E premte, 26 Korrik, 2024

OPOZITA AKUZON PËR MUNGESË TRANSPARENCE, PUSHTETI PËR FOLKLOR POLITIK

Kanë vazhduar përplasjet mes partive politike për propozimin francez. VMRO-DPMNE ka theksuar se procesi në lidhje me propozimin francez nuk është transparent dhe se me këtë propozim bullgarët bëhen shtetformes në Maqedoninë e Veriut. LSDM i ka quajtur folklor politik pretendimet e partisë së Mickovskit. Ndërkohë, kancelari gjerman Olaf Scholz nëpërmjet një letre ka theksuar se vendi i Maqedonisë së Veriut është në BE, ndërsa ka theksuar se edhe pas miratimit të këtij kompromisi procesi i anëtarësimit në BE nuk do të jetë i lehtë. Analistët ndërkohë kanë theksuar se pavarësisht protestave edhe VMRO-DPMNE do të ndihmojë në ndryshimin kushtetues. Sipas tyre, mospranimi i këtij propozimi mund të çojë në destabilizim total


Shkruan: Enis Shaqiri

Prej më shumë se një jave, Shkupi zyrtar është përfshirë në debate dhe protesta të ashpra  në lidhje me propozimin francez. Ndërkaq, propozimi në fjalë sot ka mbërritur në Kuvend, por ende nuk dihet se kur do të diskutohet.

Sipas Jovan Mitrevski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së materialet në lidhje me informacionin për përmbajtjen e propozim-kornizës negociuese të propozimit francez, do t’iu dorëzohen deputetëve përmes kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferit.

Nëse këto materiale nuk janë të kapshme, atëherë çka kemi bërë ne 3-4 orë, në bazë të cilave dokumente kemi biseduar. Në bazë të cilave dokumente krijohet përshtypja ose në bazë të cilave dokumente mbahen konferencat për media nga ana e partisë opozitare, kështu që për këtë edhe një herë këtë mund ta quaj vetëm folklor politik”, tha Mitrevski.

Mitrevskit më tej shtoi se me propozimin në fjalë, do të hiqen të gjitha dilemat, sa i përket çështjes së gjuhës, pjesës së  historisë, si dhe identitetit, për veçantinë e popullit maqedonas.

Ndërkaq, sipas VMRO-DPMNE-së, dokumentet që janë pjesë e kornizës negociuese, tregojnë se Maqedonia fillimisht do të duhet të hap Kushtetutën dhe t`i bëjë bullgarët popull shtetformues në Maqedoninë e Veriut, si dhe do të duhet t`i ndryshojë librat shkollor.

Publikisht i bëjmë thirrje Qeverisë që ta publikojë protokollin, ku sipas informacioneve tona, parashihet ndryshimi i Kushtetutës me vendosjen e bullgarëve si popull shtetformues, ndryshimi i librave shkollor sipas dëshirës bullgare dhe problematizimi i gjuhës maqedonase, të cilën bullgarët e vlerësojnë si dialekt bullgar,” tha Ivica Tomovski nga VMRO-DPMNE.

Më tej, nga VMRO-DPMNE pretendojnë se procesi në lidhje me propozimin francez nuk është transparent.

Ndryshe nga LSDM, këto pretendime të opozitës “në lidhje me propozimin francez” i quajnë folklor politik.

Nga ana tjetër Kancelari gjerman, Olaf Scholz përmes një letre drejtuar Maqedonisë së Veriut, nënvizon se vendi i RMV-së i përket Bashkimit Evropian, duke theksuar se pas miratimit të propozimit rruga drejtë BE-së nuk do të jetë e lehtë.

Ne e duam Maqedoninë e Veriut si anëtare të BE-së. Vendi juaj ndodhet sërish para një vendimi të rëndësishëm për të ardhmen e tij: Dëshironi ta pranoni kompromisin europian? Kështu mund të mbahet më në fund konferenca e parë ndërqeveritare – shtatëmbëdhjetë vjet pas dhënies së statusit të një vendi kandidat për në Bashkimin Europian. Kjo do t’ju sjellë një hap shumë më afër anëtarësimit në BE dhe do të kapërcejë bllokadën”, ka theksuar Scholz.

Unë e kuptoj padurimin dhe frustrimin tuaj, tha theksuar ai. “Madje edhe më shumë: unë e përjetoj ashtu si ju! Unë e kuptoj kur ju thoni: Neve për një kohë të gjatë na është premtuar shumë. Shumë është kërkuar prej nesh. Unë e kuptoj kur ju keni dyshime, nëse me këtë hap vërtet rruga drejt anëtarësimit për në BE është e hapur”, ka theksuar Schulz.

Dëshiroj të jem krejt i hapur me ju, tha theksuar ai. Sipas tij, edhe pas miratimit të këtij kompromisi procesi i anëtarësimit në BE nuk do të jetë i lehtë.

“Pengesa të tjera do të duhet të kapërcehen. Por unë them po ashtu: bashkë do t’i përballojmë detyrat që kemi përpara. Sepse ne ju duam si anëtarë të këtij Bashkimi Europian! Ne ju duam, të dashura qytetare dhe të dashur qytetarë të Maqedonisë së Veriut si anëtarë të një unioni, në të cilin veçantitë tuaja kulturore dhe tonat, gjuhët tona të ndryshme dhe identitetet tona të mbahen dhe të ruhen”, ka theksuar Schulz.

Sipas analizave, numrat në Parlament për ta miratuar propozim-kornizën negociuese janë. Profesori dhe ish ministri, Gjorgji Spasov, gjatë një interviste, është shprehur se Hristijan Mickovski, përtej protestave të organizuara, do të ndihmojë në ndryshimin e Kushtetutës.

Për ndryshimet kushtetuese do të ketë dy të tretat në Kuvend, lëreni Mickovskin se çfarë po flet në këto moment, ai tani vetëm po e rrit pakënaqësinë duke u shtirur si një lider i madh, por kur propozimi të kalojë në Kuvend, Mickovski do të fillojë të mendojë sse me kë do të formojë Qeverinë e ardhshme, do të fillojë bisedimet me përfaqësuesit e Be-së dhe SHBA-së,” ka thënë Spasov.

Sipas tij, Hristijan Mickovski dhe partia e tij, janë shumë të vetëdijshëm se pa partitë shqiptare dhe pa lejen e perëndimit, kreu i VMRO-DPMNE-së   nuk do të ketë shansin të bëhet kryeministër.

Eshtë më së e qartë se do t`i bëjnë presion të mbajë fjalën, të cilën Mickovski e ka premtuar se nuk ka asgjë kundër hyrjes së bullgarëve në Kushtetutë dhe duhet t`i fitojë ata që të ketë ndonjëherë mundësinë për të formuar Qeveri. Por ai është i vetëdijshëm se pa partitë shqiptare dhe pa amin nga perëndimi, Mickovski kurrë nuk do të ketë shansin të jetë kryeministër,” ka thënë ish ministri i socialdemokratëve Gjorgji Spasov.

Ndërsa, analisti, Besim Nebiu thekson se “KE i referohet gjuhës, si gjuhë maqedonase. I referohet protokolleve ekzistuese për të trajtuar çështjet e historisë dhe ato identitare. U referohet kornizave ekzistuese.”

Sipas tij, në qoftë se në RMV nuk pranohet propozimi francez, edhe faktori ndërkombëtar, kryeministri holandez kanë deklaruar se propozim më të mirë se ky nuk do të pranojë. “Do të kemi një destabilizim total”, ka theksuar Nebiu.

 

Të fundit