E enjte, 23 Maj, 2024

UDHËTIMI I PUTINIT NË IRAN “TREGON SA ËSHTË IZOLUAR RUSIA”

Udhëtimi i presidentit rus, Vladimir Putin në Iran tregon sa e izoluar është bërë Rusia, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, ka thënë John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtetet e Bashkuara.

Putin ka zhvilluar bisedime me liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, duke realizuar vizitën e tij të parë jashtë ish-Bashkimit Sovjetik prej pushtimit rus në Ukrainë, të nisur më 24 shkurt.

Në samitin e mbajtur në Teheran ka marrë pjesë edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Qëllimi zyrtar i samitit ka qenë situata në Siri, ndonëse edhe lufta në Ukrainë ka qenë temë diskutimi.

Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, ka bërë thirrje për zgjidhje diplomatike të luftës civile në Siri.

Putin, në anën tjetër, ka bërë thirrje për më shumë unitet në politikat rreth Sirisë dhe e ka akuzuar Perëndimin për ndërhyrje.

Perëndimi ka synim “të gdhendë vendin”, ka thënë Putin në disa deklarime televizive ne Teheran.

Kjo gjë sipas tij duhet të kundërshtohet nga Rusia, Turqia dhe Irani, pasi, sipas Putinit, këto shtete kanë rol kyç në krijimin e të ardhmes së Sirisë.

Të tria shtete kanë zhvilluar bisedime për Sirinë edhe të kaluarën.

Rusia dhe Irani kanë mbështetur qeverinë e presidentit Bashar al-Assad në luftën civile të Sirisë, derisa Turqia ka mbajtur lidhje me forcat opozitare në këtë shtet.

Siria është shkatërruar nga një konflikt që ka shpërthyer pasi Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad është përgjjgjur me forcë vdekjeprurëse ndaj protestave pro-demokracsë në mars të vitit 2011.

Sipas Kombeve të Bashkuara, luftimet kanë lënë të vdekur të paktën 350,000 persona, dhe kanë nxitur gjysmën e popullsisë që të ikë nga shtëpitë e tyre, duke përfshirë gati gjashtë milionë refugjatë jashtë shtetit.

Të fundit