E diel, 27 Prill, 2025

NDËRGJEGJËSIMI PËR MJEDISIN NEVOJË EMERGJENTE

Për dallim nga Maqedonia e Veriut, Gjermania konsiderohet si një ndër liderët botërorë në teknologjinë e pastër dhe sipas Kornizës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, numri i patentave gjermane të teknologjisë së pastër është trefishuar që nga vitit 2013.  Gjermania aktualisht po përqafon politikën e saj më të fundit e cila njihet si “kthesa energjetike”, ndërsa nga ana tjetër po përpiqet të pozicionohet si një ofrues i ardhshëm i teknologjisë së energjisë së rinovueshme për pjesën tjetër të botës. Në Maqedoninë e Veriut mungon ndërgjegjësimi i qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit.

Shkruan: Puhiza Osmani

Jeta dhe ekosistemi në tokë varet nga kujdesi që kemi ne për mjedisin, cilësia e të cilit vazhdimisht po degradohet nga aktivitetet e përditshme të njeriut. Sot bota po përballet me probleme të shumta mjedisore, për të cilat janë përgjegjëse qeveritë, organizatat e mëdha, por gjithashtu edhe njerëzit e zakonshëm. Për dallim nga vendi jonë ku vërehet një vetëdije e ulët për mjedisin, në shumë vende të tjera të botës qeveritë, ambientalistët dhe organizatat, po përpiqen të frenojnë problemet mjedisore nëpërmjet aktiviteteve të tyre për ndërgjegjësimin e njerëzve për çështjet mjedisore.

Në Maqedoni e Veriut mungon ndërgjegjësimi i qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit. Ne duhet të kuptojmë se si qytetar po kontribuojmë vazhdimisht në ngrohjen globale, në ndotjen dhe ndryshimet klimatike. Shumë qytetar nuk janë të vetëdijshëm për veprimet që janë drejtpërdrejt ose indirekt përgjegjës për ngrohjen globale, ata nuk e kuptojnë plotësisht gravitetin e ndërlikimeve dhe nuk duan të ndihen përgjegjës.

Për dallim nga Maqedonia e Veriut, Gjermania konsiderohet si një ndër liderët botërorë në teknologjinë e pastër dhe sipas Kornizës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, numri i patentave gjermane të teknologjisë së pastër është trefishuar që nga vitit 2013.

Gjermania aktualisht po përqafon politikën e saj më të fundit e cila njihet si “kthesa energjetike”, ndërsa nga ana tjetër po përpiqet të pozicionohet si një ofrues i ardhshëm i teknologjisë së energjisë së rinovueshme për pjesën tjetër të botës. Energjia diellore përbën një pjesë të madhe të shtytjes së burimeve të rinovueshme të Gjermanisë. Teknologjia e novatorëve gjermanë po gjeneron nxehtësinë, e cila ose mund të ruhet ose përdoret për të krijuar energji elektrike. Pra shihet qartë se Gjermania është në gjendje të sigurojë 100 përqind të nevojave ditore të vendit vetëm përmes energjisë së pastër.

Përveç veprimeve të organizuara nga qeveria gjermane dhe organizatat, njerëzit e këtij vendi jenë vazhdimisht aktivë në shpëtimin e planetit.

Këtu njerëzit priren të kenë një nivel të lartë të vetëdijes mbi ambientin, duke u angazhuar edhe në zgjidhjen e problemeve më të vogla, siç është hedhja e mbeturinave shtëpiake. Çdo qytetar gjerman i ndan mbeturinat e biodegradueshme dhe jo të biodegradueshme nga origjina, aktivitet që ndihmon në zvogëlimin e tendosjes së riciklimit, e cila kërkon thellësisht kohë, para dhe energji. Sipas këtyre qytetarëve, sa më shumë të ndërgjegjësohemi për mjedisin dhe të kuptojnë se sa e rëndësishme është mbrojtja e tij, aq më e qëndrueshme dhe më e shëndetshme bëhet bota.

Në qytezën e Göhrenit qytetarët shprehen, se janë shumë të ndjeshëm ndaj çështjeve mjedisore, “jemi shumë mirë të informuar dhe në përgjithësi kemi qëndrime jashtëzakonisht pozitive ndaj mjedisit. Ky ndërgjegjësim është rritur vitet e fundit, si dhe vullnetit për të ndërmarrë veprime, në lidhje me mbrojtjen e ambientit. Kjo rritje e vetëdijes ka ardhur si rrjedhojë e asaj që mjedisi është kthyer në një problem afatgjatë dhe sepse prek të gjitha shtresat e shoqërisë tonë. Është një zhvillim mahnitës, që ka dhënë një shtysë të vërtetë për ndërgjegjësimin mjedisor në përgjithësi”.

Ata mendojnë se në stimujt dhe fushatat e saj, qeveria gjermane duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje anës sociale dhe kulturore të mbrojtjes së mjedisit. “Shoqëria nuk është në dijeni të pasojave të sjelljes individuale. Njerëzit nuk bëjnë gjë tjetër veçse ndërmarrin veprime simbolike që ndonjëher kanë një ndikim të dobët, si p.sh. ndarja e mbeturinave, blerja dhe përdorimi i llambave të kursimit të energjisë ose shkuarja në një turne me biçikletë. Ne duhet të mendojmë së bashku për lidhjen midis hapave të mëdhenj dhe të vegjël, gjë që sigurisht na nevojitet”.

Është e rëndësishme të përmendet se ndryshimet klimatike janë një problem aq i madh, sa që edhe puna ndërmjet qeverive dhe organizatave të mëdha nuk mjafton për të gjetur një zgjidhje, prandaj nevojiten edhe përpjekjet e koordinuara nga ana e qytetarëve.

Të fundit