E mërkurë, 24 Korrik, 2024

PARLAMENTI SPANJOLL MIRATON PLANIN E KURSIMIT TË ENERGJISË

Parlamenti i Spanjës miratoi të enjten rregullat për kursimin e energjisë, të cilat përfshijnë kufizime në përdorimin e ajrit të kondicionuar, si pjesë e një përpjekjeje të gjerë të BE-së për të reduktuar varësinë nga gazi rus.

Ligjvënësit votuan pro dekretit, i cili hyri në fuqi më 10 gusht, por kishte nevojë për dritën e gjelbë të parlamentit për të mbetur në fuqi.

Qeverisë së koalicionit të pakicës së kryeministrit socialist, Pedro Sanchez, i mungon shumica në parlament, por ajo arriti të miratojë rregullat me mbështetjen e partive më të vogla rajonale.

Sipas dekretit të qeverisë, ajri i kondicionuar duhet të reduktohet dhe të vendoset në jo më të ulët se 27 gradë Celsius gjatë muajve më të ngrohtë të vitit, në rregulla që prekin gjithçka, nga transporti publik deri te dyqanet, zyrat, teatrot dhe kinematë.

Rregullat e reja nuk zbatohen për ajrin e kondicionuar në shtëpi, megjithëse qytetarët inkurajohen të kursejnë energji.

Gjatë muajve të verës, temperaturat në të gjithë Spanjën shpesh arrijnë 40 gradë Celcius ose më shumë.

Legjislacioni prek edhe ngrohjen në dimër, kur temperaturat nuk janë më shumë se 19 gradë Celsius.

Dekreti kërkon gjithashtu që nga ora 22:00 dyqanet të fikin ndriçimin, që ndikon gjithashtu në ndriçimin e ndërtesave publike.

Deri në fund të shtatorit, çdo ambient me ajër të kondicionuar ose me ngrohje duhet të ketë të instaluar një mekanizëm automatik të mbylljes së dyerve për të shmangur humbjen e energjisë.

Partia kryesore konservatore e opozitës, Partia Popullore (PP) votoi kundër masave, duke i quajtur shumë prej tyre “të improvizuara” dhe të dëmshme për ekonominë.

Ndër më kritiket ka qenë liderja rajonale e Madridit, Isabel Diaz Ayuso, një yll në rritje i së djathtës politike, që është zotuar të kundërshtojë masat në Gjykatën Kushtetuese të Spanjës.

Të fundit