E shtunë, 27 Korrik, 2024

INTERVISTË, XHELAL NEZIRI: MAQEDONIA E VERIUT VAZHDON TË JETË TARGET I PROPAGANDËS DHE NDIKIMIT KEQDASHËS

“Sigurisht që me fillimin e aktiviteteve ushtarake në Ukrainë janë intensifikuar edhe aktivitetet lidhur me formimin e opinionit publik, jo vetëm në Rusi dhe Ukrainë, por edhe jashtë këtyre vendeve. Duke pasur parasysh faktin se Rusia përdor propagandën dhe dezinformimin si mjet të veçantë në luftën e saj me Perëndimin, në betejën e saj me vende që nuk janë pro-ruse, në një farë mënyre, një rezultat i tillë pritej, kur flasim për praninë e lajmeve të rreme, propagandës dhe ndikimit të dëmshëm në vendin tonë”, thotë analisti Xhelal Neziri në një intervistë për CIVIL Media, përcjell KDP.

“Kjo është bërë veçanërisht e rëndësishme dhe veçanërisht një problem për vendet që janë pjesë e asaj strukture euroatlantike, vendet që janë pjesë e NATO-s, por edhe e Bashkimit Evropian, pushtimi proxy i Rusisë në Ukrainën lindore. Në vitin 2014, pati tendenca dhe lëvizje separatiste në Ukrainën lindore, me shpalljen e territoreve autonome dhe shteteve të pavarura në rajonet Luhansk dhe Donetsk, dy rajonet me shumicë ruse nën ndikimin rus. Në vitin 2014 aty kishte ushtarë pa emblema. Por të gjithë e dinin se ata ishin, në fakt, ushtarë rusë të dërguar atje për të mbrojtur gjoja rusët etnikë. E njëjta gjë ndodhi edhe me Krimenë, dhe i gjithë ky operacion ushtarak, pritej që dezinformimi, propaganda si mjete, të përdoreshin si strategji që Rusia ta fitonte atë luftë. Por ajo që është e rëndësishme për demokracitë është gjetja e mënyrave dhe mekanizmave për të mbrojtur veten kundër këtyre sulmeve ndaj sistemeve të tyre demokratike. Propaganda dhe dezinformata i bëjnë më shumë dëm demokracisë dhe vendeve që kanë një sistem të tillë politik. Kështu që këto vende duhet të krijojnë shoqëri reziliente që do të jenë imune ndaj dezinformimit dhe propagandës.”

Sa i përket dezinformatave dhe propagandës që prodhohet dhe konsumohet në vend, Neziri thotë se dezinformatat, sipas matjeve të caktuara, arrijnë te lexuesit më shpejt se një informacion i konfirmuar.

“Lajmet e rreme janë më spektakolare dhe më tërheqëse për lexuesit. Lajmet e rreme janë si një film hollivudian, me ide dhe teori konspirative që duken shumë tërheqëse për lexuesin mesatar. Dhe kjo është arsyeja pse informacioni i rremë shpërndahet më lehtë në rrjetet sociale, ose përmes kontakteve të drejtpërdrejta mes njerëzve, sesa një informacion i konfirmuar. Është shumë më e vështirë të pranosh një realitet që bie ndesh me pikëpamjet tua, dhe është shumë më e lehtë të pranosh një iluzion që konfirmon pikëpamjet tua. Makina e lajmeve të rreme punon mbi këtë parim dhe ne e dimë se lajmet e rreme kanë gjithmonë një qëllim. Nëse ndodh që sot të bëjmë një gabim në intervistën tonë, ose të themi pa dashje informacione të pasakta, quhet gabim, por nëse informacioni ynë, i cili nuk është i saktë, është shprehur për një qëllim, atëherë ai është lajm i rremë, i cili është pjesë e një strategjie”.

“Prandaj, lajmet e rreme janë një fenomen i rrezikshëm për vendin tonë, veçanërisht sepse është një demokraci e re dhe e pakonsoliduar, por edhe anëtari më i ri i NATO-s. Dhe më i dobëti, do të thosha. Dhe në këtë betejë mes Perëndimit dhe Rusisë, NATO identifikohet me Perëndimin dhe godet atje ku është më e dobët. Dhe pikërisht këtu duhet të presim që Maqedonia, por edhe Mali i Zi, si anëtarët më të rinj dhe më të dobët të NATO-s, të jenë në shënjestër të këtyre strategjive për ndikim të keq për të krijuar probleme fillimisht në këto vende, e më pas në gjithë Aleancën”, thotë Neziri.

“Lajmet e rreme shpërndahen nga qendra të pushtetit politik, dhe shpesh qendra të pushtetit ekonomik, të cilat për shkak të interesave të tyre janë prodhues të dezinformatave dhe lajmeve të rreme. Kur bëhet fjalë për agresionin rus në Ukrainë, sigurisht që Rusia dëshiron të ruajë opinionin publik, mbështetjen, veçanërisht kur bëhet fjalë për këtë luftë. Sepse Rusia ka dashur gjithmonë të tregohet, të ndërtojë imazhin e një mbrojtësi të Ortodoksisë, një mbrojtëse e të gjithë sllavëve të botës, të cilët gjoja janë në rrezik dhe kërcënohen nga Perëndimi. Por çdo ditë shohim se kishat ortodokse po shemben në Ukrainë”, i tha Neziri.

Sa i përket trajtimit të dezinformatave dhe propagandës nga ana e institucioneve, Neziri thotë se gjithnjë e më shpesh “politika” editoriale në media të caktuara mundëson prodhimin e dezinformatave.

“Nuk ka dyshim se interneti është një gjë e mirë në spektrin mediatik, por ka edhe këto efekte të dëmshme, ku çdokush mund të prodhojë dhe publikojë lajme pa e konfirmuar më parë. Në një mjedis të tillë, shteti, por edhe sektori joqeveritar, duhet të jetë shumë më aktiv në edukimin e publikut, në kuptimin e shkrim-leximit mediatik, por edhe në atë politik të qytetarëve. Mendoj se institucionet duhet t’i qasen këtij drejtimi në mënyrë sistematike, jo me projekte periodike”, tha Neziri.

“Nëse lexuesi dëshiron të jetë i informuar mirë, ai duhet të mësojë se si ta arrijë atë. Ka shumë OJQ që ofrojnë trajnime dhe që kanë video-guida të postuara në internet, të cilat i mësojnë njerëzit, konsumatorët e medias, se si të njohin lajmet e rreme. Për mendimin tim, gjëja më e rëndësishme është të bindësh qytetarin se duhet të konsumojë lajmet e vërteta, pasi është njësoj si të shkosh në një destinacion të largët, dhe dikush të të japë drejtimet e gabuara se ku është ai vend. Me informacionin e rremë ju do të endeni nëpër botë dhe nuk do të arrini kurrë atje ku dëshironi të shkoni. Qëllimi i lajmeve të rreme është t’ju devijojnë drejt qëllimit të tyre, i cili nuk është në përputhje me qëllimin tuaj. Një sistem demokratik nuk mund të funksionojë pa informacion cilësor. Nëse nuk keni informacion se çfarë po bën qeveria, partitë, kryetarët e komunave, nuk mund të krijoni mendim se për kë do të votoni në zgjedhjet e ardhshme. Prandaj, informacioni i saktë dhe i vërtetë është shumë i rëndësishëm”, tha Neziri.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Të fundit