Mbretëresha Elizabeth II varroset sot në Londër përmes një ceremonie shtetërore, ngjarje që po vlerësohet si operacion i “paprecedent” i sigurisë në kryeqytetin britanik. Me ceremoni shtetërore Britania e Madhe i jep lamtumirën e fundit Mbretëreshës Elisabeth II. Sikurse transmeton kdpolitik.com, në ceremoninë e varrimit marrin pjesë shtetarë nga e gjithë bota.
Jeta në Britaninë e Madhe do të ndalet për disa orë sot, për të përcjellë në banesën e saj të fundit Mbretëreshën e ndjerë Elizabeth II.
Ceremonia e varrimit do të fillojë në orën 12 pasdite në Westminster Abbey në Londër, në praninë e 2.000 njerëzve e do të përfundojë në Kështjellën Windsor.
Përveç presidentit amerikan, Joe Biden, Mbretëria e Bashkuar tha se pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe liderë të tjerë nga mbarë bota.
E pranishme do të jetë edhe gruaja e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Olena.
Ftesën e ka pranuar edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili e ka quajtur Mbretëreshën Elizabeth II si “mbretëreshë të përjetshme”.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ai i Brazilit, Jair Bolsorano, po ashtu marrin pjesë.
Kina ka njoftuar se i pranishëm do të jetë zëvendëspresidenti, Wang Qishan.
Në mesin e 500 liderëve botërorë do të jenë edhe ata të Italisë, Gjermanisë, Izraelit, Koresë së Jugut, Irlandës dhe liderët e 56 shteteve të Komenuellthit si dhe shtetarë nga Ballkani.
Pritet që qindra mijëra njerëz ta nderojnë Mbretëreshën nëpër rrugët e Londrës nga do të lëvizë kortezhi me arkivolin e saj. Ceremonia e varrimit pritet të jetë një nga evenimentet më të mëdha televizive. Sipas llogaritjeve në të gjithë botën rreth katër miliardë vetë do ta ndjekin ceremoninë e varrimit. Në Britaninë e Madhe ceremonia mund të shihet në televizor, por edhe në monitorë të mëdhenj në sheshe publike.
Në prag të varrimit, Mbreti Charles III tha se ishte “tejet i prekur” nga mbështetja e publikut për familjen e tij dhe atë.
Jeta në Britaninë e Madhe do të ndalet për disa orë sot, ndërsa kombi mban zi për Mbretëreshën e ndjerë Elizabeth II.
Në Britani janë mbyllur shkollat, si dhe shumë dyqane dhe biznese, pasi e hëna është shpallur ditë jopune. Pas shërbimit të kishtar, arkivoli me trupin e Mbretëreshës do të dërgohet në Windsor në një ceremoni private në faltoren e Shën Xhorxhit, pranë burrit të saj të ndjerë, Princit Philip.
Mbretëresha Elizabeth II vdiq në moshën 96-vjeçare pas sundimit 70 vjeçar.
Kurora britanike i kaloi djalit të Elizabeth II, Princit Charles. Ai u shpall mbret, me titullin zyrtar Karli i Tretë./KDP&Agjencitë/