Të mërkurën në gjashtëmujorin e fillimit të pushtimit rus të Ukrainës dhe në Ditën e Pavarësisë së këtij vendim, forcat ruse kanë kryer një sulm raketor në një stacion treni duke vrarë 22 persona. Njoftimi është bërë nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Ai kishte paralajmëruar se Moska mund të bënte “diçka veçanërisht mizore” këtë javë, – transmeton KDP njoftimet e agjencive të lajmeve.
Sulmi vdekjeprurës ndodhi në Chaplyne, një qytet me rreth 3,500 banorë në rajonin qendror të Dnipropetrovsk, tha zoti Zelenskyy në Këshillin e Sigurimit të OKB-së përmes videos.
Zyra e Presidentit njoftoi gjithashtu se një fëmijë 11-vjeçar u vra nga raketa më herët.
“Chaplyne është dhimbja jonë sot,” tha Zelenskyy në fjalimin e tij të mbrëmjes drejtuar kombit.
Gjithashtu, bëhet e ditur se dy raketa ruse goditën komunitetet pranë kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, mbrëmjen e të mërkurës, sipas Oleksiy Kuleba, kreut të administratës shtetërore rajonale të Kievit.
“Natën, armiku nisi një sulm me raketa në një nga komunitetet e rrethit Vyshhorod. Dy goditje u regjistruan,” tha Kuleba. Nuk u raportua për të lënduar apo shkatërrim të infrastrukturës, shtoi ai.
Ukraina ishte përgatitur për sulme veçanërisht të rënda rreth ditës së festës kombëtare që përkujton shpalljen e pavarësisë së Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991. E mërkura shënoi gjithashtu gjashtë muaj nga fillimi i luftës.
Disa ditë përpara Ditës së Pavarësisë, autoritetet e Kievit ndaluan tubimet e mëdha në kryeqytet deri të enjten nga frika e sulmeve me raketa.
Banorët e Kievit u zgjuan të mërkurën nga sirenat e alarmit, por nuk pati sulme të menjëhershme. Me kalimin e ditës, bombardimet ruse u raportuan në lindje, perëndim dhe qendër të vendit. Duket se goditja e stacionit të trenit ishte sulmi më serioz.
Kryeministri britanik në largim Boris Johnson e shënoi ditën me një vizitë në Kiev – e treta e tij që nga shpërthimi i luftës – dhe udhëheqës të tjerë evropianë shfrytëzuan rastin të premtonin mbështetje të palëkundur për Ukrainën.
Presidenti Joe Biden, bën të ditur Zëri i Amerikës, njoftoi të mërkurën një ndihmë të re ushtarake për Ukrainën në vlerën e 2.98 miliardë dollarëve. Biden tha se falë kësaj ndihme Ukraina do të mund të blejë sisteme të mbrojtjes ajrore, artileri, municione, dronë dhe pajisje të tjera ushtarake, që do të garantojnë mbrojtjen afatgjatë të këtij shteti.