E shtunë, 27 Korrik, 2024

EUROPOL: TË DYSHUARIT PËR TERRORIZËM KALOJNË PËRMES BALLKANIT NË BE

Të dyshuar të lidhur me terrorizmin udhëtojnë në BE duke shfrytëzuar  shërbimet e rrjeteve kriminale për kontrabandimin e migrantëve. Këto rrugë përfshijnë rrugën lindore të Mesdheut, hyrjen në Greqi nga Turqia dhe udhëtimin e mëtejshëm përmes Ballkanit Perëndimor  për në BE. Kështu thuhet në Raportin e Europolit për terrorizmin 2022.

Siç  theksohet, të dyshuarit për terrorizëm ose ekstremistët e dhunshëm, duke përfshirë individët që kthehen nga fushat e betejës, përdorin dokumente false të marra nga strukturat kriminale për të udhëtuar në  ose përmes BE-së, – transmeton KDP raportin më të ri të Europolit.

Në të thuhet se gjatë vitit 2021, në Europol është paraqitur vetëm një incident i dhunshëm i lidhur potencialisht me xhihadizmin në Ballkanin Perëndimor. Shpjegohet se një shtetas shqiptar është arrestuar me akuzën për terrorizëm, pasi shpërtheu me thikë pesë persona në një xhami në Tiranë. Gjatë gjykimit, autori u dërgua në spitalin psikiatrik.

“Metodat që përdoren për të radikalizuar apo rekrutuar ithtarë në rajon pasqyrojnë një skenar të ndërlikuar politik në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku çështjet e identitetit etnik dhe fetar janë të kombinuara  me vështirësi ekonomike dhe shoqërore”, -thuhet në raportin e Europolit të publikuar në faqen e tij zyrtare.

Grupet e radikalizuara dhe ekstremiste në rajon janë, sikurse thuhet, zakonisht të vogla, të organizuara dobët dhe të drejtuara nga individë të cilët nga anëtarët e grupit  janë pranuar si autoritete fetare.

Sipas vlerësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, grupet dhe individët selefistë që angazhohen për interpretime ultra-konservatore dhe ekstremiste të Islamit mbeten shtytësit kryesorë të radikalizimit në rajon. Nëpër komunitetet salafiste është vërejtur se predikues aktivë nëpër “xhamitë paralele” dhe tubimet joformale, promovojnë dhunën, ndërsa të kthyerit nga Siria dhe zonat e tjera të konfliktit kanë vazhduar  përhapjen e ideologjisë xhihadiste”,- thotë Europol.

Disa vende të Ballkanit Perëndimor, nënvizon Raporti, konfirmuan trendin e vërejtur gjatë viteve të kaluara  sipas të cilit disa grupe ekstremiste paraqiten si organizata joqeveritare (OJQ) që punojnë për qëllime humanitare.

“Mbi këtë pozicion, ato mbledhin donacione që më pas u destinohen ithtarëve ose simpatizantëve të ideologjive radikale islamike. Në disa raste, këto grupe kanë krijuar lidhje me komunitetet e emigrantëve me origjinë nga Ballkani Perëndimor në vendet e BE-së. Disa të dyshuar, gjatë vitit 2021 u kthyen nga zonat e konfliktit në vendet e Ballkanit Perëndimor”, – thuhet në raportin e Europolit për terrorizmin më 2022./KDP/

 

Të fundit