Në takimin e parë me trupin punues të Këshillit të BE-së, përgjegjës për vendet që negociojnë, zëvendëskryeministri dhe negociuesi kryesor Bojan Mariçiq, ka vlerësuar se para fillimit të nesërm të procesit të skriningut në Bruksel, vërtetohet perspektiva e BE-së për Maqedoninë e Veriut. “Brenda këtij viti është pjesa më e rëndësishme e procesit negociues. Nëse ne arrijmë që me sukses t`ia definojmë Bashkimit Evropian një komunikim të mirë dhe të dhëna që do arrijmë të japim dhe marrim-itinerare që janë adekuate, shumë më lehtë do të zhvillohet më tutje procesi i hapjes dhe mbylljes së kapitujve me Bashkimin Evropian,” ka theksuar shefi i diplomacisë, Bujar Osmani.
Shkruan: Enis Shaqiri
Ekipi negociues i Maqedonisë së Veriut, në takimin e parë me trupin punues të Këshillit të BE-së, përgjegjës për zgjerimin dhe për vendet negociuese (KOVEB/KOELA) pritet që nesër të njoftohen nga afër me legjislaturën e Bashkimit Evropian, në prag të fillimit të procesit të skriningut.
Mësohet se skriningu do të fillojë me klasterin e parë, dhe më të rëndësishmin. Nesër takimi është i fokusuar në kapitullin për furnizime publike. Pasnesër, ekipet nisen drejt Luksemburgut, ku po mbahet takimi për kapitullin 18 – Statistika. Që të dy kapitujt janë pjesë e klasterit të parë të famshëm, i njohur si “Themelet”. Kapitujt e tjerë në këtë klaster janë Drejtësia, Gjyqësia dhe Kontrolli financiar.
Ndërkaq, Kryeministri Dimitar Kovaçevski, Zv/Kryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq dhe shefi i diplomacisë Bujar Osmani, sot e kanë pasur takimin e parë me trupin punues të BE-së (COELA).
COELA me emërtim të shkurtër është organ i Këshillit të BE-së i përbërë nga diplomatë të të gjitha shteteve anëtare të BE-së, i cili është përgjegjës për procesin e zgjerimit dhe marrëdhëniet me vendet kandidate që po negociojnë anëtarësimin e tyre në BE, njoftojnë nga Delegacioni i BE-së në Shkup
Zv/Kryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq, para anëtarëve të trupit punues të Këshillit të BE-së (COELA) theksoi se Qeveria vazhdon ende të angazhohet për procesin negociues transparent në të cilin do ta përfshijë edhe shoqërinë civile, por edhe bashkësinë akademike dhe atë të biznesit.
“Absolutisht është e rëndësishme të kemi konsensus kombëtar për procesin aderues dhe opozita të luajë rol konstruktiv në plotësimin e qëllimit tonë strategjik për anëtarësim me të drejta të plota,” tha Mariçiq, duke shtuar se “procesi i zgjerimit po ecën përpara, hapja e negociatave të pranimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të perceptohet si një sinjal pozitiv dhe nxitje për të gjithë ne që të angazhohemi maksimalisht dhe të kryejmë sa më shpejt reformat”
Për më tepër Mariçiq në takimin e sotëm informoi edhe për dinamikën e zbatimit të reformave të parapara dhe përkushtimit të tyre veçanërisht në sferat kyçe të sundimit të drejtësisë, reformës në administratën publike dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Qëllimi ynë strategjik mbetet anëtarësimi në BE, me përkushtim të plotë të reformave të cilat i zbatojmë në atë rrugë për transformimin e shoqërisë në përputhje me standardet e demokracive të zhvilluara të BE-së për standard më të mirë jetësor për qytetarët tanë, që në fakt është qëllimi i këtij procesi dhe anëtarësimit në BE”, tha zëvendëskryeministri Mariçiq në brifing.
Ndërkaq, kjo është vizita e parë e punës së trupit punues të Këshillit të BE-së “COELA-s” në vend, e cila vjen si rezultat i hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.
Kujtojmë se nesër, 15 shtator edhe zyrtarisht fillon procesi i azhurimit të skriningut RMV-BE.
Shefi i Diplomacisë, Bujar Osmani gjatë një interviste theksoi se pjesa më e rëndësishme e negociatave dhe skriningut do të jetë brenda këtij viti.
“Brenda këtij viti është pjesa më e rëndësishme e procesit negociues. Nëse ne arrijmë që me sukses t`ia definojmë Bashkimit Evropian një komunikim të mirë dhe të dhëna që do arrijmë të japim dhe marrim-itinerare që janë adekuate, shumë më lehtë do të zhvillohet më tutje procesi i hapjes dhe mbylljes së kapitujve me Bashkimin Evropian,” tha Osmani.