E shtunë, 27 Korrik, 2024

NGA VONESA E MASAVE PREKEN KOMPANITË DHE QYTETARËT

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka theksuar se qeveria nuk po e trajton siç duhet gjendjen e vështirë ekonomike, duke i shkaktuar vendit imazh të keq për një shtet që është kandidat për anëtarësim në BE. Nga ana tjetër qeveria ka paralajmëruar miratimin e një sërë masash të reja menjëherë sapo të bëhet rebalanci i buxhetit. Eksperti i ekonomisë Arben Halili thekson se janë dy segmente të shoqërisë të cilat preken më shumë nga këto vonesa të masave, kompanitë dhe normalisht qytetarët. Sipas tij, për shkak të vonesës, masat që mund të miratojë momentalisht qeveria nuk do të kenë efekt të menjëhershëm. Halili thotë se tejkalimi i kësaj krize kërkon bashkërendim të forcave politike në mes të pozitës dhe opozitës.

 Shkruan: Puhiza Osmani

Grupi Parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit ka njoftuar se do të dorëzojnë projektligjin me të cilin produktet ushqimore do të lirohen nga TVSH-ja deri në fund të këtij viti, dhe përveç kësaj do të kërkohet edhe TVSH-ja për lëndët djegëse të lëngshme të jenë pesë për qind deri në fund të këtij viti.

Ky propozim i opozitës erdhi në prag të përfundimit të masës për TVSH-në zero për qind për ushqimet bazë, të cilën Qeveria e miratoi në mars dhe ishte e vlefshme deri në fund të muajit maj. Ndërsa që sot produktet bazë në treg si buka, qumështi, vezët, mielli, orizi, vaji dhe sheqeri do të kanë çmime të reja, ku do të  përfshihet pesë për qind taksë.

Kreu i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, u shpreh për gjendjen e keqe ekonomike në vend dhe pamundësisë së qeverisë për ta trajtuar këtë gjendje. Ai tha se qeveria është duke i trajtuar në mënyrë të dhunshme qytetarët dhe po e injoron propozimin e VMRO-DPMNE-së. Sipas tij kjo situatë paraqet një imazh të keq për një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Së pari qe kapitullimi i energjisë, ku kryetari i Komisionit Rregullator të Energjisë doli duke paralajmëruar se të paktën dhjetë për qind e faturave të energjisë elektrike do të jenë më të larta nga një korriku. Shkalla e taksës, për shembull, për disa artikuj që do të zgjerohet, për të mos hequr normën e autorizuar tatimore, siç është tani, vlen edhe për karburantet. Këtë e kemi dëshmuar si në vitet 90, ashtu edhe në kohën e tranzicionit”, tha Mickoski.

Nga ana tjetër Qeveria paralajmëroi për grupin e ri të masave që do të miratohen me buxhetin e ri suplementar, i cili kryesisht do t’u drejtohet kategorive të rrezikuara të qytetarëve dhe ekonomisë.

“Qeveria e RMV-së me masat dhe zgjidhjet e mëhershme që miratoi, siguroi mbrojtjen e qytetarëve nga rritja e çmimeve të shkaktuara nga kriza globale ekonomike dhe energjetike. Në atë frymë dhe mbi atë parim, Qeveria me ribalancin e ri të buxhetit, vazhdon me kujdesin e fortë për qytetarët dhe në kohën më të shkurtër do të dalë me masa kundër krizës që do të jenë më të orientuara, siç janë rekomandimet e institucioneve financiare ndërkombëtare – FMN dhe Banka Botërore, BE dhe publiku ekspert”, njoftuan nga Qeveria.

Nga Qeveria gjithashtu theksojnë se kjo qasje ka pikësynim mbrojtjen e atyre që kanë më shumë nevojë, si dhe do të sigurojë një shpërndarje të drejtë të fondeve. Përveç kësaj, një nga qëllimet, thonë ata, është ruajtja e rrugës së konsolidimit gradual fiskal, që ka rëndësi të madhe për ruajtjen e stabilitetit të borxhit publik dhe stabilitetit të ekonomisë në përgjithësi.

“Të gjitha këto masa që do të pasojnë bazohen në pritshmëritë e institucioneve financiare ndërkombëtare se presionet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit do të zbuten gradualisht, në mënyrë që të stabilizohen për vitin e ardhshëm”, njoftuan nga Qeveria.

Eksperti i ekonomisë, Arben Halili thotë se qeveria duke qenë e vetëdijshme për përfundimin e masava paraprake, është dashur që t’u paraprijë atyre masave me vazhdimin e masave të reja të cilat nuk do të lejonin që çmimet të rriteshin, siç qe rasti i këtyre ditëve.

“Në radhë të parë si qytetarët ashtu edhe Qeveria në veçanti e kanë ditur që kufizimi i rritjes së çmimeve respektivisht i TVSH-së pesë për qind ka qenë i vlefshëm si vendim qeveritar deri në fund të muajit maj. Si rezultat i kësaj domosdoshmërisht duke pasur në konsideratë parashikimet dhe normalisht duke u bazuar në statistikë konkrete, që Qeveria duhej të parashikonte që do të kishte një rritje të çmimeve, normalisht që duhej t’u paraprinte me ndërmarrjen e masave shtesë, respektivisht të vendimit eventual ose të bëhej propozimi i masave të tjera”, thotë Halili.

Ai thekson se masat e reja që do të miratojë Qeveria do të vlejnë për çmimet aktuale që janë rritur pas përfundimit të masave paraprake. Sipas tij, tejkalimi i kësaj krize kërkon bashkërendim të forcave politike në mes të pozitës dhe opozitës.

“Masat e reja që Qeveria kërkon t’i vendosi në zbatim, momentalisht, kur veç më çmimet kanë lëvizur dukshëm, dhe normalisht cilado masë që do të futej në këtë situatë do të vlente për çmimet aktuale dhe jo çmimet të cilat ishin deri në fund të muajit të kaluar. Edhe si e tillë normalisht nuk do të ishte një masë e cila do të kishte efekt të menjëhershëm, siç do të mund të kishte masa e cila do të ndërmerrej para muajit maj. Gjithsesi është e patjetërsueshme që Qeveria të ndërmarrë masa adekuate kundrejt gjendjes aktuale respektivisht të infalcionit të përshpejtuar të çmimeve veçanërisht këto ditët e fundit. Nga ana tjetër është detyrë e opozitës që të kritikojë po normalisht kjo nuk do të thotë që masat e vonuara të qeverisë të pengohen edhe më tej. Në qoftë se diçka është e vonuar si veprim apo si masë kërkon një bashkërendim të forcave politike qoftë pozitë apo opozitë, që këta masa të propozuara sa më shpejtë të sillen dhe të implementime. Sepse në fund të fundit janë dy segmente të shoqërisë të cilat preken nga këto vonesa të masave, janë kompanitë dhe normalisht jemi të gjithë ne qytetarët pa dallim”, thekson Halili.

 

Të fundit