E premte, 26 Korrik, 2024

ZIGZAG: INTEGRIMI PËRBALLË “REVOLUCION—KUNDËRREVOLICIONIT”

Një analist maqedonas (Lupço Popovski) duke folur këtë fundjavë për zhvillimet e fundit në vijën Shkup-Sofje për zhbllokimin e fillimit të negociatave për aderimin e Maqedonisë së Veriut në BE, pas propozimit francez, shkruan se ‘vetëm revolucioni – ose kundërrevolucioni, si të doni – mund të pengojë këtë zhvillim të ngjarjeve’!

Shkruan: SELADIN XHEZAIRI

Duket se diplomacia euro-amerikane, apo thënë më shkurt Perëndimi, më në fund po e kupton se në Ballkanin Perëndimor punët mund të shkojnë ters pikërisht për shkak të sehirllëkut të tyre. Agresioni rus në Ukrainë, ‘nyja kosovare’, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi dhe fërkimet Sofje-Shkup, të gjitha këto janë çështje ku puqen interesat, pra dhe  shpatat ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit tonë. Politika dhe politikëbërja, natyrisht se nuk bëhet pa shumë aktorë dhe faktorë, njësoj sikurse nuk mund të ketë lëvizje të gurëve të shahut  pa dy lojtarë! Prandaj, hedhja në treg e këndvështrimeve dhe qëndrimeve të shumta e të ndryshme ta bën mendjen sallatë!

Në rastin konkret, këtë që lidhet me zhvillimet e fundit në vijën Shkup-Sofje, pas propozimit francez, duket se kampi politik, pse jo edhe etnik, maqedonas po shpërfaqë gjithnjë e më shumë, me gjithë vrazhdësinë e vet, mungesën e asaj që deri dje quhej unitet (politik e kombëtar), ndërsa sot emërtohet si konsensus (politik e kombëtar). Përtej retorikës politike, VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja që rrahin gjoks para njëra-tjetrës se janë parti shtetformuese nuk është se ‘nuk e njohin në thua e potkua’ problemin e formimit të kombit të tyre, po edhe të shtetit tonë të përbashkët që sot emërtohet si Maqedonia e Veriut. Më duket se duhet të jetë thënie greke kjo ‘kush shikon prapa-prapa do të shkojë’, ama përtej kësaj duket se lidershipit maqedonas i mungon guximi për të vënë pikat mbi I, ani që e din fare mirë të djeshmen, e njeh të sotmen, por pa takat për të piketuar sigurimin e një të ardhmeje më të mirë.

Dje, kryeministri Dimitar Kovaçevski, në një takim me dyer të mbyllura la të kuptohet se liderët e të gjitha partive shqiptare mbështesin propozimin e fundit francez ( ai tha se është gjithevropian) për zhbllokimin e procesit të integrimit në familjen evropiane: ‘në propozimin evropian kemi definuar pozicione për pranimin e qartë dhe pamëdyshje  të gjuhës maqedonase, si dhe që protokolli të mos jetë në kornizën negociatore,’- tha Kryeministri.

Sakaq, po të premten, shefi i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, duke hedhur poshtë ofertën, nënvizoi se miratimi i një kornize të këtillë nënkupton o asimilimin dhe bullgarizimin (e maqedonasve) në BE, ose mbetjen përgjithmonë jashtë BE-së: ‘Pranimi i propozimit të këtillë nënkupton të drejtën e plotë të Bullgarisë të ndryshojë librat dhe t’i shkruajë ato konform diktatit bullgar, kurse fëmijët tanë të mësojnë sipas diktatit bullgar ose nuk ka të ardhme evropiane,’ – pohon Mickoski.

Për t’i vënë kapak këtij rrëfimi për përplasjet ndërmaqedonase  u kujdes po këtë fundjavë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili nga foltorja e Parlamentit, të dyja krahëve të politikës ua rikujtoi Luftën e Parë Botërore gjatë së cilës maqedonasit dhe shqiptarët ‘mbetën të nënshtruar, të nëpërkëmbur, të pushtuar’…

Çka tani?

Duket se objektiv parësor i opozitës (maqedonase) është çuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme. Është pak e besueshme se me këtë kauzë- objektiv Mickoski mund të bëj pazar me Kovaçevskin, por prandaj euro-amerikanët është koha që të tregojnë se kush janë.

Një analist maqedonas (Lupço Popovski) duke folur këtë fundjavë për zhvillimet e fundit në vijën Shkup-Sofje për zhbllokimin e fillimit të negociatave për aderimin e Maqedonisë së Veriut në BE, pas propozimit francez, shkruan se ‘vetëm revolucioni – ose kundërrevolucioni, si të doni – mund të pengojë këtë zhvillim të ngjarjeve’!

Të fundit