E premte, 26 Korrik, 2024

FOTO / ARRIJNË NË OHËR LIDERËT E “OPEN BALLKAN”, MUNGON VETËM FLAMURI I KOSOVËS

Vetëm flamuri i Kosovës nuk është parë sot të valëvitet në rrugët e Ohrit, qytetit jugperëndimor të Maqedonisë së Veriut, ku më 8 qershor do të mbahet Samiti i “Open Balkan”, raporton KDP.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar ftesën e homologut të tij nga Maqedonia e Veriut, Dimitar Kovaçevski, për shkak se nuk ka pranuar të jetë pjesë e kësaj iniciative që nga 2019, kur Kryeministri shqiptar Edi Rama, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe ish-kryeministri maqedonas Zoran Zaev në Novi Sad vendosën të nisin këtë projekt.

Arsyeja pse Prishtina zyrtare nuk është pjesë e kësaj nisme është mungesa e pranimit të shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Madje, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë troç se kjo nismë i ndihmon përhapjes së hegjemonisë serbe në rajon.

Sidoqoftë, kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq, ai i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe i Bosnje dhe Hercegovinës Zoran Tageltija kanë arritur në Ohër. Nesër në orët e mëngjesit do të arrijë edhe komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelji, kurse nëpërmjet vido-mesazhit i pranishëm do të jetë edhe diplomati i lartë amerikan, Gabriel Escobar.

Në kuadër të Samitit pritet të nënshkruhet marrëveshja për njohjen e diplomave, Memorandumi për mirëkuptim dhe bashkëpunim në fushën e turizmit, Memorandum për bashkëpunim në fushën e kulturës dhe Memorandum për bashkëpunim në sferën e taksimit.

Të fundit