E premte, 12 Korrik, 2024

PUNËSIMI DHE TRASHËGIIMIA E KEQE E NJË SISTEMI ARSIMOR

Së pari, bindeni veten të gjeni një punë dhe më pas lidhuni me mjedisin e punësimit. Pastaj, të flakni kompleksin e inferioritetit të të arsimuarit, të CV-së së pasur që nuk identifikoheni dot me të dhe hiqni dorë nga trashëgimia e sistemit të keq arsimor!

Shkruan: Dr Abdulah Ahmedi/Zvicër

Sot vëmë re në vendet evropiane që papunësia, pas Covid 19, ka filluar të bjerë, kështu që në vendet e BE-së, sipas Eurostat-it, ka rritje ekonomike, për pasojë një papunësi mesatare prej 6.6% në BE. Ndërsa në vendet kandidate për në BE, veçanërisht në vendet që dalin nga ish-Jugosllavia, papunësia vërtitet ndërmjet 9.5 dhe 16.02%, varësisht nga shteti.

Megjithatë, në këto vende evropiane (Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Serbi) shohim se sistemet arsimore janë në zhvillim të plotë, disa universitete që përfshijnë disa fakultete, do të thosha se janë shumë! Synimet e tyre janë të formojnë gjeneratat e reja për të gjetur punësim më lehtë në tregun e punës. Megjithatë, këta të rinj, të pajisur me diploma universitare dhe me një CV të pasur, kanë vështirësi për të gjetur një vend pune. Pra, lind pyetja se si të luftohet papunësia dhe të ndihmohen këta të rinj të gjejnë një punë?

Këto vende të dala nga ish-Jugosllavia kanë trashëguar një sistem arsimor i cili në këtë fazë vuan nga një kompleks i inferioritetit dhe prodhon diploma që  gati se nuk janë aspak në përputhje me tregun e punës. Përveç kësaj, kanë vështirësi të përshtatjen me kërkesat e tregut të punës. Ky sistem formon të rinj me një CV të pasur të cilët nuk shohin veten në të. Pa keqkuptim, nuk jam aspak kundër arsimit të lartë, por a na shqetëson ende pyetja? Besoj se dhe ju nuk do ta thonit ndryshe! Sot vazhdimisht pyesim se çfarë të bëjmë ose mbi çfarë baze duhet të fillojmë t’i ndihmojmë këta të rinj që kërkojnë punë.

Pa bërë paragjykime, të gjithë jemi dakord se jetojmë në një ekonomi moderne dhe të globalizuar. Kështu pra, nëse jemi dakord me këtë fakt, atëherë do t’ju sjell një histori me shpresë se do të barti një pikë ujë në oqeanin e perspektivës së punësimit. “Pra, na ishte një person në kërkim të një pune dhe iu drejtua burimeve njerëzore (BNJ) të një kompanie për një postë roje sepse nuk kishte arsim universitar, pra nuk kishte bërë studime. Kështu këtij, personi i kërkuan adresën e tij të e-mailit, sepse kjo është gjëja kryesore sot në botën moderne të biznesit për ta kontaktuar. Ky person i papunë u përgjigj se nuk e kishte adresën e e-mailit, por i kërkoi nga BNJ që t’i jepte kutinë e postës elektronike në mënyrë që t’ua niste dosjen e tij. Kur u largua nga BNJ-ja iu desh të blente një paketë cigare, por shpejt e kuptoi se nuk kishte njeri që shiste cigare në atë rrugicë! I lindi ideja e vendosjes së një tavoline për të shitur cigare! Kështu, duke qenë se biznesi po shkonte mirë, ai vendosi një barkë në të njëjtin vend, këtë herë për të shitur cigare, gazeta dhe karta telefoni, kështu që ai ndërtoi një strukturë të madhe biznesi dhe u bë menaxher. Një ditë prej ditëve kaloi një punëkërkues me “diplomë master në kontabilitet” që erdhi të kërkonte punë tek menaxheri dhe donte të dorëzonte dosjen e tij. Menaxheri u përgjigj se kishte një postë për të plotësuar dhe më pas punëkërkuesi i kërkoi adresën e e-mailit, menaxherit i tha se nuk kishte adresë, ndërsa  “mjeshtri në kontabilitetit” nuk hezitoi ta pyeste se si ishte e mundur të mos kishte adresë e-maili duke qenë pronar i këtij bisnesi të madh. U mundua ta bind se po ta kishte adresën e-maili do të ishte një operator kryesor i ekonomisë botërore. Përgjigja e menaxherit ishte e shkurtër: po të kisha adresën e e-mailit do të isha rojtar”!

Shpresoj ta keni kuptuar të gjithë sepse nuk jemi më pak inteligjent se menaxheri i kompanisë. Ajo që doja t’ju thoja me këtë histori është se së pari bindeni veten të gjeni një punë dhe më pas lidhuni me mjedisin e punësimit. Pastaj, të flakni kompleksin e inferioritetit të të arsimuarit, të CV-së së pasur që nuk identifikoheni dot me të dhe hiqni dorë nga trashëgimia e sistemit të keq arsimor të ish-Jugosllavisë! Në fund të fundit, ideja ishte të ndaja me ju se për të gjetur një punë duhet të shfrytëzoni të gjitha këto mundësi-oportunitete të vogla që ju rrethojnë në këtë ekonomi moderne dhe të globalizuar. Mos hezitoni ta provoni!

Të fundit