E shtunë, 24 Maj, 2025

PËRPLASJA MES ASH-SË DHE VMRO-DPMNE-SË, NDËRPRERJA E BASHKËPUNIMIT VENDIM I DUHUR

Pas shkarkimit të drejtorit të Ndërmarrjes Publike “ Higjiena Komnale” në qytetin e Shkupit, ASH i dha fund bashkëpunimit me VMRO-DPMNE-në. Njohësit e rrethanave politike në vend,  veprimin e Aleancës për Shqiptarët e cilësuan si të duhur dhe me vend. Publicisti Daut Dauti thotë që çdo veprim tjetër pos prishjes së marrëveshjes me VMRO-në pas një akti voluntarist dhe aspak të arsyeshëm nga ana e Daniella Arsovska do ishte një gëlltitje e poshtërimit nga ana e ASH-së. Ndërsa, analisti politik Faton Aliti thotë se palët e kanë vlerësuar se vazhdimi ishte i dëmshëm dhe i shfrytëzuan këto ndodhi. “Kuptohet se kjo situatë nuk përjashton ndonjë bashkëpunim eventual në të ardhmen”, thotë ai. 

Shkruan: Gentuar Ismaili

Shkarkimi i drejtorit të Ndërmarrjes publike “Higjiena Komunale” Zudi Kokës nga ana e kryetares së Qyteti të Shkupit Daniella Arsovska, bëri që bashkëpunimi në nivel lokal mes dy partive opozitare të pësoj tronditje.  Nga ASH njoftuan që kanë shkëputur çdo lloj bashkëpunimi me partinë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, pasi siç thanë ata kanë prishur marrëveshjen me ta. Por edhe VMRO në anën tjetër pati thënë që kryetari i ASH-së Ziadin Sela është mbështesë i “asimilimit dhe bullgarizimit të maqedonaseve”. Mirëpo, mosmarrëveshja mes tyre mbeti me kaq dhe nuk pati asnjë reagim të mëtejshëm se çfarë do të ndodhte me institucionet tjera që udhëheqin bashkërisht.

Njohësit e rrethanave politike në vend,  veprimin e Aleancës për Shqiptarët e cilësuan si të duhur dhe me vend.

Publicisti Daut Dauti thotë që çdo veprim tjetër pos prishjes së marrëveshjes me VMRO-në pas një akti voluntarist dhe aspak të arsyeshëm nga ana e Daniella Arsovska do ishte një gëlltitje e poshtërimit nga ana e ASH-së, ndërsa shton se edhe në drejtësi, por edhe në politikë përgjegjësinë e ka kryerësi e jo të afërmit e tij.

“Çdo veprim tjetër pos prishjes së marrëdhënieve me VMRO-në pas një akti voluntarist dhe aspak të arsyeshëm nga ana  Danella Arsovkës, do të ishte gëlltitje e poshtërimit nga ana e Aleancës për Shqiptarët. Edhe në drejtësi, po edhe në politikë, përgjegjësinë e ka kryerësi  i veprës, e jo të afërmit e tij. Nuk e di se a do të bashkëpunojnë më, këtë më së miri t’i pyesni udhëheqësit e ASH-së, por ajo që u tregua si politikë e dështuar, ishte pikërisht bashkëpunimi i këtyre dy partive në zgjedhjet e fundit lokale. Pa dashur të gjej shkakun apo fajtorin për mungesën e rezultatit të dëshiruar nga ana e ASH-së dhe Alternativës që bënë koalicion në disa komuna me VMRO-në, rezultati u pa në përgjysmimin e votuesve”, thekson Dauti.

Ai thotë se hyrja në listën e VMRO-së, vërtet mund të sigurojë ndonjë mandat më shumë, por kjo ka çmimin e vet, që kur është në pyetje VMRO-ja, e cila sa largohet pak nga imazhi që ka krijuar në të kaluarën, zhvillohen sërish ngjarje, ku ajo del në plan të parë dhe orientohet në anën tjetër të synimeve të partive shqiptare.

Kurse analisti politik Faton Aliti shprehet se shkëputja e bashkëpunimit ishte për shkak të shkarkimit të drejtorit Zudi Koka dhe jo për shkak të incidentit tek sheshi “Skërderbeu”. Sipas tij,  se a do ketë sërish bashkëpunim mes dy partive mbetet të shihet se si do të reflektohet kjo në zgjedhjet në këshillin komunal të Tetovës.

“Shkëputja ishte për shkak të shkarkimit të drejtorit Zudi Koka e jo për shkak të incidentit.  Por sidoqoftë, unë mendoj se palët e kanë vlerësuar se vazhdimi ishte i dëmshëm dhe i shfrytëzuan këto ndodhi. Kuptohet se kjo situatë nuk përjashton ndonjë bashkëpunim eventual në të ardhmen. Më afër kemi zgjedhjet për këshillin komunal në Tetovë dhe do ta shohim nëse vërtetë ka çarje reale mes palëve”, theksoi Alili.

Ndërkohë që kemi kërkuar të marrim një qëndrim nga ASH-ja se si qëndron e vërteta dhe a i është dhënë fund përfundimisht bashkëpunimit me VMRO-DPMNE,  nuk kemi pasur një përgjigje.

Të fundit