E premte, 26 Korrik, 2024

NJË GREVË MERR EPILOG, NJË TJETËR FILLON

Punonjësit e Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë, kanë njoftuar se nga dita e enjte do të ndërpresin grevën dhe do të kthehen në vendin e punës për t’u shërbyer qytetarëve pas marrëveshjes së arritur për rritje pagash për 30 për qind. Ndërkohë Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) ka bërë thirrje për grevë me qëllim të mbrojtjes së të drejtave ekonomike dhe sociale të anëtarëve të saj dhe të punësuarve në sektorin publik. Siç bënë të ditur nga LSM, greva është paralajmëruar për më 22 qershor, ndërsa afati për përmbushjen e kërkesave të tyre është deri më 21 qershor të këtij viti.

Shkruan: Eljesa Dervishi

Të punësuarit në Drejtorinë për Udhëheqjen e Librave Amë, filluan grevën shtatë javë më parë, pasi siç thonë ata, nuk kanë marrë disa paga, K15, ditët shtesë të punës. Numri i madh i të punësuarve kanë marrë pagë prej 16.000 ose 17.000 denarë që është nën pagën minimale.

Mirëpo sot, Punonjësit e Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë, kanë njoftuar se nga dita e enjte do të ndërpresin grevën dhe do të kthehen në vendin e punës për t’u shërbyer qytetarëve.

Kjo pasi Sindikata e pavarur e punonjësve në Librat Amë dhe Drejtoria kanë gjetur gjuhë të përbashkët dhe kanë nënshkruar marrëveshje kolektive. Nga Sindikata thonë se e pezullojnë grevën deri në fund të muajit të ardhshëm, për të parë nëse Qeveria do të rrisë pagat sipas Marrëveshjes.

“Të gjithë do të jenë në vendet e punës prej të enjten. Por greva do të jetë në pauzë deri më 20.07.2022, ndërsa më pas do të vendosim se si, në qoftë se nuk na gjendet zgjidhje për atë pjesë financiare të cilën Qeveria duhet ta zgjidh për neve sipas Marrëveshjes Kolektive”, tha Toni Millosheski nga Sindikata e pavarur i të punësuarve në Librat Amë.

Drejtori i Drejtorisë për udhëheqjen e Librave Amë, Blerim Abazi tha se e ka informuar Qeverinë për marrëveshjen e arritur me punonjësit dhe pret që së shpejti Qeveria të marr vendim edhe për rritjen e pagave për 30 për qind.

“Me Marrëveshjen Kolektive konstatohen kritere për pushim vjetor, mungesat me pagesë ose pa pagesë, kontributet e rrogës dhe të ardhurat e tjera. Pagesën e regresit për pushimin vketor, shtresën e pagës, pagesën e çmimit jubilar e kështu me radhë. Si të drjetë të cilën sindikata dhe punëdhënësit e konstatojnë në këtë Marrëveshje Kolektive është që paga minimale të jetë pagë bazë”, theksoi Blerim Abazi, Drejtor i drejtorisë për udhëheqjen e librave Amë.

Nga ana tjetër, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) bën thirrje për grevë me qëllim të mbrojtjes së të drejtave ekonomike dhe sociale të anëtarëve të saj dhe të punësuarve në sektorin publik. Siç bënë të ditur nga LSM, greva është paralajmëruar për më 22 qershor, ndërsa afati për përmbushjen e kërkesave të tyre është deri më 21 qershor të këtij viti.

Nga LSM-ja njoftuan se greva organizohet për mbrojtje të të drejtave ekonomike dhe sociale dhe realizimin e këtyre kërkesave nga marrëdhënia e punës – lidhje e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive për sektorin publik me rritje të përcaktuar të pagave të të punësuarve në sektorin publik për 2.806 denarë në vlerë neto, sipas rritjes së pagës minimale të publikuar në Gazetën Zyrtare nga 24 shkurti i vitit 2022 dhe të drejtë të konfirmuar të regresit për pushim vjetor në vlerë prej 30 deri 100 për qind të bazës.

Siç theksojnë nga LSM, vendim për thirrje për grevë bashkë me paralajmërim me shkrim për grevë është dorëzuar në Qeveri, Kuvend dhe të kryetarët e komunave në drejtim të paralajmërimit të grevës sipas Ligjit për marrëdhënie pune.

 

 

Të fundit