E martë, 28 Maj, 2024

PE-JA MIRATON REZOLUTËN QË BËN THIRRJE PËR NJOHJEN RECIPROKE MES KOSOVËS DHE SERBISË

Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohje të ndërsjellë”.

Kjo është hera e parë që në një dokument të institucioneve evropiane përmendet njohja reciproke. Pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën, por PE-ja është institucioni i vetëm që e trajton Kosovën si shtet.

Megjithatë, rezolutat e miratuara nuk janë dokumente obliguese për shtetet e BE-së.

Në seancën e PE-së u miratuan raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Në tri raportet u bë thirrje për mbështetje të perspektivës evropiane të këtyre vendeve. Po ashtu, në rezolutën e PE-së u bëhet thirrje pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.

“Raportet me Serbinë duhet të normalizohen përmes marrëveshjes e cila duhet të bazohet në njohjen e ndërsjellë”, tha deputetja gjermane, Viola von Cramon, e cila ka hartuar raportin për Kosovën.

Raportuesi për Serbinë në PE, Vladimir Biliçek, ka konfirmuar se ai nuk ishte në favor që në rezolutë të përfshihej thirrja për njohjen e ndërsjellë.

“Siç kam thënë unë nuk isha i lumtur për këtë. Sidoqoftë, ekziston realiteti politik dhe shumica e vendeve anëtare e kanë njohur Kosovën. Dialogu tashmë është duke u zhvilluar me pjesëmarrjen e të dy palëve”.

Në raportin për Kosovën sërish bëhet thirrje për liberalizimin e vizave.

“Vota e sotme dëshmon përkushtimin e Parlamentit për integrimin e Kosovës në BE dhe jep një udhëzime se si mund të zbatohen standardet evropiane në Kosovë. Kosova ka dëshmuar në vazhdimësi përkushtimin për të avancuar në reformat e lidhura me BE-në dhe është pozicionuar qartë si një partner i besueshëm, i fuqishëm i lidhur me aleancën evropiane dhe transatlantike. Për fat të keq, BE-ja ka dështuar që të sigurojë lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës. Unë shpresoj vërtetë se ky është raporti i fundit ku përmendet dështimi i liberalizimit të vizave”, tha Viola von Cramon.

Me përjashtim të disa deputetëve nga radhët e të djathtës ekstreme, shumica e ligjvënësve evropianë kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në raportin për Kosovën po ashtu përsëriten thirrjet që Kosova të vazhdojë procesin e reformave si dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Von Cramon tha se PE-ja mbështet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Megjithatë, ajo ka shprehur rezerva për mundësinë për aplikim për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE për shkak të pesë shteteve mosnjohëse.

“Kjo do të krijonte shumë pritje në Kosovë të cilat do të duhej më pas t’i menaxhonim”, u shpreh von Cramon.

Votimi i raporteve për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën pason debatin e mbajtur një ditë më parë për këto dokumente.

Serbisë i kërkohet të sanksionojë Rusinë

Me rezolutën e miratuar, përfaqësuesit evropianë u bëjnë thirrje autoriteteve në Serbi “të tregojnë përkushtim real ndaj vlerave të BE-së dhe të harmonizohen me vendimet dhe qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe politikat e sigurisë, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë”.

Serbia është i vetmi shtet në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Autoriteteve të Beogradit u kujtohet se progresi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën do të përcaktojë ritmin e negociatave për anëtarësim.

Ndërkaq, përsëritet mbështetja për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe rëndësia e angazhimit konstruktiv të autoriteteve serbe dhe të Kosovës për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, e cila është thelbësore për të dy vendet që të avancojnë në rrugët e tyre evropiane. Raporti gjithashtu bën thirrje për respektimin dhe zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Von Cramon dhe Biliçek janë shprehur optimistë që të ketë përparim në dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe thanë se presin gjatë këtij muaji të mbahet një takim i nivelit të lartë.

Bartësit e dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut që nga korriku i vitit të kaluar.

Në kuadër të dialogut, Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë, por dy takimet nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat konkret.

Parlamenti Evropian përmes rezolutës u bën thirrje autoriteteve serbe që të veprojnë kundër madhërimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe të ndalojnë çdo retorikë dhe veprim që cenon integritetin e vendeve fqinje dhe kërcënon stabilitetin dhe pajtimin rajonal. Aty po ashtu shprehet keqardhje për presionin e vazhdueshëm ndaj gjyqësorit dhe mohimin publik të vendimeve ndërkombëtare për krime lufte dhe i bëhet thirrje shumicës së sapozgjedhur që të forcojë garancitë për pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit si prioritet./ REL

Të fundit