E premte, 26 Korrik, 2024

DRITËHIJET E NISMËS “BALLKANI I HAPUR”, A PO E RRËNON KJO NISMË PROCESIN E BERLINIT?

Ideja e Ballkanit të Hapur ka ngjallur debate të shumta në opinion. Kjo nismë rajonale gjithnjë e më tepër po vendoset në raport krahasimtar më atë çfarë nënkupton Procesi i Berlinit. Analisti Lutfi Dervishi thekson dallimet mes Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Ballkanit të Hapur. Sipas tij, Tregu i Përbashkët Rajonal përkrahet nga Procesi i Berlinit dhe Brukseli, ndërkohë që për Ballkanin e Hapur thotë se “ përveç egos personale nuk gjen dot ndonjë përgjigje tjetër”. Analisti Arsim Zekolli thotë për KDP se përkrahësit e “Open Balkan” mundohen që të bindin qytetarët se ky grupim nuk është në kundërshtim me Procesin e Berlinit. Sipas tij , e vërteta është se vet ideja e “Open Balkan-it” ka për qëllim ta rrënojë  Procesin e Berlinit, por edhe lidhjet me Bashkimin Evropian dhe mbi të gjitha të ndalojë proceset e reformimit substancial të vendeve në rajon. Gazetari nga Mali i Zi, Kristjan Dukaj thotë se qëndrimet e kundërta për Ballkanin e Hapur mes kryminsitrit Abazoviq dhe presidentit Gjukanoviq mund të krijojnë ngërç politik.

Shkruan: Enis Shaqiri

Edi Ramës, Aleksandër Vuçiqit dhe Dimitar Kovaçevskit, në samitin e radhës që zhvillohet në Ohër më 7 dhe 8 qershor, i nismës “Open Balkan” pritet që t’i bashkohen edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq si dhe Bosnje Hercegovinës, Zoran Tegeltija.
Ndërkohë, Kosova ka refuzuar ftesën për të qenë pjesë e kësaj nisme rajonale të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Albin Kurti i ka kthyer një përgjigje negative ftesës së bërë nga homologu i Maqedonisë së Veriut.

Që nga fillimi kjo nismë është përcjellë me shumë polemika, me kundërshtime dhe me optika të ndryshme interpretimi. Argumentet pro dhe kundër kësaj nisme gjithnjë kanë qenë të pranshme në opinion.

Analisti Lutfi Dervishi thekson për KDP  se sipas një ankete gjashtë nga dhjetë shqiptarë janë dakord për Ballkanin e Hapur. Por, sipas tij, nëse nga të anketuarit do të gjenden vetëm gjashtë persona që do të kuptonin dallimin mes Ballkanit të Hapur dhe Tregut të Përbashkët Rajonal, kjo do të ishte arritje historike për procesin e integrimit të rajonit.

Gjashtë në dhjetë shqiptarë janë dakord për Ballkanin e Hapur, por nëse nga të anketuarit do të gjenden vetëm gjashtë persona që të kuptojnë dallimin mes Ballkanit të Hapur dhe Tregut të Përbashkët Rajonal, kjo do të ishte një arritje historike në procesin e integrimit në rajon dhe në procesin e integrimit të rajonit në BE”, thekson Dervishi.

Dervishi e shtejllon më tej idenë e Tregun të Përbashkët Rajonal në raport me  Ballkanin e Hapur. Ai thekson dallimet, por edhe përfshirjen e shteteve si dhe konceptin e mbështetjes. Sipas tij, Tregu i Përbashkët Rajonal mbështetet nga Procesi i Berlinit dhe nga Brukseli.

“Së pari a ka dallim mes Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Ballkanit të Hapur? Në fakt ka disa dallime, të rëndësishme apo jo këtë ja lemë në dorë lexuesve qoftë edhe atij lexuesi që ka plotësuar pyetësorin. Dallimi i parë është emri: një proces quhet Tregu i Përbashkët Rajonal dhe tjetri quhet Ballkani i Hapur. Dallmi i dytë është mbështetja: Tregu i Përbashkët Rajonal mbështetet nga 6 qeveritë e rajonit (Shqipëria, Bosnja, Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi. Ballkani hapur mbështetet nga gjysma e vendeve të rajonit (Shqipëria, Serbia, Maqedonia)
Tregu i Përbashkët Rajonal (TPR) mbështetet nga Procesi i Berlinit dhe Brukseli.  Jo vetëm me fjalë, por edhe me fonde. 1 Miliard euro mbështetje si donacion dhe 10 miliardë euro kredi e butë.  Tregun e Përbashkët Rajonal (TPR) e mbështet BE, por e mbështet edhe SHBA!Për TPR, jo vetëm që kanë rënë dakord në parim të gjashtë qeveritë e Ballkanit, por edhe kanë miratuar një Plan Veprimi prej 25 pikash. Data? Jo shumë e largët: 10 nëntor 2020 në Takimin e Sofies në kuadër të Procesit të Berlinit”,
thekson Dervishi.

Dervishi shtron dilemat mbi idenë e Ballkanit të Hapur, ndërkohë që thekson se kjo nismë  na ka futur në “sherr” edhe me Kosovën. “ Përveç egos personale nuk gjej dot ndonjë përgjigje tjetër”, thotë Dervishi.

Çfarë është Tregu i Përbashkët Rajonal? Përgjigja me një fjali: një treg që garanton lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve, kapitaleve. Çfarë është “Ballkani Hapur”? Përgjigja me një fjali: një treg që garanton lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve, kapitaleve.  Pyetja është: Kur kemi Tregun e Përbashkët Rajonal, për çfarë na duhet “Ballkan i Hapur” që na ka futur në “sherr” edhe me Kosovën? Përveç egos personale nuk gjej dot një përgjigje tjetër. Dyshoj shumë se të gjithë që kanë plotësuar pyetësorin e Keshillimit Kombëtar  kanë qenë të informuar për Maqedoninë e Veriut, për Ballkanin e Hapur apo për secilën nga çështjet e tjera?! Pyetjet e mbyllura në gazetari janë pyetjet që të çojnë te përgjigjet po ose jo. Por pyetjet duhet të kenë kuptim përndryshe ngatërrojmë luftën ndaj hashashit me luftën për hashashin ose Ballkanin e Hapur me Tregun e Përbashkët Rajonal”, thotë  analisti Dervishi.

Ndërkaq, tre liderët iniciatorë të nismës “Ballkani i Hapur” së fundmi i adresuan një letër të përbashkët qeverisë se re gjermane për t’i mbështetur në Ballkanin e Hapur.

Në ndërkohë, analisti Arsim Zekolli, thekson për KDP se përkrahësit e “Open Balkan” mundohen që të bindin qytetarët se ky grupim nuk është në kundërshtim me Procesin e Berlinit. Sipas tij , e vërteta është se vet ideja e “Open Balkan” ka për qëllim ta rrënojë  Procesin e Berlinit, por edhe lidhjet me Bashkimin Evropian.

Sado që përkrahësit e Open Balkan mundohen të bindin qytetarët se ky grupim nuk është në kundërshtim me Procesin e Berlinit, e vërteta është se vet ideja e Open Balkan ka për qëllim të rënon edhe Procesin e Berlinit edhe lidhjet me BE dhe mbi të gjitha të ndalojë proceset e reformimit substancial të vendeve në rajon”, thekson Zekolli.

Zekolli thotë se për të kuptuar këtë nismë duhen shtjelluar dallimet mes projektit Procesi i Berlinit dhe projektit Open Balkan.

Projekti i Procesit të Berlinit qëndron mbi vendimet e miratuara nga qeveritë dhe nga ligjvënësit në rajon dhe është konform parametrave demokratike dhe institucionale të vendeve anëtare qe aspirojne anëtarësim në BE. Pra, anëtarësimi në BE është dinamika progresive që dikton dhe imponon nevojën e reformave të gjithmbarshme në ekonomi, politik, shoqëri, kultur, arsimim etj. Procesi i Berlinit ka fonde të përcaktuara dhe të destinuara që nënshtrohen nën kontroll të shpenzimit të tyre, të mënyrës së shpenzimit, kohëzgjatjes dhe destinimit.Projekti Open Balkan është iniciativë autokratike e diktuar nga SHBA dhe grupime joformale dhe zbatuar nga liderë rajonal autokratik dhe nën akuza për përfshirje në krim, korrupsion, qeverisje të dobët dhe shtypje të lirive shoqërore”, thekson Zekolli.

Sipas tij, tërë procesi i Open Balkan-it lëngon nga mungesa e transparencës, injorimi i institucioneve shtetërore dhe ligjvënëse, injorimi i debateve shoqërore dhe përgjithësisht nga mungesa e të gjitha institucioneve të kontrollit të balancit të vendimeve të qeverive.  Zekolli  thotë se vokabulari i bazuar mbi të ashtuquajturën “bashkëpunim ekonomik për mirëqenien e qytetarëve” është një gënjeshtër e kulluar dhe një manipulim i hapur.

“Kështu, projekti Open Balkan është vetëm replikë makro-rajonale e mikro-politikave të qeverive autokratike. Në Open Balkan nuk ka fonde të përcaktuara, lëre më mekanizma të kontrollit të shpenzimeve të fondeve qeveritare. Vokabulari i bazuar mbi kinse bashkëpunim ekonomik për mirëqenien e qytetarëve është një gënjeshtër e kulluar dhe një manipulim i hapur me të cilin nga qytetarët kërkohet që të lënë mënjëanë çështjet e demokracisë, lirive, të drejtave në këmbim për “mirëqenie ekonomike”. Por historia na kujton se ata qe nuk respektojne rregullat e demokracisë, respektojnë edhe më pak rregullat e tregut të lirë, të luftës anti-korupsion, luftës anti-krim, anti-nepotizëm”, thekson Zekolli.

Zekolli thotë se mosinteresimi i SHBA-ve ka krijuar rivalitet mes Procesit të Berlinit dhe Open Balkanit, duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bazohen mbi garancat e sigurisë dhe mbrojtjes ushtarako-politike, ndërsa Bashkimi Evropian së bashku me Gjermaninë garantojnë zhvillim ekonomik, përmirësimin e gjendjes sociale, reformimin e institucioneve, administratës, si dhe shoqërive përkatëse.

Paraqitja e rivalitetit mes Procesit të Berlinit dhe Open Balkan diktohet nga mosinteresimi i ShBA për reforma substanciale në rajon dhe vendet e rajonit dhe nevojës për ruajtjen e qarqeve, grupimeve, strukturave klienteliste, kryesisht me lidhje nga shërbimet e vjetra komuniste dhe politikanët e korruptuar. Procesi i Berlinit me pakon e reformave, me kërkesat për hapje të arkivave të shërbimeve sekrete, me refuzimin e padënushmerisë për këto grupime në një mënyrë kërcenon strategjinë e SHBA-ve që kushtezohet mu nga dëgjushmëria e qarqeve të tilla. Ky konflikt rrënjët i mban në qasjet e kundërta mes SHBA dhe BE ndaj Balkanit. Deri sa Amerika bazohet mbi garancat e sigurisë dhe mbrojtjes ushtarako-politike, BE dhe Gjermania garantojnë zhvillim ekonomik, përmirësimin e gjendjes sociale dhe reformimin e institucioneve, administratës, shoqërive përkatëse. Kjo pra është esenca e kundërshtimeve mes dy proceseve” thotë  për KDP, analisti Arsim Zekolli.

Nga ana tjetër, gazetari Kristjan Dukaj nga Mali i Zi, për KDP thotë se integrimi në BE është qëllimi parësor i Malit të Zi, ndërsa çështja e Ballkanit të Hapur ditëve të fundit është aktualizuar dukshëm në skenën politike në Mal të Zi. Sipas tij, kreu i qeverisë, Dritan Abazoviq ka shprehur interes për nismën e Ballkanit të Hapur, ndërsa kjo iniciativë kundërshtohet nga presidenti i shtetit, Millo Gjukanoviq. Duka thotë se qëndrimet e tilla me shumë gjasë mund të rezultojnë me ngërçe politike, pasiqë qeveria e Abazoviqit është formuar me mbështetje të presidentit Gjukanoviq.

Ideja Ballkani i hapur ditëve të fundit është aktualizuar dukshëm në skenën politike në Mal të Zi pasi tashmë janë paraqitur opsioni pro dhe kundër kësaj ideje, madje brenda koalicionit qeveritar në vend. Kjo çështje është aktualizuar më shumë pasi kreu i qeverisë Dritan Abazoviq, ka shprehur gatishmerine që të shqyrtohet seriozisht ky projekt. Kurse, në anën tjetër, presidenti i shtetit z.Gjukanoviq, në vazhdimësi është deklaruar kundër kësaj ide. Pra deklarimet e këtilla mund të pasojnë me njëfarë ngërrçi politik pasi Qeveria e Abazoviq është themeluar me mbështetje të presidentit Gjukanoviq. Mund të pritet se ideja Ballkani i hapur do të vazhdojë me aktualitetin e vetë në Mal të Zi, dhe nuk mendoj se në një perspektivë të afërt do te kemi qëndrim të qartë lidhur me këtë çeshtje. Fokusi i politikes zyrtare në Mal të Zi është në përshpejtimin e rrugës së intergimeve në BE dhe ky besoj që është qëllimi parësor”, thekson Kristjan Dukaj.
Ndryshe, Abazoviq ka konfirmuar pjesëmarrjen, por ai do të jetë ashtu si dhe presidenti Gjykanoviq në samitin e Tiranës në 2019 , thjesht në rolin e vëzhguesit, pasi Mali i Zi ende nuk e ka marrë zyrtarisht vendimin për t’iu bashkuar “Ballkanit të Hapur”.

 

Të fundit