metodologjike mbi gjuhën dhe as të atakojë vlerësimet e deritashme mbi çështjen e stadardizimit të gjuhës shqipe. Përtej përplasjeve, antagonizmave që herë-herë shfaqen me intensitet të theksuar, po përpiqemi që piketojmë disa shqetësime, që vijnë në formë neglizhence dhe pasigurie, pikërisht në kohë e kremtimit të Ditës së Alfabetit dhe në kohën e pesëdhjetë vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit.

Tashmë është stërthënë që Kongresi i Manastirit shënon një nga ngjarjet mbase më kuptimplota në historinë shqiptare dhe në të njëjtën kohë një nga ngjarjet që ridimensionoi qenësinë shqiptare në kuptimin historik dhe ontologjik në arealin europian. Me Kongresin e Manastirit shqiptarët betonuan orientimin dhe përkatësinë europiane, njashtu siç determonohej që nga shfaqjet e para të shkrimit shqip, por edhe më thellë në trajektoren historike, që nga antikiteti e këndej. Vendimi për përdorimin e alfabetit latin ishte vulë për gjithë këtë trajektore historike, e cila brenda eklipseve në periudha të ndryshme rrezikonte që të degjenerohej në zgjedhje konjekturale.

Padiskutim që kjo ngjarje shënon fillimin e një faze vendimtare në emancipimin kulturor shqiptar në frymën e Rilindjes dhe në frymën e pritjeve të mendjeve të ndritura, të cilët tashmë e kishin të qartë urgjencën e këtij vendimi, që do të formësonte dhe do të kodifikonte universin gjuhësor dhe kulturor shqiptar.

Ne tashmë ndodhemi përpara këtij fakti historik, që e shndërron qytetin e Manastirit në një topos të përshpirtshëm të gjuhës dhe kulturës shqiptare në njësinë e vetë të pandashme si identitet. Kanë kaluar vite që kjo ngjarje shënohet në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që kalimthi dhe me një lloj neglizhence kjo ngjarje  përmendet nga institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës. Kongresi i Manastirit është ngjarje për gjithë hapësirat shqiptare për nga rëndësia e dimensionimit të qenësisë shqiptare në koordinatat europiane dhe për nga vizioni gjithëpërfshirës i përnjësimit gjuhësor dhe kulturor. Kongresi i Manastirit, përcaktimi për alfabetin latin, mbetet matrica e qenësisë europiane shqiptare, mbetet përpjekja më sublime dhe më vizionare e mendjeve pjesëmarrëse nga të gjitha hapësirat shqiptare. Të neglizhosh këtë ngjarje do të thotë të mos e kuptosh dimensionin e modernitetit kulturor që përfaqëson, në një kohë kthesash të mëdha historike dhe rivendikimesh gati fatale për kulturën shqiptare.

Në kohën kur sivjet shënohet edhe pesëdhjetëvjetori i Kongresit të Drejtshkrimit mbetet kaq e nevojshme që gjuhëtarët të hapin debatin mbi të ardhmen e funksionimit të standardit të gjuhës shqipe që atakohet nga globalizimi dhe nga pasiguri të shumta përdorimi që ndërlidhen me përvetësimin jo të mjaftueshëm të këtij standardi si strukturë gjuhësore, si bazament.

Gjithashtu mbetet për t’u shikuar edhe një aspekt tjetër i tjetërsimit ideologjik të gjuhës, që e ka reduktuar fatalisht në leksikun e pasur të papërfshirë. Sigurisht, në këtë drejtim duhet të kundrohet nebuloza gjuhësore e shpjegimit të fjalëve në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, që vjen me konotacione tërësisht të ideologjizuara dhe të deplasuara në semantikën leksikore.

Gjuha është qenësi dhe në të njëjtën kohë një sistem i hapur ndërveprimesh që i japin dinamikën e përftesave të harruara që vijnë të përplotësojnë lartësitë dhe thellësitë e saj. Në fakt sakatimi më i madh gjuhës shqipe i është bërë në dimensionin e përfshirjes së leksikut, sidomos në interpretimin ideologjik të këtij leksiku që akoma e kemi në fjalor. Deideologjizimi i “shqipes totalitare” mbetet një detyrë urgjente për të “çliruar” fjalët nga semantika e deplasuar “kooperativiste” dhe për t’iu dhënë atyre kuptimin autentik gjuhësor.

 

Të fundit