E shtunë, 27 Korrik, 2024

PËRFSHIRJA E EDUKIMIT MEDIATIK NË SHKOLLA MBETET NEVOJË THELBËSORE DHE URGJENTE

Edukimi mediatik gjithnjë e më tepër po merr vëmendje në shoqëri. “Edukimi mediatik tashmë është bërë pjesë e arsimit fillor. Edukimi mediatik është i patjetërsueshëm dhe mënyra më e mirë për të luftuar informatat e rreme dhe idetë konspirative në media dhe rrjetet sociale”, thotë gazetari Naser Selmani, ndërkohë që gazetarja Anila Limani vlerëson se institucionet arsimore kanë kapacitete që të mundësojnë realizimin e edukimit mediatik në shkolla. “Me këtë lëndë nxënësit do të mund të mësojnë që të dallojnë lajmin e vërtetë nga lajmi i rremë”, thotë Limani. Profesori universitar Agron Kurtishi thotë se në Maqedoninë e Veriut ka një mangësi të madhe sa i përket konceptit të edukimit mediatik në procesin arsimor. Sipas tij, lëndët e tilla mediatike duhet të jenë thelbësore në të gjitha nivelet e arsimit njëlloj si matematika, biologjia, historia dhe të tjera

Shkruan: Gentuar Ismaili

Edukimi mediatik është njëra ndër temat më të diskutuara në opionin publik, në biseda informale, në diskutime formale nëpër tryeza të rrumbullakta, nëpër punëtori, konferenca shkencore etj.

Shumë persona të jetës publike, aktivistë të organizatave jo qeveritare dhe përfaqësues të botës mediatike dhe akademike shpesh janë të ndarë në mendime, nëse duhet të futet si lëndë nëpër shkolla ose jo.

Ish krytari i Shoqatës së Gazetarëve, gazetari Naser Selmani, thekson rëndësinë e futjes së edukimit mediatik si lëndë zgjedhore nëpër shkolla. Sipas tij, kjo do t’iu ndihmojë të rinjve për detektimin e lajmeve të rreme.

“Edukimi mediatik tashmë është bërë pjesë e arsimit fillor. Edukimi mediatik është i patjetërsueshëm dhe mënyra më e mirë për të luftuar informatat e rreme dhe idetë konspirative në media dhe rrjetet sociale. Nëse është e pamundur të parandaloni shpërndarjen e informavate te pavërteta në media dhe hapesirën online, atëherë duhet të edukohen gjeneratat e reja për të njohur më mirë punën e mediave dhe keqpërdorimin e tyre”, thekson Selmani.

Selmani thotë se në vitin mësimor 2021/2022 programet e reja mësimore parashohin edukim mediatik për nxënësit e klasës së parë dhe të katrërt, ndërsa viteve në vijim këto programe do të zbatohen edhe në klasët tjera. “Edukimi mediatik mund të ketë vetëm efekte pozitive që gjeneratat e reja të aftësohet për të mos rrënë viktima të definformatave dhe misinformatave të pranishme në media dhe platformat online”, thekson Selmani.

Gazetarja Anila Limani vlerëson se institucionet arsimore kanë kapcitete që të mundësojnë realizimin e edukimit mediatik në shkolla.

“Edukimi medial duhet të hyjë në shkollë, të paktën si lëndë zgjedhore. Duke pas parasysh evoluimin e mediave dhe shpejtësinë me të cilën parhapen lajmet në ditën e sotme, e pakta që mund të bëhet në këtë drejtim është që edukimi medial të futet në shkollë si lëndë zgjedhore.  Me këtë lëndë nxënësit do të mund të mësojnë që të dallojnë lajmin e vërtetë nga lajmi i rremë, do të mund t’í kuptojnë në një farë mënyre edhe prapaskenat e lajmit. Do të mund të dallojnë  dhe ndajnë lajmin nga propaganda. Nëpërmjet edukimit medial do të mund të mësojnë dhe kuptojnë pse ndonjë lajmi i jepet shumë hapësire dhe ndonjë lajm tjetër kalon në heshtje.  Besoj se institucionet arsimore kanë kapacitete që të mundësojnë që kjo lëndë mësimore të mësohet në shkolla. Hapësirë ka, kuadër ka, mbetët vetëm dëshira dhe vullneti. Sigurisht që do të ketë efekte pozitive tek ata që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e gazetarisë”, thotë gazetarja Limani.

Edhe profesori universitar dhe ligjëruesi i lëndëve të Medias dhe Komunikimit Agron Kurtishi e thekson rëndësinë e futjes së kësaj lënde nëpër shkolla. Ai potencon që ajo duhet të jetë prezente që në klasën e parë deri në universitete.

“Jam i mendimit se në Maqedoni ka një mangësi të madhe sa i përket konceptit të edukimit mediatik në procesin arsimor në të gjitha fushat në përgjithësi, duke filluar nga arsimi fillor, në arsimin e lartë. Lëndët e tilla mediatike duhet të jenë thelbësore në të gjitha nivelet e arsimit njelloj si matematika, biologjia, historia dhe të tjera. Veçanërisht në Gjermani, edukimi mediatik, si dhe lëndët e tjera që mësojnë ndikimin e medias, kanë qenë pjesë përbërëse e programit arsimor që në klasat e para të shkollës fillore dhe kjo, jo pa arsye. Sistemi arsimor në Maqedoni, që nga pavarësia e deri më sot, ka pësuar disa reforma ‘serioze’ – veçanërisht futja e klasës së nëntë, sistemi i transferimit të krediteve në arsimin e lartë, i cili supozonte ndryshime në programet e studimit dhe lëndët specifike.Mendoj se reformat në sistemin arsimor nuk kanë marrë parasysh edukimin mediatik”, thekson Kurtishi.

Janë bërë shumë reforma,thotë ai, por kjo çështje as që është diskutuar, e lëre më të bëhet diçka. “Kjo është një temë shumë delikate për të cilën duhet të jemi të vetëdijshëm. Nga njëra anë, nuk mund të fajësojmë institucionet e arsimit të lartë që nuk ofrojnë një lëndë të tillë sepse stafi akademik nuk ka kompetenca të caktuara në këtë fushë dhe universiteti si i tillë nuk i ka dërguar në kurse dhe trajnime në këtë fushë. Nga ana tjetër, studimi për gazetari, media dhe komunikim duket se është pjesë e kësaj fushe, por jo gjithmonë do të thotë se keni trajtuar dhe trajnuar studentë në këtë fushë. Edukimi mediatik na mëson se çfarë përbërësish ka media, ashtu si ushqimi përmban përbërës të ndryshëm dhe nëse nuk i njohim ata mund të na shkaktojnë probleme shëndetësore, ashtu si mediat, nëse nuk i njohim, ata mund të na shkaktojne disa probleme afatgjata”, thekson Kurtishi.

Përndryshe, që nga fillimi i vitit, ka filluar një projekt i USAID-it në bashëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Institutin mediatik në Maqedoninë e Veriut, i cili do të zgjas 5 vite dhe i cili ka për qëllim trajnimin e mësimdhësve në mënyrë që ata të jenë të gatshëm në ligjerimin e kësaj lënde kur ajo të fillojë të futet në shkolla.

Të fundit