E shtunë, 27 Korrik, 2024

“Ballkani i Hapur” mblidhet në Ohër, priten marrëveshje të reja

Pjesëmarrës të nismës “Ballkani i Hapur” mblidhen sot dhe nesër në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për takimin e radhës.

Të mërkurën, ata pritet të nënshkruajnë katër marrëveshje bashkëpunimi – për luftën kundër evazionit fiskal, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, për bashkëpunim kulturor dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit – në të cilat Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje.

Në nismën “Ballkani i Hapur” marrin pjesë tri vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut – jashtë saj janë ende: Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.

Mali i Zi dhe Bosnja marrin pjesë në cilësinë e vëzhguesve

Përveç presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe atij shqiptar, Edi Rama, që janë iniciues të “Ballkanit të Hapur”, në takimet e nismës në Ohër, për herë të parë, do të marrë pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në cilësinë e vëzhguesit.

Çfarë pritet të ndodhë në Ohër?

Pjesëmarrësve, përmes video-lidhjes, do t’u drejtohet edhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija.

Abazoviq ka dhënë sinjale se vendi i tij mund të përfshihet në “Ballkanin e Hapur”, ndërsa Bosnje e Hercegovina mbetet në qëndrimin për të mos qenë pjesë e kësaj nisme, ngjashëm si Kosova.

Kosova nuk do të marrë pjesë në takimin e Ohrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka njoftuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, se refuzon pjesëmarrjen në këtë takim, pasi, siç ka thënë, Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.

Ky proces është një iniciativë e nisur në vitin 2014, nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, me qëllim promovimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe integrimin evropian.

Të fundit