E shtunë, 27 Korrik, 2024

PROPOZIMI FRANCEZ NË “DARËT” E DEZINFORMATAVE MAQEDONASE

Shkruan: Puhiza Osmani 

Dezinformata të shumta kanë qarkulluar mes mediave bullgare dhe maqedonase në lidhje me propozimin francez. Nëse do të marrim për bazë mediat maqedonase rezulton se propozimi francez është në favor të të gjitha kërkesave bullgare. Nga ana tjetër në mediat bullgare rezulton se kërkesat nga Sofja nuk janë përfshir krejtësisht. Kryeministri Dimitar Kovaçevski nën një konferencë për shtyp në Bruksel nuk ka pranuar propozimin francez. Nga Instituti për media dhe analitikë Petrit Saraçini, u shpreh se dezinformatat janë produkt i qasjeve antiperëndimore faktikish i masave aktive të federatës ruse. Makineri propagandistike të këtyre dezinformatave në vend janë simpatizuesit e VMRO DPMNE-së dhe të partisë së majtë.

Dezinformimi dhe përhapja e lajmeve të rreme kanë qenë një fenomen gjithnjë e më i pranishëm gjatë viteve të fundit, pavarësisht nëse ka pasur një krizë politike apo ekonomike, një pandemi apo edhe një luftë. Gjatë të gjitha këtyre ngjarjeve të mëdha, shumë mendia në vendin tonë dhe në rajon kanë kërkuar të përdorin fushat e dezinformimit si asetet e tyre kryesore, madje edhe t’i armatojnë ato, siç tregon rasti i fundit me propozimin francez.

Drejtori i Instituti për Media dhe Analitikë (IMA), Petrit Saraçini, u shpreh se temat e dezinformimit shpesh kërkojnë të ndajnë grupet shoqërore duke u përpjekur të nxisin përgjigje emocionale për një çështje dhe duke u përpjekur të sigurojnë që njerëzit të marrin pozicione ekstreme, duke reduktuar gjasat për të arritur konsensus. Tregime të tilla synojnë të ngatërrojnë njerëzit dhe të gërryejnë besimin e tyre te burimet me reputacion të informacionit dhe në procesin demokratik në përgjithësi.

“Strukturat të cilat janë prodhuesit më dominant të lajmeve të rrejshme dhe dezinformatave dhe të lajmeve të pasakta lidhur me të gjithë procesin e negociatave i cili po zhvillohet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në kontekst të negociatave që duhet të hapë Maqedonia me Bashkimin Evropian, janë produkt i qasjeve antiperëndimore faktikish i masave aktive të federatës ruse, të cilat po zhvillohen jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por edhe në fqinjin tonë lindor pra në Bullgari. Kjo shihet qartazi nëse i ndiqni edhe mediat në Maqedoni edhe në Bullgari janë të njëjtat media, me përmbajtje pothuajse identike, të cilat madje edhe gabimet drejtshkrimore i kanë të njëjta, të cilat kur një media apo një protal e boton një tekst me dezinformata të tilla shpërndahen pothuajse në formë të njejt në më tepër portale.

Saraçini gjithashtu theksoi se Maqedonia e Veriut është shënjestruar nga fushat e dezinformatave të pothuajse 15 deri 20 portaleve. Sipas tij kjo propagandë e orkestruar e cila përforcohet përmes rrjeteve sociale dhe përmes përmbajtjeve të cilat në rrjetet sociale fuqizohen nëpërmjet pëlqimeve dhe shpërndarjeve në Twitter dhe Facebook, po përpiqet që ta largojë integrimin e edukimit mediatik.

“Këto makineri propagandistike janë kryesisht pjesë e dy partive opozitare në Maqedoninë e Veriut, parimisht nëse e shihni këtë kryesisht e bëjnë simpatizuesit e VMRO DPMNE-së dhe të partisë së majtë. Po ashtu janë edhe disa parti të vogla të cilat qartazi janë vënë në anën e propagandës antiperëndimore që po zhvillohet disa vite me rradhë dhe në formë më të theksuar pas referendumit në Maqedoni. Partia Edinstvena Makedonija e Janko Baçevit, dhe partia Rodina Маkedonija, janë dy strukturat politike të cilat qëndrojnë prapa kësaj propagande antiperëndimore, e cila në esencë ka qëllimin ta destabilizojë Maqedoninë dhe ta mbajë sa më larg integrimeve euro-atlantike.

Zëvendësministri i Vetëqeverisjes Lokale Zoran Dimitrovski, për Top Tema u shpreh se njerëzit tanë kanë rënë dakord që në të gjitha monumentet e Car Samoilit të shkruhet se ai është car bullgar, si dhe theksoi pse partia e tij, Bashkimi Demokratik, do të largohej nga qeveria nëse pranohej propozimi francez.

“Imagjinoni, njerëzit tanë tashmë kanë rënë dakord që të shkruhet në të gjitha monumentet e Car Samoilit se ai është një mbret bullgar. Dhe se duhet t’u japim tekstet shkollore që t’i kenë parasysh dhe të na thonë një mendim eksperti nëse na pëlqejnë tekstet. Nuk është dypalëshe. Të gjitha ato gjëra që bëni, duhet t’i bëni në mënyrë të dyanshme. Kur diçka është rënë dakord në diplomaci, duhet të keni një shënim se është një takim angazhimi që do të merret përsipër nga të dyja palët. Në Protokoll shihet se 90 për qind e punës e merr Maqedonia”, tha Dimitrovski.

Teksti i harmonizuar në komisionin e përbashkët historik që do të përdoret në monumentet e Car Samuelit, nuk përmban formulime të tilla, madje kundërshton tezën se në monumentet e Car Samuelit do të shkruhet se ai është një car bullgar.

“Car Samoil është sundimtar i një shteti të madh mesjetar, i cili e konsideron pjesën më të madhe të shkencës moderne historike si një mbretëri bullgare me qendër në territorin e Republikës monetare të Maqedonisë së Veriut. Ai mbulon një pjesë të konsiderueshme të tokave dhe popullsisë së Gadishullit Ballkanik. Car Samoil dhe fati i tij dramatik janë simbol i historisë së përbashkët, të cilën e ndajnë dy shtetet moderne R Maqedonia së Veriut dhe R e Bullgarisë. Komisioni i Përbashkët u propozon dy autoriteteve, në frymën e Traktatit dypalësh të nënshkruar, që përkujtimi i Mbretit Samoil të jetë një shenjë e dëmeve të përbashkëta dhe fqinjësisë së mirë dhe miqësisë së vërtetë”, shkruhet në tekstin e rënë dakord për një festë të përbashkët të mbretit Samoil.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski e hodhi poshtë propozimin francenz në një konferencë për shtyp në Bruksel pas Samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor.

“Propozimi francez, siç është për momentin, është i papranueshëm për mua, për presidentin e shtetit, për qeverinë, për partnerët e koalicionit dhe për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Populli im duhet të respektohet. Nëse gjatë presidencës franceze arrihet mirëkuptimi i qëndrimeve tona, ne jemi të gatshëm të angazhohemi në bisedime. Dua të shfrytëzoj rastin dhe të them që qytetarët e Maqedonisë së Veriut të qetësohen. Ne gjithmonë i kemi në plan të parë interesat dhe synimet strategjike të vendit. Askush nuk mund të imponojë asnjë zgjidhje pa pëlqimin tonë”, ka thënë Kovaçevski.

Nga LSDM-ja reaguan se sot janë fundosur të gjitha gënjeshtrat e përhapura nga VMRO-DPMNE.

“Me ditë të tëra Hristijan Mickoski, Dimitar Apasiev dhe zyrtarë të shumtë të VMRO-DPMNE-së dhe të Majtës kanë përhapur gënjeshtra se shteti do të bullgarizohet, se gjuha dhe identiteti janë shitur, qëllimisht kanë krijuar histeri në opinion për të dëmtuar pozitat shtetërore. Të gjitha ato gënjeshtra të qëllimshme për dëmtimin e shtetit janë fundosur. Mickoski dhe VMRO-DPMNE kanë rënë aq poshtë sa nuk kanë fytyrë për të kërkuar falje. Prandaj janë opozitë dhe do të qëndrojnë gjatë në opozitë”, thuhet në njoftimin e LSDM-së.

Të fundit