E mërkurë, 24 Korrik, 2024

PARALAJMËRIMI PËR ‘DENAZIFIKIMIN E BALLKANIT’ PËRMES TWITTER-IT

Deklarata e Vladimir Gjukanoviqit, deputet i Partisë Progresive Serbe në pushtet (partia e presidentit Aleksandar Vuçiq), se Serbia “do të detyrohet të nisë denazifikimin e Ballkanit”, nuk është e rastësishme dhe nuk duhet të tejkalohet pa vërejtje të mëdha nga komuniteti ndërkombëtar, ka thënë Enver Dugolli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës.

Vladimir Gjukanoviq, më 31 korrik, shkroi në Twitter:

“Gjithnjë e më shumë më duket që Serbia do të detyrohet që të nisë denazifikimin e Ballkanit. Do të doja të isha gabim”.

Gjukanoviq përdori terminologjinë që Rusia zyrtare e promovoi publikisht si arsye për agresion ushtarak kundër Ukrainës. Mijëra të vdekur, disa milionë refugjatë ukrainas, si dhe shkatërrimin e infrastrukturës, Rusia zyrtare e justifikon me zbatimin e “denazifikimit dhe çmilitarizimit” të Ukrainës.

Më tej ai dha shpjegime se denazifikimi është procesi i zhdukjes së nazizmit si ideologji nga shoqëria.

“Serbët, si viktimat më të mëdha të nazizmit, ndryshe nga fqinjët tanë që i pritën nazistët si çlirimtarë, kanë kapacitet për të ndihmuar këdo që dëshiron denazifikimin. Mendoj se është diçka që është normale”, ka shkruar Gjukanoviq në Twitter.

Sipas Dugollit, deklaratat e tilla “duhet të dënohen shpejt dhe fuqishëm për shkak se përfaqësojnë zanafillën e mendësisë që shkaktoi invazionin dhe agresionin e paprovokuar rus në Ukrainë”.

“Kemi thënë shumë herë dhe në vazhdimësi se lidhjet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë janë të shumta dhe të thella. Dhe, rreziku i shpërndarjes së konfliktit nga Ukraina në pjesë të tjera të Evropës, përfshirë Ballkanin Perëndimor, mund të vijë pikërisht për shkak të këtyre lidhjeve”, thotë Dugolli.

Sipas tij, ka disa prova se Serbia paraqet rrezik për stabilitetin dhe paqen në rajon:

“Së pari, refuzimi për të dënuar agresionin rus dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe tash përdorimi i gjuhës së njëjtë kërcënuese sikurse ajo që i parapriu luftës në Ukrainë”.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe Qeverisë së Kosovës që të komentojë deklaratën e deputetit serb, Gjykanoviq, por nuk ka marrë përgjigje.

Mali i Zi: Politika që i vënë zjarrin Ballkanit

Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi vlerëson se deklarata e deputetit serb, Gjukanoviq, është pjesë e politikës së pengimit të Ballkanit në rrugën drejt integrimeve evropiane.

“Politikat e zjarrvënësit që i vë flakën Ballkanit për ta ndalur atë në rrugën e integrimit evropian. Më pas, duke u shtirur si Ballkani i Hapur, zjarrvënësi aktron shuarjen e zjarrit”, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi.

Ballkani i Hapur është një nismë rajonale, anëtare të së cilës janë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkaq, Mali i Zi dhe Kosova refuzojnë të bëhen pjesë e kësaj nisme.

“Fatkeqësisht, një luftë të re të Serbisë me NATO-n, kësaj radhe në Mal të Zi, do ta paguanin sërish qytetarët e Serbisë dhe jo ministrat për informim dhe zëdhënësit e tyre nga lufta e kaluar me aleancën e NATO-s”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi.

Institucionet e Serbisë dhe BeH-së pa komente

Për të komentuar deklaratën e Vladimir Gjukanoviqit, Radio Evropa e Lirë i është drejtuar kabinetit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërkaq, ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodomir Tolkach, duke komentuar deklaratën e Gjukanoviqit, tha se për të, denazifikimi do të thotë gjenocid.

Për mua, denazifikimi është një lloj gjenocidi ndaj popullit ukrainas dhe nëse dikush dëshiron ta organizojë këtë gjenocid këtu në vendet e Ballkanit, nuk kam asnjë koment
Volodomir Tolkach

“Për mua, denazifikimi është një lloj gjenocidi ndaj popullit ukrainas dhe nëse dikush dëshiron ta organizojë këtë gjenocid këtu në vendet e Ballkanit, nuk kam asnjë koment”, tha Tolkach për Radion Evropa e Lirë.

Por, përgjigje për REL-in nuk kanë dhënë anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës dhe as Ministria e Jashtme e këtij vendi.

Edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, refuzoi të komentojë deklaratën e Gjukanoviqit.

“Nuk është kompetencë e jona që t’i komentojmë publikimet e rastit në Twitter të deputetëve individualisht, veçanërisht nëse ata kërkojnë falje më pas”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, për Radion Evropa e Lirë.

Deputeti i SNS-së, Vladimir Gjukanoviq, më pas, në një deklaratë për televizionin Pink në Beograd, ka kërkuar falje për postimin e publikuar në Twitter dhe ka vlerësuar se me këtë postim i ka shkaktuar dëm presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“E kam për borxh që t’i kërkoj falje gjithë publikut. Kam qenë person tmerrësisht i papërgjegjshëm. Shkrova shaka në Twitter, e cila nxiti një ortek, ndërkaq i krijova problem të madh Vuçiqit dhe vendit tim. E pranoj përgjegjësinë”, tha Vladimir Gjukanoviq.

Paralelja V. Gjukanoviq – Joanikije

Përveç kësaj, Ministria e Malit të Zi njoftoi se deklarata e Vladimir Gjukanoviqit bazohet në të njëjtin sfond të deklaratës së Mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joaniki Miçoviq se “Mali i Zi është krijuar të jetë një Ukrainë e vogël”.

Mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, përdori termin “Ukraina e vogël” më 13 mars të këtij viti, duke krahasuar ndarjet politike në Ukrainë me ato në Mal të Zi.

Asokohe, deklarata e tij se “ngjarjet në Ukrainë janë rezultat i pabesimit që kishte zënë rrënjë” dhe se Mali i Zi ishte krijuar për të qenë një “Ukrainë e vogël”, u publikua në faqen e internetit të Mitropolisë së Malit të Zi.

Balsha Bozhoviq: Porosi e sinqertë për qëllimet e regjimit në pushtet në Serbi

Kryetari i Bordit ekzekutiv të Akademisë për zhvillimin e demokracisë në Serbi, Balsha Bozhoviq, beson se deklarata e Vladimir Gjukanoviqit është një mesazh i sinqertë i regjimit në pushtet në Serbi për synimet e tij ndaj rajonit.

Duke konstatuar se i gjithë rajoni po përballet me tensione ndëretnike dhe kombëtare, Bozhoviq beson se bëhet fjalë për narracionin e regjimit të Vuçiqit.

Kryetari i Bordit ekzekutiv të Akademisë për zhvillimin e demokracisë në Serbi, Balsha Bozhoviq.
Kryetari i Bordit ekzekutiv të Akademisë për zhvillimin e demokracisë në Serbi, Balsha Bozhoviq.

“Atë që nuk e thotë Vuçiqi dhe që të tjerët e bëjnë në vend të tij, sikurse Vladimir Gjukanoviq ose mitropoliti Joanikije, tregon se është një operacion i menduar mirë, i rrezikshëm dhe tinëzar. Ata kanë nevojë për një konflikt, për të përmbushur ambicien e Vuçiqit, për të qenë president i të gjithë serbëve në rajon, qoftë edhe në mënyrë të dhunshme”, u shpreh Bozhoviq.

Ai tha për Radion Evropa e Lirë se nevoja për të ashtuquajturin denazifikim, është dëgjuar disa herë nga Beogradi dhe institucionet e tjera

“Ata e ëndërrojnë këtë për një kohë të gjatë, përmes deklaratave të institucioneve të regjimit në Serbi, por edhe përmes deklaratave të kreut të Metropolisë në Mal të Zi, Joanikije që përfaqëson mitropolinë e SNS-së të Aleksandër Vuçiqit, përmes deklaratave sikurse ‘Ukraina e vogël në Mal të Zi’. Këto janë të gjitha qëllime të regjimit në Beograd”.

Duke iu përgjigjur pyetjes se sa i rrezikshëm është narracioni për denazifikimin e Ballkanit dhe cilat janë pasojat e mundshme, Bozhoviq vlerësoi se një gjë e tillë duhet të shihet seriozisht:

Pas gjithë asaj që kanë bërë në vitet ‘90 dhe nuk janë përgjigjur penalisht, mendoj se këto deklarata janë paralajmëruese dhe shumë të rrezikshme”.
Balsha Bozhoviq

“Pas gjithë asaj që kanë bërë në vitet ‘90 dhe nuk janë përgjigjur penalisht, mendoj se këto deklarata janë paralajmëruese dhe shumë të rrezikshme”.

Ai konsideroi se po bëhen përpjekje serioze që konfliktet të barten jashtë kufijve të Serbisë.

“Kjo është në interes edhe të Moskës zyrtare, e cila i mbështet përzemërsisht të gjitha këto. A do të ndodhë kjo në Bosnje e Hercegovinë, në Mal të Zi apo në Kosovë, kjo është çështje e taktikës së tyre”, theksoi Bozhoviq.

Kush është Vladimir Gjukanoviq?

Në vitin 2016, deputetit të SNS-së në pushtet në Serbi, Vladimir Gjukanoviq, Ukraina ia ndaloi hyrjen në territorin e saj, me sqarimin se ai kërcënon sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës.

Ai asokohe pranoi ftesën e një organizate joqeveritare që të monitoronte zgjedhjet në Donjeck, rajon i Ukrainës i kontrolluar nga separatistët pro-rusë, si pjesë e një grupi vëzhgues ndërkombëtar.

Serbia, edhe pse kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, po refuzon të harmonizojë politikën e saj me atë evropiane dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Vladimir Gjukanoviq është avokat dhe përfaqëson ish-sekretaren shtetërore të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Dijana Hërkaloviq, në procesin gjyqësor kundër saj për shkak të ndikimit të paligjshëm.

Në skenën politike ai është që nga viti 1997./REL

Të fundit