E premte, 26 Korrik, 2024

SHKUPI E SOFJA – AFËR “TYMIT TË BARDHË”!?

Arritja e marrëveshjes përfundimtare midis Shkupit dhe Sofjes, e cila do të mundësonte nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), është çështje momentesh dhe ka të ngjarë të ndodhë sot apo në ditët në vijim.

Një zyrtar i lartë në Shkup, duke folur me kusht anonimiteti, i tha KDPOLITIK se dita e fundit e kryesimit të Francës me BE-në mund të sjellë një hap të madh përpara drejt marrëveshjes dypalëshe. Javë më parë Parlamenti i Bullgarisë miratoi Propozimin Francez, që nënkupton heqjen e kushtëzuar të vetos për Maqedoninë e Veriut.

Për t’u arritur kjo, Sofja kërkon plotësimin e katër kushteve kryesore: i pari, zbatim efektiv i marrëveshjes së miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit të vitit 2017; i dyti, garantim i të drejtave të bullgarëve etnikë në Maqedoninë e Veriut, që përfshin futjen e bullgarëve etnikë në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut në baza të barabarta me popujt e tjerë; i treti, përmirësim i drafteve të kornizës negociuese dhe konkluzioneve të Këshillit me qëllim që të merret parasysh se asgjë në procesin e anëtarësimit të Shkupit në BE nuk mund të interpretohet si njohje, nga Bullgaria, e ekzistencës së “gjuhës maqedonase”; dhe i katërti, garanci se fqinjësia e mirë mbetet një kriter horizontal në kuadër të gjithë procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

Versioni final i marrëveshjes, megjithatë, do të garantojë njohjen e gjuhës si “maqedonase” konform Traktatit të Miqësisë, gjë që mundëson moscenimin e identitetit etnik maqedonas. Zbatimi i Traktatit do të garantohet nga vetë korniza negociuese kurse në afat prej dy vitesh do të ndryshohet Kushtetuta me qëllim që edhe bullgarët etnikë të bëhen pjesë e Kushtetutës.

Në mbështetje të marrëveshjes, pritet të dalin me deklaratë të përbashkët presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz. Nuk përjashtohet mundësia që edhe administrata amerikane të përfshihet në drejtim të shtyrjes së palëve drejt një marrëveshjeje që do të zhbllokonte procesin integrues, jo vetëm të Shkupit, por edhe të Tiranës.

Qeveria në Shkup ka treguar rezerva ndaj Propozimit Francez që problemi dypalësh të bëhet pjesë e Kornizës së Bisedimeve për anëtarësim në BE. Gjuha maqedonase vazhdon të jetë vija e kuqe.

“Formulim i qartë për gjuhën maqedonase në kornizën negociuese dhe mbrojtje e qartë e identitetit maqedonas. Çështjet historike nuk mund të jenë kritere në kornizën negociuese. Negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së duhet të fillojnë para fillimit të procedurës për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës. Garanci të fuqishme duhet të ketë nga BE dhe Bullgaria, që kjo e fundit nuk do të kushtëzojë me kërkesa të reja”, u shpreh javë më parë, gjatë qëndrimit në Bruksel, Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Nga ana tjetër, bashkëpunëtori i KDPOLITIK në Bruksel thotë se brenda BE-së  ka optimizëm për zgjidhjen e çështjes, por se i njëjti është i matur.

Në Sofje, ndërkaq, kryeministri në dorëheqje Kiril Petkov pritet të marrë mandat për formimin e një qeverie të re në Bullgari. Paralelisht me forcimin e pozitës së Petkovit, si një figurë politike pro-perëndimore, Bullgaria vazhdon të hiqet nga ndikimi i fuqishëm rus, duke dëbuar së fundmi 70 diplomatë të Moskës që kishin operuar në këtë vend.

Të fundit