E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024

PROTESTA E DHUNSHME PËRPLASË PARTITË POLITIKE

Kanë përshkallëzuar në dhunë protestat e mbrëmshme të organizuara nga opozita maqedonase, ndërkohë që kanë vazhduar akuzat dhe kundër akuzat për incidentin që ndodhi në sheshin Skënderbeu në Shkup, kur një grup protestuesish ishin nisur drejt Çarshisë së Vjetër. Incidenti i dhunshëm është dënuar nga kreu i shtetit, Stevo Pendarovski, i cili ka kërkuar që protestat të jenë demokratike, ndërkohë që numri i një i MPB-së, Spasovski ka theksuar se policia ka arritur që të parandalojë eskalimin e situatës. Ndërkohë, lideri i opozitës, Mickovski ka akuzuar pushtetin për inskenim të incidentit. Analistët e kanë dënuar dhunën dhe kanë ftuar për gjakftohtësi.

Shkruan: Enis Shaqiri

Kanë vazhduar protestat e dhunshme Shkup të organizuara nga VMRO-DPMNE e Hristijan Mickovski, si dhe partinë “E Majta”, e Dimitar Apasievit, për propozimin francez.
Për të pestën herë mbrëmë gjatë protestës, protestuesit iu drejtuan Qeverisë, Kuvendit, Ministrisë së Punëve të Jashtme si edhe sheshit “Skenderbeu”, ku nga aty protesta u shoqërua me incidente.

Pronari i hotel De Koka, Isuf Koka u arrestua nga policia maqedonase pasi gjuajti dy-tre plumba në ajër, kur hoteli i tij dhe dy dyqanet në sheshin Skenderbeu u sulmuan nga protestuesit maqedonas. Situata eskaloi kur dhjetëra huliganë maqedonas filluan të gjuanin gur në drejtim të dyqaneve te parkingu i sheshit Skenderbeu.

Presidenti Stevo Pendarovski, si dhe zyrtarët e tjerë e kanë dënuar ashpër dhunën në protestat e mbrëmshme si dhe incidentin pranë Sheshit Skënderbeu.

Kreu i shtetit, përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka apeluar deri tek organizatorët e protestave që me shumë përgjegjësi të protestojnë me dinjitet dhe pa dhunë.

U bëj apel të gjithë organizatorëve të protestave, të cilat po mbahen këto ditë në Maqedoninë e Veriut të ndërmarrin përgjegjësi dhe të drejtën e tyre demokratike që të protestojnë të vazhdojnë ta praktikojnë me dinjitet dhe pa dhunë. Njëkohësisht e gjykoj rreptësishtë mbajtjen dhe përdorimin e armës së zjarrit nga civilët dhe qytetarët në vend, të cilët nuk janë përfaqësues të organeve të sigurisë. Dje policia kishte një reagim në kohë i cili parandaloi përplasje më të mëdha. Pres që të gjithë personat të cilët u involuan mbrëmë në këtë incident të arrestohen dhe të sanksionohen përkatësisht në afatin sa më të shkurtër të mundshëm”, ka shkruar Pendarovski.

Ndërkaq, Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, për incidentin e djeshëm në Sheshin Skenderbeu, tha se policia ka arritur të parandalojë eskalimin e situatës.

Do të shihni se policia e parandaloi incidentin, edhe atë një numër i madh i zyrtarëve policorë, shihni videot që janë publikuar edhe nga mediumet edhe nga ne. Ja po ua tregoj vetëm një fotografi, a nuk është kjo diçka ku intervenohet në vendin e ngjarjes”, tha Oliver Spasovski.

Njëjtë si Presidenti ashtu edhe Ministri i Punëve të Brendshme, apeloi deri tek të gjithë qytetarët dhe protestuesit që të shfrytëzojnë të drejtën e protestës në mënyrë sa më demokratike, dhe t’i përmbahen dhunës.

Nuk duhet të vijmë deri tek kjo, por për të mos ardhur deri te kjo secili qytetar duhet ta dijë që protestat duhet të jenë të qeta. Askush nuk ka të drejtë të nxjerr armë zjarri dhe të kërcënojë sigurinë, asnjë qytetari në vend”, tha mes tjerash Spasovski.

Mes tjerash nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë bërë të ditur se gjatë protestës janë lënduar 47 policë, 11 prej të cilëve me lëndime të rënda dhe dy me lëndime serioze.
Nga ana tjetër opozita maqedonase ka drejtuar akuza në drejtim të pushtetit lidhur me atë se kush është nxitëse e dhunës së ushtruar gjatë protestës.
Sipas kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pushteti mbrëmë ka inskenuar incidentin tek sheshi Skenderbeu, ku sipas tij, policia nuk ishte aty në momentin që u shfaq grupi, ndërsa njëri prej tyre filloi të qëllonte.

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani tha se do të ketë tensione ndëretnike nëse propozimi nuk kalon. Kovaçevski dhe Spasovski po ndërtojnë një kontekst militant, pati një njoftim për kokteje molotovi, për viktima dhe pasi dështuan, tashmë arritën në kulmin e monstruozitetit ku duhej humbur një jetë njerëzore për të qëndruar në pushtet. Shihni këtë armë dhe shikoni njerëzit që nuk kanë frikë prej saj. Kjo armë është përballë njerëzve. “Ajo kishte për qëllim humbjen e një jete të pafajshme njerëzore”, tha Mickoski.

Ndërkaq, sipas historianit Arben Llalla, shqiptarët detyrimisht duhet që të distancohen nga partia VMRO-DPMNE.

Me protestën e fundit në Shkup tek Sheshi Skënderbeu VMRO e Mickoskit vërtetojë se është parti ekstremiste nacionaliste që i përket shekujve të shkuar. Një parti që mundohet të ndërtojë identitetin e saj duke shkelur me dhunë mbi identitetin kombëtar shqiptar. Përfundimisht VMRO dhe Mickoski siguruan edhe 4 vite të tjera të mbeten të vetmuar në opozitë bashkë me partnerët e tyre luliputë apo parti sezonale. Partitë shqiptare qoftë në pushtet apo opozitë do gjejnë forca për të tejkaluar këtë situatë tragjike dhe do i thonë: Stop VMRO!”, ka theksuar Llalla.

Mes tjerash historiani Llalla, apelon që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, duhet që ta ruajnë gjakftohtësinë nga kurthet e Moskës.

“Shqiptarët në Maqedoni duhet të ruajnë gjakftohtësinë nga kurthet e tilla që janë gatuar në Moskë, të mos jenë indiferentë e spektator. Ata duhet të jenë aktivë, garantues të paqes dhe stabilitetit jo vetëm në Maqedoni por edhe në Ballkan. VMRO e Mickoskit kërkon ti bëj kurban shqiptarët për të realizuar projektet e saja prandaj duhet të distancohen nga bashkëpunimi me këtë parti çdo indivë dhe parti shqiptare si në Tiranë ashtu edhe në Shkup”, ka shkruar  Llalla.

Të fundit