E premte, 26 Korrik, 2024

FËMIJËT, ALARMI I VARFËRISË DHE PËRJASHTIMIT SOCIAL

Vala e rritjes së çmimeve ka goditur në veçanti familjet që jetojnë në varfëri. Sipas Eurostat-it 40 përqind e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut jetojnë në varfëri. Nga “Megjashi” theksojnë se nga kriza e fundit më të goditura janë familjet e varfra. “Lufta për mbijetesë është e përditshme, frika dhe stresi edhe më i madh, sidomos kur bëhet fjalë për përditshmërinë e fëmijëve të këtyre familjeve”, theksojnë nga “Megjashi”. Sipas Avokatit të Popullit, Naser Ziberi, fusha e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve është me numër më të madh ankesash dhe parashtresash menjëherë pas ankesave për gjyqësorin. Këto ankesa, thotë ai, kanë të bëjnë me të gjithë spektrin, nga të drejtat në arsim, të drejtat prindërore e deri te të drejtat për asistencë sociale

Shkruan: Gentuar Ismaili

Pasojat e rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe higjienike i kanë goditur më së shumti familjet që jetojnë në varfëri. Situata e vështirë në të cilën ndodheshin më parë këto familje, tashmë po bëhet e padurueshme dhe jonjerëzore. Lufta për mbijetesë është e përditshme, frika dhe stresi edhe më i madh, sidomos kur bëhet fjalë për përditshmërinë e fëmijëve të këtyre familjeve. Kështu i komentojnë të dhënat e fundit të Eurostat, organizata e parë e fëmijëve në botë “Megjashi”, se  40% e fëmijëve në vendin tonë jetojnë në varfëri dhe janë të përjashtuar social.

Sipas tyre, fëmijët më të varfër vuajnë si rezultat i efekteve të kombinuara të rreziqeve dhe mungesave të shumta, të tilla si mos shkuarja në shkollë, lëvizshmëria e kufizuar dhe përshtatja e shprehur ndaj mësimit në distancë, aksesi i pamjaftueshëm në internet dhe kushtet e këqija të strehimit, të cilat janë veçanërisht të rëndësishme për përparimin e të mësuarit të fëmijëve në momentin e mbylljes dhe mosfunksionimit të shkollave si dhe stresin, si të prindërve ashtu edhe të mësuesve që e ndjejnë atë.

“Në vitin 2021, sipas raportit vjetor të telefonit  SOS nga gjithësej 329 raste të paraqitura ose 449 fëmijë të përfshirë, gjithësej 108 raportime janë bërë për shkelje të së drejtës së aksesueshmërisë, gjegjësisht 30 fëmijë kanë raportuar probleme me qasje nëpër shkolla, gjërat bazike nuk u janë të qasshme 37 fëmijëve, derisa 18 fëmijë kanë probleme me qasje në mbrojtjen shëndetësore dhe pamundësinë ta fitojnë të drejtën e ndihmës mjekësore, si dhe 6 raportime janë të lidhura me probleme për qasje në shërbime të ndryshme sociale dhe ekonomike. Fatkeqësisht, gjendja e fëmijëve dhe e drejta e tyre për aksesueshmëri vazhdon të shkelet edhe në vitin 2022”, theksojnë nga Megjashi.

Mirëpo, sipas tyre varfëria e fëmijëve nuk është çështje që mund të zgjidhet menjëherë. Ajo duhet të vendoset si qëllim prioritarë dhe të gjitha palët duhet të jenë të përfshirë në mënyrë aktive në çrrënjosjen e saj.

Se ka shumë ankesa nga fusha e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, e pohon  edhe Avokati i Popullit.

“Fusha e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve është me numër më të madh ankesash dhe parashtresash menjëherë pas ankesave për gjyqësorin. Këto ankesa kanë të bëjnë me të gjithë spektrin, nga të drejtat në arsim, të drejtat prindërore e deri te të drejtat për asistencë sociale”.

Naser Ziberi thekson se Avokati i Popullit me vëmendje i trajton të drejtat nga sfera e mbrojtjes sociale dhe rekomandimet për shkeljen e këtyre të drejtave ua drejton organeve kompetente, në rend të parë Qendrave për punë sociale por, edhe Minstrisë së Punës dhe Politikës Sociale.

Përndryshe, sipas të dhënave të Eurostat-it, Maqedonia e Veriut rënditet e pesta në Europë, sa i përket fëmijëve të varfër me 40%,  e ndejkur nga Shqipëria me një numër rekord në këtë drejtim,  pastaj Mali i Zi me 48.5%,Turqia me 43.4%, Rumani me 41.5%.

Të fundit