E shtunë, 12 Tetor, 2024

Dështimi i Rusisë – reflektime pozitive ne Ballkan

Tre muaj pas fillimit të ofensivës së Rusisë në Ukrainë disa gjëra tashmë janë të qarta. Dështimi i Vlladimir Putinit që të zbatojë strategjinë “blitzkreig” – sulm me të gjitha mjetet për një fitore të shpejtë – bëri që të heqë dorë nga plani për pushtimin e Kievit. Marrja e kryeqytetit ukrainas do të krijonte kushte për zbatimin e pjesës së dytë të planit, që parashihte instalimin e qeverisë kuislingë.

Shkruan: Xhelal Neziri 

 

Por, mungesa e përkrahjes te shumica e ukrainasve, përfshirë edhe rusët etnikë, ka bërë që Rusia të fokusohet vetëm në rajonet jug-lindore të Ukrainës, të cilat vazhdon t’i mbajë të aneksuara.

Parashikimet e Moskës kanë qenë se ukrainasit nuk kanë ndjenja të fuqishme kombëtare dhe se ushtrinë ruse do ta presin krahëhapur. Putin dhe agjitpropët e tij ka kohë që kanë ndërtuar rrëfimin se ukrainasit janë një komb artificial dhe i paqenë, ndërkohë që qytetarët e Ukrainës i kanë konsideruar si popullatë me gjenezë etnike ruse, njëjtë si ato të Bjellorusisë. Kjo pritshmëri doli si një gabim fatal i vlerësimeve të Moskës, gjë që i kushtoi humbje marramendëse në njerëz dhe teknologji ushtarake për një periudhë prej vetëm tre muajsh.

Kjo disfatë e Rusisë ka qenë një lajm i mirë për liderët Perëndimorë. Deklaratat e fuqishme të tyre se, fitorja e Putinit në Ukrainë do të thoshte fillimi i rrënimit të rendit botëror liberal, kishin për bazë frikën e zbatimit të këtij operacioni nga shtete tjera në botë që kanë konteste asimetrike me fqinjët. Shembull është kontesti i Kinës së fuqishme me Tajvanin, një ishull i vogël i cili nga Lufta e Dytë Botërore po përpiqet për njohje ndërkombëtare të shtetësisë.

Çka do të ndodhte në Ballkan nëse Rusia do të fitonte luftën?

Rusia ka kohë që zbaton doktrinën e “Botës Ruse”, e cila nënkupton se ky shtet duhet të shtrihet kudo ku jetojnë rusët etnikë. Është pikërisht këtu baza e intervenimeve ushtarake dhe aneksimeve të territoreve në vendet fqinje, që më pastaj të njëjtat t’i njohë si shtete të pavarura, e në fund t’i bëjë
pjesë të Federatës Ruse. Në Ballkan ekziston edhe doktrina e “Botës Serbe”, e cila është pothuajse e njëjtë me atë ruse. Serbë etnikë ka në Bosnjë dhe Hercegovinë (Republika Serpska), Mal të Zi dhe Kosovë. Të tre shtetet ballafaqohen me probleme të përhershme, që burojnë pikërisht nga ajo doktrinë.

Rreziku në këtë analogji është një tjetër analogji: superioriteti ushtarak i Serbisë ndaj tre shteteve fqinje, njëjtë si ai i Rusisë. Ngadhënjimi i mundshëm i të “Botës Ruse” edhe në Ukrainë, do të nxiste zbatimin e “Botës Serbe” në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë, ku ka përqindje të konsiderueshme të etnisë serbe që jetojnë në tërësi kompakte gjeografike. Rreziku për këto shtete është edhe më i madh pasi të njëjtat nuk janë anëtarë të NATO-s.

Ngadhënjimi eventual i Rusisë në Ukrainë do të komplikonte edhe më shumë raportet Shkup-Sofje. Narrativi që arsyetonte në një farë forme agresionin ushtarak rus në Ukrainë ishte se “nuk ka as popull e as komb ukrainas”. Me këtë Rusia pretendonte se popullsia që jeton në Ukrainë, në thelb është e matricës etno-kulturore ruse. Të njëjtën qasje e ka Serbia ndaj Malit të Zi, duke refuzuar ekzistimin e popullit malazias, si një etni me veçoritë e saja kulturore dhe historike. Edhe Bullgaria mohon ekzistimin e  popullit maqedonas, për të cilin pretendon se janë bullgarë etnik të asimiluar nga Jugosllavia e Titos.

A mund Bullgaria të ndërhyjë ushtarakisht në Maqedoninë e Veriut nëse kontesti përkeqësohet?

Përderisa rendi aktual botëror është në fuqi – jo. Por, praktikën që po e vendos Rusia – qasjen realiste pa asnjë vlerë apo parim, gjithsesi se mund të sjellë një ndërhyrje të tillë. Sidomos në rast se Serbia do të aneksonte veriun e Kosovës dhe Republika Srpsken.

Përderisa fronti i luftës po zhvendoset në lindje të Ukrainës, Rusia dëshiron të ruajë atë që de facto e kishte nën kontroll që nga viti 2014. Pa marrë parasysh interpretimet e ndryshme, Rusia ka humbur luftën në Ukrainë. Ky epilog do të ketë efekte pozitive për Ballkanin, gjë që nënkupton paqësimin dhe integrimin në BE. Serbia përfundimisht do të duhet të ulet në një karrige, atë të Perëndimit, duke shkëputur kështu lidhjet e ngushta me Moskën. Edhe vendet tjera të rajonit do të nxiten të intensifikojnë bashkëpunimin, si parapërgatitje për zgjidhjen e problemeve komplekse ndërfqinjësore.

Projektet e “botëve etnike”, tash për tash, dështuan në Ukrainë.

 

Teksti fillimisht është publikuar në The Geopost

Të fundit