Maqedonia e Veriut tashmë ka arritur një stabilitet sigurie dhe këtë e konfirmon rangimi në vendin e 36-të nga Global Peace. Sipas ekspertëve të sigurisë ky rezultat vjen për shkak të anëtarësimit në NATO, por edhe për shkak të përputhjes së plotë e politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë me Bashkimin Europian. Përveç politikës së jashtme edhe marrëdhëniet ndëretnike shihen si faktorë esencialë të qëndrueshmërisë në aspektin e sigurisë.
Shkruan: Gentuar Ismaili
Për dallim nga e kaluara, Maqedonia e Veriut ka arritur të jetë vend stabil dhe i sigurt, këtë e konfirmon edhe indeksi Global Peace duke e ranguar në vendin e 36 – të.
Ekspertët e sigurisë thonë se ky rezultat është real sepse vendi jonë është anëtarë i NATO – së.
Eksperti i sigurisë Qebir Avziu thotë se arsyeja që kemi këto rezultate është se fqinjët me pretendime territoriale janë pjesë e NATO – së.
“Po, Maqedonia e Veriut, sot për dallim nga e kaluara, ka arritur të jetë një vend me stabilitet të qëndrueshëm në aspektin e sigurisë!
Ky konstatim bazohet në ekzistencën e më shumë faktorëve që janë barometër për matjen e sigurisë së një shteti. Në përgjithësi, faktorët që destabilizojnë apo prishin sigurinë e një vendi ose ndikojnë në ngritjen e sigurisë, ndahen në të jashtë dhe të brendshëm”, thotë Avziu.
Sipas tij, faktorët e jashtëm janë kërcënimet nga shtetet fqinjë apo fuqive të mëdha ushtarakisht, shërbimet e inteligjencës, etj. “Nga kjo prizëm Maqedonia e Veriut, sot nuk ka ndonjë kërcënim nga shtetet fqinjë apo fuqive të mëdha, sidomos me anëtarësimin në NATO, pas kësaj, ky vend kushtimisht e fiton edhe ekzistencën e rehatshme në aspektin e sigurisë, sepse shumica e vendeve fqinjë në të kaluarën kanë pasur pretendime territoriale, janë anëtare të NATO – së”, u shpreh eksperti Avziu.
Kurse eksperti i sigurisë Dimitar Nikollovski thotë se vlerësimi i Global Peace Index është real dhe i jep imazh të gjithë shoqërisë që të vazhdojë me këto veprime.
“Republika e Maqedonisë së Veriut ka pasur ngritje në renditjen e vendeve sa i përket sigurisë në vend sipas Global Peace Index. Për rejtingun e mirë të vendit ka disa arsye. Si e para, gjithsesi që anëtarësimi në NATO dhe integrimi i sistemit të sigurisë me NATO – në. Më tutje, këtu është edhe përputhja e plotë e politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë me Bashkimin Europian, përparimi i cili është notuar edhe në raportin e fundit të Komisionit Europian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2022. Përpos këtyre faktorëve të politikës së jashtme, do të shtoja që marrëdhëniet ndëretnike janë shumë të rëndësishme”, thotë Nikollovski.
Sipas tij, megjithëse kishte disa incidente sporadike, si p.sh. protesta kundër propozimit francez në qershor të vitit 2022, shoqëria ka ndryshuar në këtë aspekt, sidomos gjatë këtyre pesë viteve të fundit.
“Kjo mund të vërehet edhe tek bashkëpunimi i partive politike të etnive të ndryshme, por edhe në integrimin më të madh në shoqërinë civile. Duke pasur parasysh që vitin e fundit nuk ka pasur turbulenca të mëdha në lidhje me refugjatët, sigurinë e qytetarëve ose krimin, do të thosha që notimi i Global Peace Index është real dhe i jep imazh të gjithë shoqërisë që të vazhdojë me këto veprime”, u shpreh eksperti Nikolovski.
Përndryshe, Maqedonia e Veriut është njëri ndër vendet që i ka koordinuar politikat e jashtme dhe asaj të sigurisë me NATO-n në dhe BE – në, gjatë kësaj periudhe, që nga nisja e konfliktit Rusi – Ukrainë ishte ndër vendet në rajon që vendosi sanksione ndaj Federatës Ruse dhe ndihmoi shtetin e Ukrainës me ndihma financiare, humanitare dhe ushtarake.