E shtunë, 27 Korrik, 2024

EKSKLUZIVE ME PRESIDENTEN OSMANI: SERBIA KA KRYER GJENOCID NË KOSOVË, S’KA PAJTIM PA DREJTËSI!

Pa vendosjen përpara drejtësisë të të gjithë përgjegjësve për civiët e vrarë dhe të dhunuar të Kosovës nuk do të ketë pajtim me Serbinë.

Këtë e tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë ekskluzive për KDPOLITIK gjatë mbajtjes së Forumit të Prespës për Dialog.

“Historia e dëshmon që, në rastet kur kemi pasur luftëra të përgjakshme, ai në rastin tonë kur kemi qenë viktimë e një regjimi gjenocidal të Millosheviqit, ekziston një parakusht i qartë para se të ndodhë pajtimi. Ai parakusht është drejtësia, duhet të ketë drejtësi për viktimat”, thotë Osmani.

Osmani ka vlerësuar se nuk mund të vendoset në një thes një shtet si Kosova, i cili sipas saj shkëlqen me reformat e veta jo vetëm në nivel të  Ballkanit Perëndimor por edhe më tej, me një shtet si Serbia. Ajo e cilëson Serbinë si përfaqësues i rrjeteve kriminale dhe korruptive, ku as nuk ka sundim të ligjit, as liri të mediave, as shoqëri civile, dhe ku shkelen të drejtat bazë të njeriut, sidomos të shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanoc, ndaj të cilëve, sipas saj, Serbia po kryen spastrim etnik me metoda administrative.

Intervistoi: SELADIN XHEZAIRI

KDPOLITIK: Zonja Presidente, Ju faleminderit që ndatë kohë për këtë intervistë, që ka të bëjë me ëndrrën e ballkanasve për integrim në Bashkimin Evropian (BE). Në këtë rrafsh, ku janë kosovarët?

VJOSA OSMANI: Kosovarët janë në Evropë, si gjithmonë, me aspirata të  qarta dhe vullnet të fuqishëm se kurrë që të ecin përpara në  rrugën euroatlantike. Për ne Bashkimi Evropian është unioni ku e kemi vendin, ku e kemi ulësen. Kjo nuk është vetëm aspiratë sepse punët tona janë shumë konkrete, kurse vlerat fundamentale të BE-së janë po ato vlera mbi të cilat është ngritur shteti i Kosovës, të cilat mbrohen dhe kultivohen me çdo kusht nga secili qytetar i Kosovës. Prandaj, aty synojmë dhe për atë punojmë çdo ditë. Në anën tjetër, në këtë kontekst kohor, po aq i rëndësishëm është edhe anëtarësimi në NATO. Nëse shikohet nga prizmi i sigurisë, lufta në Ukrainë po dëshmon çdo ditë e më shumë një ndikim gjithnjë më të madh të Rusisë dhe satelitëve të saj në rajonin tonë që të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor. Prandaj, përderisa ne bëjmë hapa konkretë me reforma konkrete, në njërën anë Bashkimi Evropian të hapë dyert për ato vende demokratike që i zbatojnë këto reforma në një proces të bazuar në meritokraci, ndërsa në anën tjetër edhe NATO të marrë këtë vendim sa më parë. Tekefundit, këto tashmë janë vendime gjeopolitike të cilat janë edhe në interes të vetë Bashkimit Evropian dhe të NATO-s. Natyrisht, këto integrime gjithnjë janë në interes edhe të qytetarëve tanë.

KDPOLITIK: Për të ndodhur integrimi në BE, në rajon së pari duhet të ndodh pajtim ndërmjet popujve. Përveç kësaj, që rajoni të integrohet në BE, nevojitet edhe një pajtim ndër-politik në Bruksel. Si i shikoni këto dy qasje?

VJOSA OSMANI: Ne e shohim se edhe vetë brenda vendeve të Bashkimit Evropian ka shumë mospajtime. Pra, jodomosdoshmërisht anëtaret e BE-së janë aty sepse pajtohen për gjithçka. Me rëndësi është që procesi i integrimit në BE të jetë i matshëm me kritere të qarta, të cilat një shtet i plotëson ose nuk i plotëson. Pajtimi, si një koncept shumë i përgjithshëm, historia e dëshmon që, në rastet kur kemi pasur luftëra të përgjakshme, ai në rastin tonë kur kemi qenë viktimë e një regjimi gjenocidal të Millosheviqit, ekziston një parakusht i qartë para se të ndodhë pajtimi. Ai parakusht është drejtësia, duhet të ketë drejtësi për viktimat. Fatkeqësisht në Kosovë, në Bosnjë e Hercegovinë e deri diku edhe në Kroaci nuk ka pasur drejtësi dhe nuk ka akoma. Diku rreth 20 mijë gra dhe burra janë dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe nuk ka asnjë rast të vetëm ku Serbia ka vendosur kryerësit e këtyre veprave gjenocidale para drejtësisë. Trembëdhjetë mijë civilë janë vrarë brenda disa muajsh, ndërkaq kemi numrin më të madh të fëmijëve të vrarë në krahasim me luftërat tjera në ish-Jugosllavi, nëse e krahasojmë me përqindjen e përgjithshme të popullatës. Pra, një gjenocid i paparë ka ndodhur në tokën e Kosovës brenda një periudhe të shkurtër. Mos të flasim për diskriminimin sistematik përgjatë dhjetëvjetëshit që i ka paraprirë luftës në Kosovë. Të kërkosh drejtësi do të thotë se je i interesuar të kontribuosh në paqe afatgjatë, në stabilitet afatgjatë e mbi të gjitha në pajtim. Republika e Kosovës gjithnjë ka kontribuar, qoftë në procesin e pajtimit e qoftë në procesin e paqes dhe stabilitetit, por njëkohësisht ne mësojmë nga historia. E historia e ka dëshmuar se, qoftë në kontinentin evropian e qoftë diku tjetër, duhet të ketë drejtësi për viktimat civile, duhet të vendosen kriminelët prapa grilave. Fatkeqësisht, bllokuese e këtij procesi në rajon është Serbia. Ky është shteti i vetëm që nuk është i gatshëm të ballafaqohet me të kaluarën, nuk është i gatshëm të distancohet nga krimet e regjimit të Millosheviqit dhe të vendosë autorët e këtyre krimeve prapa grilave, por përkundrazi – i vendos ato në pozicione të larta në institucionet e drejtësisë, të sigurisë, u japin medalje e çfarëdo tjetër, dhe çdo ditë e arsyetojnë çdo veprim të Millosheviqit në vend se të distancohen nga ai.

KDPOLITIK: Zonja Presidente, vlerësohet se qeveria Juaj dhe qeveria e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, që sapo doli nga zgjedhjet parlamentare në Serbi, kanë kapacitet për t’i lënë prapa hasmëritë. Në dialogun që po zhvillohet me ndërmjetësim euro-amerikan, do të arrini që t’i lini prapa këto probleme të së shkuarës?

VJOSA OSMANI: Do të thoja se kjo nuk është vetëm thjeshtëzim i tepërt, por edhe tentim për ndryshimin e historisë. Të kualifikohet konflikti mes Kosovës dhe Serbisë thjesht si hasmëri në kohën kur Serbia ka kryer gjenocid, ka kryer krime lufte dhe ka kryer krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile në Kosovë, nuk është rruga e duhur për të shkuar përpara. Pranimi i realitetit, ballafaqimi me të kaluarën dhe drejtësia për viktimat është rruga e duhur përpara. Tani të thuhet se unë duhet ta lë prapa shpine faktin se vetëm në një familje, pra vetëm një shembull ua marr, se 54 anëtarët e kësaj familjeje janë djegur tri herë radhazi nga ana e forcave policore serbe, përfshi foshnje gjashtëmuajshe, dhe personi që e ka urdhëruar këtë gjenocid ndaj fëmijëve tash është promovuar në një pozicion më të lartë nga qeveria e Beogradit, është sikur të thuash se ne duhet të bëjmë ndryshim të historisë dhe ta barazojmë agresorin me viktimën. E këtë nuk do ta bëj as unë e askush në Republikën e Kosovës, sepse ne jemi përfaqësues të një populli që ka sakrifikuar shumë për lirinë dhe pavarësinë që e gëzojmë sot. Prandaj, ndryshim të historisë assesi por për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate, si dhe pajtim, pasi kriminelët të vendosen prapa grilave. E dyta që duhet ta kemi parasysh është se këtu nuk mund të gjithë të vendosen në një thes. Nuk mund të vendoset në një thes një shtet si Kosova, i cili shkëlqen me reformat e veta jo vetëm në nivel të  Ballkanit Perëndimor por edhe më tej në aspekt të sundimit të ligjit, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut, e të krahasohet me një shtet si Serbia, i cili është përfaqësues i rrjeteve kriminale dhe korruptive, ku as nuk ka sundim të ligjit, as liri të mediave, as shoqëri civile, dhe ku shkelen të drejtat bazë të njeriut, sidomos të shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanoc, ndaj të cilëve Serbia po kryen spastrim etnik me metoda administrative. Kur themi t’i lëmë hasmëritë prapa duhet në fakt të tregojmë se këto hasmëri janë gjenocid i Serbisë në raport me popullatën civile në Kosovë. Gjenocidi nuk është as krim që vjetërsohet, as krim që harrohet, as krim që lihet prapa, por është krim për të cilin kryerësit duhet të vendosen para drejtësisë. Kosova ecë përpara duke shtrirë dorën e pajtimit, duke kontribuar në paqe, duke bashkëpunuar, asnjëherë duke atakuar fqinjët e saj, por gjithnjë duke e mbrojtur vetveten, siç e kemi bërë gjatë historisë. Serbia e bën të kundërtën, çdo ditë tenton ta destabilizojë Kosovën, ta shkelë integritetin tonë territorial, të financojë e të mbështesë kriminelë që janë në listën e zezë të SHBA. Pra, këtu dallimi është eklatant, është i qartë. Prandaj Kosova duhet të trajtohet ndryshe, Serbia të trajtohet ndryshe. Jo të thuhet leni gjërat prapa sepse gjenocidi nuk lihet prapa, por duhet të trajtohet.

KDPOLITIK: Është e saktë, por u takon politikanëve që problemeve t’u japin udhë. Ju keni takuar këtu në Ohër diplomatë amerikanë ku keni biseduar për ato  zgjidhje. Pak para kësaj interviste bisedova me të dërguarin e BE-së, diplomatin Miroslav Lajçak, i cili ishte optimist se së shpejti do t’ia dilni të gjeni një zgjidhje. Cila mund të ishte ajo zgjidhje kompromisi që do të përshpejtonte integrimin euroatlantik të të gjithë rajonit?

VJOSA OSMANI: Padyshim se ka vetëm një zgjidhje, e ajo është njohja reciproke. Edhe kjo njohje reciproke përbrenda sistemit aktual kushtetues të Kosovës ka qenë kompromis i madh për Republikën e Kosovës. Kur ta lexoni Kushtetutën tonë ju i shihni aty qindra kompromise, të cilat na kanë sjellë buzë jofunksionalitetit. E drejta e vetos e pakicës serbe në Kosovë bllokon pothuajse çdo aspekt të jetës institucionale në Kosovë. Ka qenë një kompromis mjaft i dhimbshëm, por e kemi bërë që Kushtetuta jonë t’i integrojë të gjitha komunitetet, e jo që i ndan, që krijon segregacion e që krijon mure. Prandaj, njohja e këtij realiteti institucional të Kosovës, njohja reciproke sjell paqe dhe stabilitet afatgjatë  në rajon.

KDPOLITIK: Nga vëzhgues të ndryshëm ka vlerësime se Beogradi zyrtar më parë  do të pranonte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë sesa njohjen e pavarësisë së Kosovës?

VJOSA OSMANI: Pikërisht këtë Beogradi e ka avokuar për një kohë të gjatë, sepse qëllimi i Beogradit është që projekti i Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran të zhduket, të jetë inekzistent. Por çdonjëri vëzhgues, siç e quani ju, duhet ta ketë të qartë se Kosova si shtet i pavarur dhe sovran është aty për të qëndruar përgjithmonë. Jo përkohësisht, por përgjithmonë. Kosova nuk e ka shpallur pavarësinë duke menduar se cila është preferenca e Beogradit. Kosova e ka shpallur pavarësinë si realizim i aspiratave dhe vullnetit të qartë të popullit të Kosovës. Se çka është Kosova dhe çka do të jetë në të ardhmen është vendim që është i bazuar vetëm në vullnetin e popullit të Kosovës, e jo vendim i bazuar në dëshirat e Serbisë. Prandaj, sa më shpejtë të pranohet realiteti i Kosovës së pavarur dhe sovrane nga ana e Serbisë, aq më mirë për Serbinë, për rajonin dhe Evropën e bashkuar sepse kjo sjell paqe dhe stabilitet afatgjatë.

KDPOLITIK: Ka vlerësime se lidershipi në Kosovë refuzon nismat rajonale, më konkretisht refuzon Ballkanin e Hapur. Kishte paralajmërime se kryeministri Albin Kurti  që nuk erdhi në samitin e Ohrit, do të marrë pjesë këtu në Forumin e Prespës, por nuk erdhi dhe për këtë kishte shumë spekulime. Në fakt, pse Kosova refuzon të bëhet pjesë e nismës së treshes tashmë të njohur Vuçiq-Rama-Zaev?     

VJOSA OSMANI: E para,  nuk e di se për çfarë spekulimesh flisni por Forumi i Prespës nuk ka asnjë lidhje me iniciativën e Ballkanit të Hapur. Unë këtu e kam përfaqësuar Republikën e Kosovës dhe të gjitha institucionet e saj. Përveç meje këtu ishte edhe zëvendës-kryeministrja dhe ministre e punëve të jashtme, dhe kemi qenë jashtëzakonisht aktivë në pjesëmarrjen tonë. Kushdo që thotë se Kosova refuzon iniciativat rajonale duhet ta dijë se Kosova është anëtare e 112 iniciativave rajonale. Atë që refuzon Kosova është hegjemonia serbe dhe projektin serbomadh. Këtë Kosova e refuzon.

KDPOLITIK: Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, kanë thënë se do të jenë gardianë të Kosovës në këtë nismë. Në të njëjtën vijë ishte edhe kryeministri malazez Dritan Abazoviq.

VJOSA OSMANI: Ne jemi përfaqësues të Republikës së Kosovësn dhe ne flasim për Republikën e Kosovës. Nisma e Ballkanit të Hapur ka shkelur dy parime themelore: e para, parimin e barabarësisë së të gjitha shteteve, dhe e dyta – parimin e gjithpërfshirjes. Këto kanë qenë parime bazike para secilit projekt. Natyrisht se ne nuk i akuzojmë të tjerët pse janë pjesë e një nisme të tillë, është vendim i tyre sovran që e kanë marrë vetë këto tri shtete, dhe ne si shtet nuk kemi të drejtë të atakojmë asnjërin prej tyre se pse janë aty. Megjithatë, kërkojmë respekt të plotë ndaj vendimit sovran të Kosovës, qëndrim ky që është analizuar gjerë e gjatë, jo vetëm nga aspekti i integrimeve politike, ekonomike apo evropiane, por edhe nga aspekte tjera që na kanë dhënë argumente që të nxjerrim një konkluzion të tillë se, në një nismë ku Serbia ka rol kyç Kosova nuk do të trajtohet si e barabartë, si parakusht për të marrë pjesë në cilëndo iniciativë. Natyrisht se ne kurrë s’kemi marrë garanci nga askush se Kosova do të trajtohet si shtet i pavarur, sovran, i njohur nga të gjithë dhe si shtet interesat e të cilit nuk do të shkeleshin në atë iniciativë. Pra, e tëra që kemi kërkuar është barabarësia dhe gjithëpërfshirja, gjë që nuk është plotësuar. Përkundrazi, është lënë hapësirë interpretimi për rolin gjithnjë e më të madh të Serbisë, e cila edhe sot e kësaj dite e bllokon Kosovën, tenton ta bllokojë anëtarësimin tonë në Këshillin e Evropës dhe në përgjithësi në rrugën tonë euroatlantike. Nuk mundet Serbia edhe të na bllokojë, luftojë dhe destabilizojë çdo ditë, edhe të na ftojë në një iniciativë të cilën e ka formuar vetë.

 

Të fundit