E premte, 26 Korrik, 2024

EUROPA GJITHMONË RRITET NË KOHË TË VËSHTIRA

Tashmë kur ka mbetur edhe shumë pak kohë për ta parë fundin nëse do të ketë një zgjidhje dhe Maqedonia e Veriut do të fillojë negociatat, diplomatë europianë po intensifikojnë përpjekjet. Propozimi francez tashmë është në tavolinë ndërkohë që nga Shkupi zyrtar akoma nuk ka një qëndrim. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka shfaqur besim se mund të ketë një zgjidhje deri në fund të muajit. “Unë nuk i takoj këndit të pesimistëve dhe mendoj që deri në fund të muajit do të gjendet një zgjidhje dhe do të ketë një epilog në favor të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe ardhmërisë”, ka theksuar Ahmeti. Ndërkohë, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Barbock ka theksuar se është momenti që Ballkanit Perëndimor t’i jepet lajmi i shumëpritur, që duhet hapur menjëherë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. “Evropa gjithmonë rritet në kohë të vështira”, ka theksuar Barbock. Mbetet të shihet se çfarë do të sjellin këto ditë vendimtare.

Shkruan: Enis Shaqiri

Diskutime paraprake në Luksemburg, teksa Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten në pritje të datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Barbock, gjatë mbërritjes së saj në Këshillin e Punëve të Jashtme në Luksemburg, nënvizoi se është momenti që Ballkanit Perëndimor t’i jepet lajmi i shumë pritur, lajm ky, në favor që duhet hapur menjëherë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Ne mirëpresim rekomandimin e Komisionit për Ukrainën dhe Moldavinë, ky është një moment historik dhe të gjithë duhet të pyesin veten se çfarë do të ndodhë nëse marrim vendime të gabuara. Evropa gjithmonë rritet në kohë të vështira dhe ne jemi gjithashtu në favor të dërgimit të një mesazhi për Ballkanin Perëndimor, duke hapur menjëherë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.

Nga ana tjetër bëhet e ditur se sonte në Luksemburg, përfaqësuesit e përhershëm diplomatik të vendeve anëtare të BE-së do të takohen për të diskutuar të ashtuquajturin “propozim francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe për fillimin e negociatave me Shkupin dhe Tiranën për anëtarësim në Union Evropian.

Ndërkaq, propozimi francez mbetet i pakomentuar nga Shkupi zyrtar. Ende nuk dihet qartë nëse palët kanë komunikuar gjatë këtyre ditëve dhe si do të përgjigjet institucionet në Shkup.

Kujtojmë se edhe pse qeveria nuk e komenton, këtë e ka komentuar kreu i BDI-së Ali Ahmeti i cili dje bëri të ditur se procesin e lehtëson Franca, ndërkohë që beson në një zgjidhje të shpejtë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Këtë proces e lehtëson Presidenti Makron. Unë nuk i takoj këndit të pesimistëve dhe mendoj që deri në fund të muajit do të gjendet një zgjidhje dhe do të ketë një epilog në favor të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe ardhmërisë”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Marko Troshanovski, kryetari i Institutit për demokraci, kërkon që urgjentisht të caktohet seancë në Kuvend ku do të debatohet për propozimin francez.

Ky është precedent që deri më tani nuk ka ndodhur edhe pse disa thonë se tani topi nga Sofja kthehet në Bruksel, megjithatë Sofja do të ketë kontribut të madh në përgatitjen e këtyre raporteve që kanë të bëjnë me progresin. Problemet që mund të inkuadrohen brenda tyre, nuk na garanton se në të ardhmen kjo deklaratë nuk do të abuzohet gjatë vlerësimit të progresit tonë në procesin e negociatave dhe gjuha përsëri të bëhet një prej kushteve për progresin e Maqedonisë,” deklaroi Marko Troshanovski.

Propozimi francez javën e kaluar iu dorëzua të gjitha vendeve anëtare që duhet të prononcohen në lidhje me të, mes të cilëve është edhe Bullgaria, e cila qëndrimin e saj duhet ta formojë në Kuvend, Nga Sofja pritet që nëse i përgjigjet pozitivisht propozimeve të presidencës franceze për zgjidhjen e kontestit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, këshilli për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, duhet që ta miratojë kornizën negociuese dhe dokumentet shoqëruese për Shkupin dhe Tiranën, ndërsa në Samitin e Ballkanit Perëndimor të enjten të përcaktohen edhe datat për nisjen e negociatave.

Në ndërkohë Parlamenti i Bullgarisë njofton se Ministria e Punëve të Jashtme ka dërguar një projekt protokoll dypalësh midis Sofjes dhe Shkupit, si rezultat i bisedimeve të fundit midis dy vendeve. Këtë e ka konfirmuar Ministria e Jashtme bullgare, ku thotë se dokumenti i fundit i kërkuar, i cili pritet të nënshkruhet nga të dyja palët, tashmë është dorëzuar në shërbimet parlamentare. Por, sipas orarit të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Bullgarisë, ende nuk është caktuar seanca e Komisionit për Punë të Jashtme.

Pres që Komisioni i Politikës së Jashtme të mblidhet në çdo moment për të formuluar qëndrimin e tij në lidhje me Këshillin, i cili do të fillojë pas disa ditësh në Bruksel, dhe për të ditur se me çfarë qëndrimi do të shkojë atje kryeministri bullgar”, tha Iliana Jotova, zëvendëspresidente e Bullgarisë.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë thonë se për momentin nuk ka mbërritur asgjë.

Profesori dhe analisti nga Washingtoni, Edward P. Joseph thotë se Maqedonia e Veriut, meriton nisjen e negociatave për anëtarësim në BE, ku sipas tij në qoftë se nisja e negociatave do të dështonte, do të ishte një tradhti ndaj besimit të Maqedonisë së Veriut.

Atë çfarë e thashë vitin e kaluar mban ende. Tani është edhe më e vërtetë, sepse është tradhti ndaj besimit të Maqedonisë së Veriut, plotësisht, sepse Maqedonia e Veriut ka bërë gjithçka çka mund të kërkosh nga një shtet të bëjë”, ka thënë analisti Joseph.

Sipas profesorit Joseph, me Marrëveshjen e Prespës, u krijua identiteti dhe gjuha maqedonase.

Greqia bëri lëshime. A e dini ku janë provat? Dëshmia e lëshimeve të bëra nga Greqia, për të cilat fitoi Maqedonia e Veriut, po, do të përdor fjalën “fitoj”, është fakti që Greqia njohu gjuhën maqedonase dhe kombin maqedonas. Bullgaria e pa që Greqia e njeh identitetin maqedonas dhe kjo është dëshmi se Marrëveshja e Prespës ishte e mirë. Pastaj Bullgaria filloi lojërat”, tha Joseph.

Të fundit