E shtunë, 13 Korrik, 2024

LAJÇAKU BISEDON ME BISLIMIN PËR TARGAT

I dërguari i posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se është duke biseduar me kryenegociatorin e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, për procesin e dialogut dhe “në veçanti çështjen e targave”.

“Ne kemi nevojë urgjente për të gjetur një zgjidhje për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në terren. Çdo përshkallëzim apo dhunë është e papranueshme”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit dërguar mediave, thuhet se Bislimi zhvilloi takime dypalëshe atje, ku përveç procesit të dialogut, u “diskutuan gjithashtu dhe opsionet për konvertimin e suksesshëm të të gjitha targave ilegale, në ato legale”, por pa dhënë më shumë detaje.

Në një intervisë për Radion Evropa e Lirë, Bislimi kishte deklaruar më 1 nëntor se targat nuk janë më pjesë e dialogut, por vendim që po zbatohet.

Burimet diplomatike thonë se qëllim i këtij takimi është të shihen mënyrat se si të vazhdohet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe propozimet për tejkalimin e krizës aktuale.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Janë rreth 9.000 makina me targa të tilla që qarkullojnë në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe në masë të madhe kontrollohet nga Beogradi zyrtar.

Qeveria e Kosovës do që këto makina të riregjistrohen me targa të Republikës së Kosovës, RKS, por Serbia kundërshton, duke këmbëngur në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e rritjes së tensioneve, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Zrtarët në BE paralajmëruan takime edhe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, por, tash për tash, thanë se nuk pritet ndonjë takim Bislimi-Petkoviq.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, u tha gazetarëve se takimi i Lajçakut me Bislimin është një nga hapat që Brukseli po ndërmerr në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krizën.

Një ditë më herët, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia, urgjentisht, duhet të tregojnë gatishmëri për uljen e tensioneve.

Borrell tha se 21 nëntori – dita kur, sipas planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave, pritet të nisë gjobitja e shoferëve me targa të paligjshme – nuk duhet t’i gjejë Kosovën dhe Serbinë pa një marrëveshje për targat.

BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës shtyrjen e planit për riregjistrimin e makinave, me qëllim shmangien e tensioneve.

Qeveria e Kosovës, megjithatë, ka nisur zbatimin e tij më 1 nëntor.

Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjoba prej 150 eurosh, ndërsa në të tretën do të shpërndahen targa provuese.

Me këtë plan, pritet që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Të fundit