E shtunë, 27 Korrik, 2024

THIRRJET ANTIBULLGARE NË PROTESTA, DËNOHEN NGA SOFJA ZYRTARE

Thirrjet antibullgare kanë nxitur reagimin e Sofjes zyrtare. “Bullgaria do të marrë masa kundër gjuhës së urrejtjes që e kemi dëgjuar në ditët e fundit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, siç kemi bërë gjithmonë”, ka deklaruar ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Teodora Gençovska. Ndërkohë, analisti politik, Anton Pançev ka theksuar se thirrjet antibullgare vijnë si pasojë e doktrinës raciste të instaluar nga Serbia. “Problemi kryesor në Republikën e Maqedonisë së Veriut është doktrina raciste, instaluar prej Serbisë në dekadat e kaluara. Kjo doktrinë bazohet mbi elaboratet serbomadhe dhe ka për qëllim që të mos lejojë zhvillimin e një shoqërie demokratike dhe të krijojë ndarje dhe urrejtje të vazhdueshme ndërmjet komuniteteve të ndryshme në këtë vend”, ka theksuar Pançev

 Shkruan: Enis Shaqiri

Së fundmi ministrja e Punëve të Jashtme bullgare Teodora Gençovska, ka bërë të ditur se Bullgaria do të ndërmerr hapa të tjerë për të dënuar gjuhën e urrejtjes ndaj Bullgarisë që po përdoret në protestat e organizuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga opozita maqedonase, kryesisht nga VMRO-DPMNE dhe “e Majta”

Bullgaria do të marrë masa kundër gjuhës së urrejtjes që e kemi dëgjuar në ditët e fundit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, siç kemi bërë gjithmonë”, deklaroi ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë Gençovska,

Sipas Gençovskas, masat kryesisht do të jenë diplomatike, ku mes tjerash do të thirret edhe menaxheri i përkohshëm i ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Bullgari. Ajo ka shtuar se “atij do t’i jepet një notë proteste

Në ndërkohë, profesori dhe analisti nga Sofja, Anton Panchev bënë të ditur për KDP, se thirrjet dhe doktrinat raciste janë të instaluara nga Serbia qysh nga dekadat e kaluara. Sipas tij, këto doktrina bazohen mbi elaboratin e ashtuquajtur “Serbomadh”, dhe se Bullgaria nuk do të heqë dorë nga shpërbërja e këtyre doktrinave që po e helmojnë shoqërinë maqedonase.

Problemi kryesor në Republikën e Maqedonisë së Veriut është doktrina raciste, instaluar prej Serbisë në dekadat e kaluara. Kjo doktrinë bazohet mbi elaboratet serbomadhe dhe ka për qëllim që të mos lejojë zhvillimin e një shoqërie demokratike dhe të krijojë ndarje dhe urrejtje të vazhdueshme ndërmjet komuniteteve të ndryshme në këtë vend. Sipas kësaj doktrine serbët/maqedonët qenkan popuj me kulturë të lartë dhe me origjinë të pastër, derisa bullgarët qenkan “tartarë, mongol, raca e verdhë”, kurse shqiptarët “të prapambetur, të egër”. Shumë politikanë, akademikë, gazetarë, por edhe parti të tëra politike dhe qarqe të ndryshme në Maqedoninë e Veriut veprojnë nën ndikimin e këtyre urrejtjeve patologjike. Prandaj kërkesat bullgare, të pranuara në nivelin e Bashkimit Evropian, përfshijnë masa dhe mekanizma për parandalimin e gjuhës së urrejtjes, për ndryshimin e librave mësimorë, që të hiqen tekstet përçarëse dhe fyese, për hapjen e dosjeve të shërbimeve jugosllave, për rehabilitimin e viktimave të totalitarizmit etj. Bullgaria nuk do të heqë dorë nga shpërbërja e kësaj doktrine që e helmon shoqërinë maqedonase dhe do t’i përdorë të gjitha mekanizmat gjatë procesit të eurointegrimeve për arritjen e këtij qëllimi,” thekson Anton Pançev.

Ndërkaq, i pyetur nga KDP për propozimin francez, Pançev thotë se propozimi i kryesimit francez është një dokument i rëndësishëm për tejkalimin e problemeve të brendshme të Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, skepticizëm në disa pika të këtij propozimi ka edhe nga ana bullgare, ndërsa veçon atë të garancisë për plotësimin e dispozitave të propozimit, mirëpo sipas Pançevit, ajo ngelet në të kaluarën sepse qëllimi kryesor i politikës bullgare, tashmë është pranuar edhe në nivel të BE-së.

Në përgjithësi humbim të gjithë në Ballkan me ngecjen e evrointegrimeve, por procesi i anëtarësimit duhet të jetë i qartë dhe të zgjidhen të gjitha mosmarrëveshjet, sepse brenda në BE nuk mund të ketë konflikte ndërmjet fqinjëve që do ta bllokojnë zhvillimin e Unionit. Prandaj duhet të ketë zgjidhje dhe propozimi i Kryesimit francez të Këshillit të BE-së është një dokument me shumë rëndësi për tejkalimin e problemeve të brendshme të Maqedonisë së Veriut”, thekson Pançev.

Sipas tij, edhe nga ana bullgare ka shumë kritika në lidhje me disa pika dhe sidomos me garancitë për plotësimin e dispozitave të propozimit. Qëllimi kryesor i politikës bullgare, thekson ai, tashmë i pranuar edhe në nivel të BE-së, është reformimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, sepse qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të humbin shumë në rastin e refuzimit dhe humbja më e vogël është ajo e ngadalësimit të evrointegrimit.

“Humbja e madhe do të burojë nga refuzimi i qeveritarëve në Shkup që të heqin dorë nga e kaluara totalitare, të dënojnë krimet e komunizmit, të ndriçojnë fatin e njerëzve të vrarë dhe të torturuar, të pranojnë historinë e vërtetë që bazohet mbi dokumentet autentike dhe ta shpërbëjnë modelin e vjetër të shtetndërtimit dhe të kombndërtimit duke u mbështetur mbi falsifikimet flagrante dhe mbi urrejtjen kundër fqinjëve dhe kundër komuniteteve joshumicë në këtë shtet”, thotë Pançev.

Mes tjerash Pançev thekson se faktori ndërkombëtar duhet që të veprojë në mënyrë sa më kategorike që t`i parandalojë urrejtjet etnike, që sipas tij zhvillohen nga tribunat e partive politike.

Në Bullgari ka shumë shqetësime për shkak të thirrjeve dhe të sjelljeve agresive të disa partive në këtë vend. Shohim se tensionet po rriten dhe nga tribunat politikanë dhe figura publike nxitin urrejtjen etnike. Këto veprime janë shumë të pahijshme dhe faktori ndërkombëtar duhet të veprojë në mënyrë kategorike që t’i parandalojë këto rreziqe që ka gjasa të burojnë edhe nga politika agresive ruse në rajonin tonë”, thekson ai.

Pançev nënvizon se opozita në RMV e di shumë mirë që propozimi francez i konvenon Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, nuk ka asnjë rrezik për identitetin e kombit maqedonas.

Nuk mund të lejohet që disa politikanë, me lakminë e tyre për pushtet të shkatërrojnë jetën e njerëzve nga të gjitha komunitetet, sepse ata dinë shumë mirë që propozimi francez i konvenon Maqedonisë së Veriut dhe nuk ka asnjë rrezik për identitetin e kombit maqedon. Autoritetet në Sofje lehtë mund të demaskojnë këto sjellje hipokrite, sepse shumë nga këta politikanë dhe figura publike kanë pasaporta bullgare për shkak të vetëdeklarimit të tyre si njerëz me vetëdije bullgare, kanë biznes në Bullgari, kurse fëmijët e tyre studiojnë ose po bëjnë karrierë në Bullgari”, thekson për KDPolitik.com, Anton Pançev.

Vlen të theksohet se sot, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi që propozimin francez t’ia përcjellë Kuvendit për shqyrtim dhe miratim të konkluzioneve, sipas procedurave të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Partitë shqiptare dhe mazhoranca e mbështesin propozimin francez, ndërsa opozitarët e VMRO-DPMNE dhe të Majtës “Levica” kërkojnë ndryshimin e tekstit për të garantuar ruajtjen e identitetit maqedonas, përfshirë gjuhën dhe historinë.

Të fundit