E premte, 26 Korrik, 2024

“BALLKANI I HAPUR” ME MARRËVESHJE TË REJA, SHBA MBËSHTET NISMËN

Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur kanë nënshkruar katër marrëveshje, që sipas tyre do të thellojnë edhe më tej bashkëpunimin në sferën ekonomike, të arsimit, kulturës dhe turizmit. Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka theksuar se SHBA-të e mbështesin nismën “Ballkani i Hapur”, duke nënvizuar se çdo nismë duhet të përfshijë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë

Shkruan: Enis Shaqiri

Në Ohër është mbajtur samiti dyditor në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur”. Pjesëmarrësit kryesor të kësaj nisme kanë qenë, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria. Këtij takimi në cilësinë e vëzhguesve u janë bashkuar edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq si dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës.

Maqedonia, Shqipëria dhe Serbia në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur nënshkruan katër marrëveshje, që sipas tyre do të thellojnë edhe më tej bashkëpunimin në sferën ekonomike, të arsimit, kulturës dhe turizmit. Marrëveshja e parë ka të bëjë me luftën kundër evazionit fiskal, gjegjësisht, shmangies së pagesës së tatimit. Në marrëveshjen e arritur theksohet nevoja për punë të përbashkët për të inkurajuar përmbushjen e detyrimeve tatimore në të tre vendet.

Në tekstin e Marrëveshjes së paraparë në fushën e njohjes reciproke të diplomave, iniciativa mbron përshpejtimin e procedurave për njohjen e diplomave të arsimit të lartë ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Memorandumi për bashkëpunim kulturor promovon shumëllojshmërinë kulturore, dialogun ndërkulturor dhe mirëkuptimin e ndërsjellë. Në shtatë nenet e Memorandumit, shtetet angazhohen për të inkurajuar lëvizshmërinë e punonjësve të kulturës, financimin e projekteve kulturore dhe thellimin e bashkëpunimit institucional.

Marrëveshjet, mes tjerash, përfshijnë lëvizjen e qytetarëve të tyre me letërnjoftime, bashkëpunim në lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave, si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punë

Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, potencoi se SHBA-të e mbështesin nismën “Ballkani i Hapur”, duke nënvizuar se çdo nismë duhet të përfshijë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë.

Duke iu u drejtuar me një video mesazh takimit, Escobar tha se Shtetet e Bashkuara e shohin rajonin nga prizmi i shekullit të 21-të e jo nga problemet e shekullit të 20-të.

Ky nuk është projekt politik, por është një projekt shumë i rëndësishëm ekonomik. Dhe me rëndësi është që të mbetet projekt ekonomik në mënyrë që të përqendrohet në krijimin e mundësive për njerëzit e rajonit dhe të keni përkrahje më të madhe”, tha mes tjerash zoti Escobar.

Kosova e ka refuzuar ftesën për të qenë pjesë e kësaj tryeze rajonale të Ballkanit Perëndimor për shkak të qasjes së Serbisë, e cila nuk e njeh pavarësinë e saj, por edhe që të mos bëhet pjesë e nismave që synojnë zëvendësimin e proceseve integruese evropiane. Kryeministri Albin Kurti i ka kthyer një përgjigje negative ftesës së bërë nga homologu i Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri i Maqedonisë Dimitar Kovaçevski, ftoi Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën që të bëhen pjesë e Ballkanit të Hapur, ndërsa për Kosovën tha se ftesa qëndron e hapur.

Nga ana tjetër Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, por atë që mund të ndryshojmë është e ardhmja.

Duhet ta ribrendojmë Ballkanin. Për ta ribrenduar duhet të vendosim komunikim mes nesh, ta forcojmë besimin dhe t’i japim dorën njëri-tjetrit. Kjo është mënyra e vetme për ta ndryshuar të ardhmen e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”- deklaroi Dritan Abazoviq, kryeministër i Malit të Zi.

Ai mes tjerash theksoi se në rast se Mali i Zi organizon samit, do të sigurohet, gjegjësisht 6 shtete të cilët do të trajtohen njëjtë.

Kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, z.Kurtin, kam biseduar me presidenten, zonjën Vjosa. Tani për tani nuk e shohim njëjtë këtë iniciativë. Ajo që ka qenë…si të them një gjë që më ka ndihmuar mua , ka qenë se ata duan të kenë status të njëjtë si shtete tjera, kjo ka qenë si temë. Mali i Zi është garancion që çdokush në çdo samit ka me qenë i trajtuar në nivel të njëjtë. Në rast se Mali i Zi vjen me emër dhe mbiemër edhe me flamur të vet, ashtu do të vijnë të gjitha shtete. Nëse dikush ka qejf që të ketë ndonjë logjikë tjetër, as ne nuk do të marrim pjesë”, tha mes tjerash Abazoviq.

Ndryshe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në nisjen e samitit ka falënderuar SHBA-të për mbështetjen e iniciativës “Ballkani Hapur”

Vuçiq duke iu drejtuar përfaqësuesve të Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës, tha se nuk e ka ndërmend që të lusë çdo ditë që shtete të bëhen pjesë e kësaj nisme.

Falënderojmë z. Escobarin dhe amerikanët që e mbështesin këtë iniciativë. Dritan, Zoran, jeni gjithmonë të mirëseardhur. Mos u hidhëroni, nuk kam ashtu nevojë, ose sindormë apolgative që çdo ditë të flas për atë ju lutem ejani, ju lutem ejani. Nëse doni të vini, ejani, nëse jo, dëshira juaj. Askush nuk do të iu detyrojë”, tha Vuçiq

Ndërsa në konferencën përmbyllëse për shtyp në Ohër Edi Rama ka falënderuar kreun e BDI-së Ali Ahmeti për prezencën në samitin e Ballkanit të Hapur, duke shtuar se nëse dikush do të dijë se çfarë është Ballkani i Hapur, duhet të sheh rrugëtimin e politikës së Ali Ahmetit në Maqedoninë e Veriut.

Dua të falënderoje Ali Ahmetin për praninë e tij këtu dhe dua të them se Ali Ahmeti është një nga pionierët e Ballkanit të Hapur, edhe kur ne nuk ishim akoma këtu ku jemi, jo më të ishim në Ballkanin e Hapur, për këtë mjafton të shikohet çfarë është sot gjithë sistemi institucional i Maqedonisë së Veriut dhe çfarë ishte në kohën kur Ali Ahmetit i thoshin po ulesh me armiqtë. Në kohën kur as nuk mund të imagjinohej që gjuha shqipe do të ishte zyrtare, lëre pastaj që të imagjinohej kryetari i Parlamentit do të jetë shqiptar, që dy zëvendëskryeministra do të jenë shqiptarë”, tha Rama.

Analistët në Maqedoninë e Veriut, nismën e “Open Balkan” e cilësojnë si “Evropa e dytë”

Nikola Serbov, mbrëmë gjatë debatit në studion e TV21, ku po debatonin për temën aktuale “Ballkani i Hapur” tha se askush nuk do ta kundërshtonte një ide të tillë, por se ky është një lloj shpërblimi ngushëllues për pamundësinë e vendeve për t’u anëtarësuar në BE.

Një Ballkan i hapur quhet ‘Evropa e dytë’ ose mini Shengen. Fatkeqësisht, ne kemi luftuar prej kohësh, prej 10 vitesh, për të hyrë në “Evropën e parë” atë të vërtetën. Nuk mendoj se dikush do të kundërshtonte një ide si kjo, në mënyrë që vendet të mund të bashkëpunojnë më lehtë në çfarëdo mënyre,” tha Serbov.

Të fundit