E diel, 27 Prill, 2025

RAMIZ KELMENDI, KLASIKU MODERN I LETRAVE SHQIPE

Ramiz Jakup Kelmendi u lind në vitin 1930 në Pejë, ku mbaroi shkollën fillore dhe gjysmëmaturën. Në kohën kur duhej të regjistrohej në shkollën e mesme, ai u burgos për motive politike. Ishte në grupin e patriotëve pejanë, që në vitin 1945 propagandonin idenë e Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Dënohet në të njëjtin proces gjyqësor të montuar, bashkë me Marije Shllakun dhe grupin e patriotëve, në Prizren (qershor-korrik 1946), por meqenëse ishte i mitur (16-vjeç), i mbajtjen vetëm 30 ditë burg. Pas shumë vështirësish, iu mundësua të regjistrohej në shkollën e mesme bujqësore në Prishtinë, në serbisht. Kur përfundoi shkollën, u pranua gazetar në të përjavshmen e atëhershme “Rilindja”. Më 1950 regjistrohet ne Fakultetin Filozofik në Beograd, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Studimet në fillim ia financoi babai i tij, sepse si një “element me njollë biografike”, nuk i jepet bursa për studime. Diplomohet në vitin 1955 me temën “Proza e Migjenit”. Sapo mbaroi studimet rikthehet në gazetën “Rilindja”, atëherë e përditshme, ku për 12 vjet punoi redaktor, reporter i lirë, kolumnist. Kolumnet e Kelmendit, ishin nga më të lexuarat e kësaj gazete.
Në vitin 1967, emërohet kryeredaktor i Redaksisë së Botimeve në ndërmarrjen botuese “Rilindja”. Për katër vjet, ishte Drejtor i Teatrit Popullor Krahinor. Në vitin 1969, zgjidhet profesor i letërsisë shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Ligjëronte lëndën “Historia e letërsisë shqiptare nga Rilindja e deri sot”.
Botoi 12 vëllime me tregime, 8 romane, dhjetëra udhëpërshkrime, 3 radiodrama, 3 drama televizive, 39 tekste satirike, një skenar filmi, 4 tekste shkollore, monografinë “Shqipëria e Marije Shllakut”, dhe me mijëra shkrime publicistike te natyrave të ndryshme.
Kelmendi njihej edhe si një nga përkthyesit më produktiv të Shtëpisë Botuese “Rilindja”. Gjatë viteve ’70 – ’80 ka përkthyer nga serbishtja kryeveprat e autorëve si Orwell, Markez, Kafka, Kundera, Grass, Castaneda, Sabato, Kërlezha, Kish etj. Ai ishte një nga themeluesit e Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, dhe njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtar i së cilës nuk u bë kurrë.
Ishte shkurti i vitit 1990 kur ai dhe Anton Çetta ishin të parët që përkrahën iniciativën e rinisë progresive kosovare për t’i pajtuar gjaqet në Kosovë. Kështu, Anton Çetta dhe Ramiz Kelmendi hynë në familjen Buqolli në Raushiq të Deçanit, për te kërkuar faljen e gjakut dhe bënë histori. Ramiz Kelmendi në javën tjetër fton edhe miqtë e tij Mark Krasniqin, Bajram Kelmendin dhe Azem Shkrelin për t’ju bashkuar dhe kështu fillon një lëvizje historike mbarëpopullore për pajtimin e gjaqeve, që përfundon me një manifestim madhështor në Verat e Llukës. Ramiz Kelmendi ishte edhe njëri nga ideatorët dhe nënshkruesit e parë në dokumentin e njohur “Apeli i 215 intelektualëve” dhe anëtar i Kryesisë së Forumit Mbarëkombëtar të Intelektualëve.
Kur doli në pension, Kelmendi nuk pushoi kurrë së punuari. Më 1996, Kelmendi vendosë të hapë, Fakultetin e parë privat të Gazetarisë në hapësirat shqiptare, “Faik Konica”, i cili funksionoi deri më 2007. Me hapjen e këtij fakulteti, Kelmendi u bë nismëtari i arsimimit privat shqiptar. Ramiz Kelmendi vdiq në vitin 2017./ Hejza

Të fundit