E shtunë, 27 Korrik, 2024

DIALOGU STRATEGJIK NJË KAPITULL I RI BASHKËPUNIMI

Fillimi i dialogut strategjik mes SHBA-ve dhe Maqedonisë së Veriut shihet si një sinjal shprese në rrugën e thellimit të partneritetit dypalësh. Ministri i Punëve të Jashtme i RMV-së, Bujar Osmani ka theksuar se ky momentum do të hapë një kapitull të ri të bashkëpunimit dhe do ta fus në kornizë bashkëpunimin e dy vendeve në përgjithësi. “Ne e vlerësojmë agjendën shumë të rëndësishme reformuese në të cilën është angazhuar Maqedonia e Veriut, për demokracinë, për energjinë, për iniciativat ekonomike rajonale. Të gjitha këto janë të rëndësishme dhe ne i mbështesim fort”, ka theksuar Sekretar i Shtetit të SHBA-së Antony Blinken.

Shkruan: Enis Shaqiri

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonia e Veriut për herë të parë në Uashington mbajtën një Dialog Strategjik. Dialogu u zhvillua ditën e enjte, ndërsa kishte për qëllim thellimin e partneritetit dypalësh RMV-SHBA për sa u takon nismave rajonale, mbrojtjes dhe sigurisë, energjisë dhe mjedisit, shkëmbimeve kulturore, profesionale dhe arsimore, qeverisjes së mirë dhe marrëdhënieve tregtare.

Pikat kryesore të dialogut strategjik u prezantuan në Departamentin e Shtetit, ndërsa takimi  u drejtua nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Dr. Karen Donfried dhe Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Në një njoftim të Departamentit të Shtetit thuhej se ata do të punojnë “për të avancuar së bashku përparësitë e përbashkëta për sigurinë dhe mirëqenien dypalëshe, në kontinentin evropian dhe në mbarë botën.”

Pas hapjes zyrtare, vijoi sesioni kushtuar iniciativave rajonale, që u kryesua nga ana e ministrit Osmani dhe ndihmëssekretarja e shtetit Karen Donfried. Në fokus të diskutimeve ishte rëndësia e iniciativave rajonale për proceset reformuese si veçanërisht të rëndësishme për perspektivat e integrimit evropian, pajtimin dhe stabilitetin e përgjithshëm të Ballkanit Perëndimor.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken vlerësoi reformat që ka ndërmarrë Maqedonia e Veriut në demokraci, duke shtuar se Uashingtoni shpreh mbështetje për anëtarësimin në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë

Ne mbështesim fuqimisht ambiciet e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Ne duam shumë të shohim (që ky proces) të ecë përpara dhe do të vazhdojmë ta mbështesim atë në çdo mënyrë që mundemi”, ka thënë ai.

Ndërkaq Ministri Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Uashingtonit në këtë drejtim,

Për ne është vendimtare që Shtetet e Bashkuara e shohin këtë si një objektiv strategjik, por edhe që kanë mbështetur shoqërinë tonë për të përmbushur kriteret. Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku në tejkalimin e mosmarrëveshjeve (me Bullgarinë) për t’u bërë anëtarë të BE-së dhe për të shtyrë përpara gjithë rajonin drejt perspektivës euroatlantike”, ka thënë Ministri Osmani.

Kujtojmë se analistët politik në RMV, kanë bërë të ditur për KDP se zgjidhja e kontestit me Bullgarinë, mund të zgjidhet vetëm me ndërhyrjen e plotë të Uashingtonit.

Botuesi i të përditshmes “Koha”, Arben Ratkoceri, ka thënë se “Zgjidhja e problemit të kontestit do shumë kohë.” Duke shtuar se “anëtarësimi i plotë i RMV-së mund të bëhet ekskluzivisht vetëm me ndërhyrjen e fort amerikane

Nga ana tjetër analisti politik, Selim Ibraimi thotë se zgjedhja e nyjës në mes dy vendeve kërkon një diplomaci serioze, dhe se problemi duhet me patjetër të këtë zgjidhje apo mbështetje euro-amerikane.

Zgjedhja e nyjës në mes dy vendeve kërkon një diplomaci serioze, e cila nuk do të jetë në funksion të një aleance të re ruso-gjermano-franceze. Problemi duhet të këtë zgjidhje apo mbështetje euro-amerikane. Dhe padyshim në pajtim me Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë të 2017-ës”, thotë analisti Ibraimi.

Në lidhje me procesin e negociatave, diplomati Osmani nënvizoi se Shkupi ende mbetet i angazhuar për të zgjidhur sa më parë mosmarrëveshjet me Bullgarinë për çështjet e historisë.

Për ne është vendimtare që Shtetet e Bashkuara e shohin këtë si një objektiv strategjik, por edhe që kanë mbështetur shoqërinë tonë për të përmbushur kriteret. Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku në tejkalimin e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë  për t’u bërë anëtarë të BE-së dhe për të shtyrë përpara gjithë rajonin drejt perspektivës euroatlantike”, ka theksuar Osmani.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, morën pjesë edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi si dhe ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, e cila tha se “Qeveria dhe ministria e saj mbeten të vendosura në qëndrimin e tyre për rritjen e buxhetit të mbrojtjes prej 1.77%.PBB këtë vit deri në 2 për qind deri në vitin 2024, duke përfshirë parashikimin që 20 për qind e këtij buxheti do të ndahet për pajisje dhe modernizim

Sllavjanka Petrovska falënderoi për pjesëmarrjen financiare nga Shtetet e Bashkuara në blerjen e transportuesve të rinj të blinduar të lehta që do të ndikojnë dukshëm në përmirësimin e kapaciteteve të armatës.

Ndërsa zëvendës ndihmës sekretarja e mbrojtjes e SHBA-së, Laura Cooper, theksoi se Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë investuar afro 45 milionë dollarë në modernizimin e ushtrisë dhe se 40 milionë dollarë shtesë janë planifikuar vetëm për këtë vit përmes programit të financimit ushtarak dhe programit 333.

Të fundit