E shtunë, 27 Korrik, 2024

PËRVOJAT E VETËREALIZIMIT DHE MBINDËRTIMIT NË KARRIERË

Një nga trendët e fundit që me sa duket po merr hov, është rritja e numrit të studentëve që punojnë jashtë shtetit, që realisht paraqet një mundësi për të rritur, zhvilluar dhe përsosur aftësitë e tyre. Është një eksperiencë që të nxjerrë jashtë zonës së komfortit apo rehatisë, duke fituar perspektiva të reja dhe duke mësuar gjëra për veten dhe vendin tuaj që nuk i keni ditur kurrë më parë. Ka aq shumë gjëra që mund të mësoni për një kulturë dhe puna jashtë vendit do t’ju lejojë të fitoni një kuptim më të thellë për atë vend, për popullin dhe kulturën e tij. Të rinjtë nuk do të jenë më thjesht vizitorë, por anëtarë të përkohshëm të atij komuniteti

Shkruan: Puhiza Osmani

Një nga trendet e fundit që me sa duket po merr hov, është rritja e numrit të studentëve që punojnë jashtë shtetit, që realisht paraqet një mundësi për të rritur, për të zhvilluar dhe përsosur aftësitë e tyre. Të punuarit në një vend të huaj është një eksperiencë e dobishme që i ndihmon studentët si në aspektin profesional edhe në atë personal. Me pak fjalë të rinjve iu jepet mundësia për të eksploruar një vend të ri, të zhyten në një kulturë të re dhe të takojnë njerëz nga e gjithë bota. Kjo eksperiencë ndihmon në zhvillimin e mëtutjeshëm të karrierës, sepse çdo lloj pune apo praktikë ndërkombëtare, tregon se një i ri është një kandidat i organizuar, i pavarur, aventurier për punëdhënësit e ardhshëm. Pavarësisht se cilin vend e zgjedh një student për të punuar, ajo punë do ta dërgojë në pragun e të mësuarit të aftësive të reja, duke i zhvilluar shkathtësitë e tij, si dhe njëkohësisht i ndihmon në përmirësimin e aftësive të komunikimit.

Është një eksperiencë që të nxjerr jashtë zonës së komfortit apo rehatisë, duke fituar perspektiva të reja dhe duke mësuar gjëra për veten dhe vendin tuaj që nuk i keni ditur kurrë më parë.

Duhet theksuar fakti që vendosja në një vend ku nuk e flisni atë gjuhë, nuk duhet marrë si aspekt negativ, por është një përparësi pasi ju jep mundësinë unike për të mësuar një gjuhë tjetër dhe për të praktikuar aftësitë tuaja të reja me vendasit. Të folurit e gjuhës jo vetëm që i ndihmon të rinjtë të integrohen më mirë në rolin e tyre të ri, por gjithashtu do t’i ndihmojë të dallohen nga turma në të ardhmen.

Një nga përparësitë e shumta të të punuarit jashtë vendit është zgjerimi i rrjetit personal dhe profesional të të rinjve. Ndërsa studentët punojnë jashtë vendit, do të bashkëpunojnë me vendas dhe emigrant nga vende të tjera, kjo mund t’i ekspozojë ndaj mundësive të reja të punës, por për më tepër, do t’ju ofrojë hapësirë për të krijuar miqësi me njerëz me prejardhje të ndryshme.

Ka aq shumë gjëra që mund të mësoni për një kulturë dhe puna jashtë vendit do t’ju lejojë të fitoni një kuptim më të thellë për atë vend, për popullin dhe kulturën e tij. Të rinjtë nuk do të jenë më thjesht vizitor, por anëtarë të përkohshëm të atij komuniteti. Kjo pamje e brendshme do t’iu japë një këndvështrim të ndryshëm për të gjitha aspektet e jetës, duke përfshirë jetën familjare dhe politikën. Gjithashtu ka shumë të ngjarë që duke punuar jashtë vendit të gjeni interesa dhe pasione të reja, të cilat mund t’iu çojnë në një rrugë drejt një karriere të re që nuk do ta kishit zbuluar ndryshe.

Por një nga gjërat kryesore që të rinjtë do të vërejnë është se përvoja ndërkombëtare e punës do t’iu sjellë atyre vetëzhvillim. Do t’i vendosi në situata të reja që mund të mos i kenë përjetuar më parë dhe do të mësojnë se si të përshtaten shpejt në këto raste. Punëdhënësit e ardhshëm do ta vlerësojnë këtë pasi do të jenë në gjendje të shohin se jeni mësuar të punoni në mjedise të panjohura, dhe se kur do të gjendeni në situata të vështira apo kur do të dilni nga zona juaj e rehatisë, mund të përshtateni. Kjo lloj përvoje gjithashtu do të rrisë besimin tek të rinjtë dhe do t’ju japë atyre një shtysë më të madhe për të marrë më shumë detyra që mund t’i kenë konsideruar më parë të frikshme.

Si përfundim dua të them se, shkuarja në punë jashtë shtetit u ka hapur shumë dyer të rinjve dhe megjithëse ndonjëherë mund të priret si një eksperiencë zhgënjyese, është një hap shumë pozitiv për të rritur cilësinë e fuqisë së të rinjve.

 

Të fundit