E shtunë, 27 Korrik, 2024

QYTETI OLOMOUC, “PRAGA E VOGËL” E TURIZMIT KULTUROR

Me vendndodhjen e tij të përshtatshme, universitetin e lashtë dhe traditat shpirtërore, kulturore dhe artizanale, Olomouc ka qenë për shekuj një qendër natyrore e Moravisë, tërheqëse për artistët, intelektualët dhe biznesmenët. Pjesa e vjetër e qytetit është ruajtur shumë mirë edhe është një ndër vendet më të bukura që ofron Republika Çeke dhe gëzon statusin e të qenit një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Ky destinacion është perfekt për njerëzit e apasionuar pas turizmit kulturor dhe vendeve historike dhe që nuk ju pëlqen mbingarkesa e turmave të vizitorëve siç ndodh rëndomë në vende shumë të njohura.

Shkruan: Valmisa Novi

I vendosur në lumin Moravia, Olomouc është një nga qytetet më të mëdha në Republikën Çeke. Pas Pragës, është qyteti i dytë në madhësi dhe vjetërsi për sa i përket zonës të ruajtjes historike (zonë monumentale) në Republikën Çeke. Ka qenë gjithmonë një nga qytetet më të rëndësishme në Mbretërinë e Bohemisë. Me vendndodhjen e tij të përshtatshme, universitetin e lashtë dhe traditat shpirtërore, kulturore dhe artizanale, Olomouc ka qenë për shekuj një qendër natyrore e Moravisë, tërheqëse për artistët, intelektualët dhe biznesmenët. Pjesa e vjetër e qytetit është ruajtur shumë mirë edhe është një ndër vendet më të bukura që ofron Republika Çeke dhe gëzon statusin e të qenit një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Ky destinacion është perfekt për njerëzit e apasionuar pas turizmit kulturor dhe vendeve historike dhe që nuk ju pëlqen mbingarkesa e turmave të vizitorëve siç ndodh rëndomë në vende shumë të njohura.

Lista e atraksioneve turistike dhe pamjeve interesante në Olomouc është mjaft e gjatë, vendi mund lehtësisht të emërtohet si një Pragë e vogël, për nga sipërfaqja por e madhe për nga larmia e bukurive turistike që ofron.

Qyteti i Vjetër mund të eksplorohet lehtësisht në këmbë. Pika qendrore e tij është Sheshi i Sipërm (Horní náměstí), ku janë përqendruar disa nga monumentet më të rëndësishme të qytetit si:

Kolona e Trinisë së Shenjtë (Sloup Nejsvětější Trojice) e cila ndodhet në cepin veriperëndimor të sheshit kryesor – Horní náměstí. Është një monument fetar barok, i përfunduar në vitin 1754, pas 38 vitesh punë. Kolona është 35 m e lartë dhe shpreh mirënjohjen për mbijetimin e shpërthimit të murtajës që goditi Moravinë në fillim të shekullit të 18-të. Brenda kolonës ndodhet një kishëz e vogël. Shumë qytete në mbarë Çekinë kanë kolona murtaje, por ai në Olomouc është padyshim më mbresëlënës nga të gjitha. Të gjithë artistët dhe mjeshtrit e përfshirë në krijimin e tij ishin nga Olomouc, kështu që monumenti ishte dhe është ende një burim krenarie për qytetin. Kolona e Trinisë së Shenjtë u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2000.

Në qendër të sheshit kryesor ndodhet bashkia e qytetit, e cila është ndërtuar në shekullin e 15-të dhe është rimodeluar në shekujt në vijim. Ndërtesa përbën një kombinim  dhe ndërthurje interesante të elementeve gotike dhe rilindjes. Krenare qëndron në këtë ndërtesë një orë astronomike, në çekisht e quajtur orloj. Ora origjinale u rimodelua në 1898 por përsëri u dëmtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ora që shpaloset tani i përket realizmit socialist.

Një tipar shumë karakteristik i peizazhit të qytetit të Olomouc janë shatërvanët. Janë të paktën 25 prej tyre, prej të cilave 7 janë shatërvanë të dekoruar me stilin barok. Tre shatërvanë janë sheshin qëndror: Shatërvani i Cezarit (Caesarova kašna), Shatërvani i Arionit (Ariónova kašna) dhe Shatërvani i Herkulit (Herkulova kašna). Shatërvanë të tjerë të shquar janë: Shatërvani i Neptunit (Neptunova kašna) nga viti 1683 – shatërvani më i vjetër barok në qytet, dhe shatërvani i Jupiterit (Jupiterova kašna) nga viti 1707, të cilët ndodhen në Sheshin e Poshtëm (Dolní náměstí).

Katedralja e Shën Wenceslas (Katedrála svatého Václava) i kushtohet Wenceslas I (Václav), Duka i Bohemisë dhe një shenjtor, i cili konsiderohet si një mbrojtës i shtetit çek. Katedralja u ndërtua në stilin romanik në shekullin e 12-të dhe u rimodelua në stilin gotik në shekullin e 13-të dhe 14-të. Katedralja është rindërtiuar gjatë periudhës së Rilindjes Gotike në fund të shekullit të 19-të, prej nga ka marrë dhe pamjen e saj aktuale. Kulla e saj kryesore është përafërsisht 100 metra e gjatë dhe i përket ndërtesave më të larta në vend.

Përveç të tjerave, ky qytet është një qendër e shquar e arsimit dhe kulturës.  Historia e arsimit të lartë në Olomouc filloi në vitin 1566, pikërisht nga krijimi një kolegj jezuit. Në vitin 1573 këtij kolegji iu dhanë të drejta universitare, identike me ato të institucioneve të tjera evropiane të arsimit të lartë. Universiteti i Olomouc, universiteti i dytë më i vjetër në tokat Çeke (pas Universitetit të Charles në Pragë), përhapi ndikimin e tij jo vetëm përmes Moravisë dhe Silesisë, por edhe në Austri, Gjermani, Poloni, Evropën Lindore dhe Skandinavi.  František Palacký – i njohur si “babai i kombit” (lindur më 1798 në Hodslavice të Moravisë, vdiq më 1876 në Pragë) – ishte një rilindës kombëtar, një shkencëtar i ndritur, kritik dhe estet, politikan dhe historian i shquar.  Megjithëse nuk kishte asnjë lidhje të drejtpërdrejtë midis Palacký dhe qytetit të Olomouc, puna e tij ishte aq ndikuese sa është një nder i madh për Universitetin e Olomouc që të mbajë emrin e tij.

Olomouc  i ka të gjitha, duke përfshirë arkitekturën e mbrojtur nga UNESCO, muzetë e mrekullueshëm dhe jetën e natës energjike, të orientuar drejt studentëve. Sheshi kryesor llogaritet ndër më simpatikët e vendit, i rrethuar nga ndërtesa historike dhe i bekuar me një kolonë të Trinisë së Shenjtë të mbrojtur nga UNESCO. Rrugët qendrore ndjellëse janë të mbushura me kisha të bukura, shumë prej të cilave servirin një histori emocionuese. Udhërrëfyesi turistik i Lonely planet e rendit Olomoucin ndër sekretet më të ruajtura në Evropë.

Të fundit