E enjte, 12 Dhjetor, 2024

Çfarë është lija e majmunit?

Autoritetet e shëndetësisë në Evropë, Amerikën e Veriut, Izrael dhe Australi kanë identifikuar mbi 100 raste personash të infektuar me linë e majmunit gjatë ditëve të fundit. Zyrtarët në mbarë botën po vëzhgojnë me kujdes pasi për herë të parë kjo sëmundje e rrallë duket se po përhapet tek persona që nuk kishin udhëtuar në Afrikë, ku lija e majmunit është endemike. Zyrtarët theksojnë megjithatë se rreziku për popullsinë e përgjithshme është i ulët.

Lija e majmunit është një virus që e ka origjinën tek kafshët e egra, si brejtësit dhe primatët, dhe që ndonjëherë kalon edhe tek njerëzit. I përket të njëjtës familje virusësh të lisë.

Sëmundja u identifikua për herë të parë nga shkencëtarët në vitin 1958 kur pati dy epidemi të një sëmundjeje, që i ngjasonte lisë, në radhët e majmunëve që përdoreshin për studime – kështu mori edhe emrin lija e majmunit.

Megjithatë nuk janë majmunët, që shërbejnë si kontigjenti kryesor për këtë virus, por janë në fakt brejtësit.

“Shumica e kafshëve që preken nga lija e majmunit janë në fakt brejtës. Minjtë gjigandë të Gambias, apo qentë e egër, janë kafshët nga të cilat mund të ndodhë transmetimi tek njerëzit, që mund të kenë shkuar në pyll, ose që mund të vendosen në kontakt me virusin nëpërmjet kafshëve”, thotë Dr. Rosamund Lewis, drejtuese e sekretariatit për linë e majmunit në Programin e Emergjencave të OBSH-së.

Infektimi i parë tek njeriu ndodhi në vitin 1970 tek një djalë në një zonë të largët të Kongos. Në vitin 2003, 47 persona në gjashtë shtete amerikane u infektuan nga qentë e egër që jetonin pranë disa gjitarëve të vegjël të importuar nga Gana. OBSH-ja vlerëson se tashmë ka mijëra raste të tilla në vit kryesisht në vende afrikane dhe se kjo sëmundje mund të rezultojë fatale për 1 në 10 persona.

“Për njerëzit, niveli i vdekshmërisë është në rreth 10-17%. Zakonisht është një sëmundje e butë dhe vetëm individët me mangësi imunitare do të kenë probleme”, thotë Jorge Osorio, drejtori i Institutit të Shëndetit Global në Universitetin Wisconsin-Madison.

Lija e majmunit i përket familjes së virusit të lisë, por ka simptoma më të buta.

“...I ngjason virusit të lisë, i cili ishte një pathogjen vërtet i rrezikshëm për popullsinë në mbarë botën, përpara se të eliminohej nga vaksinimi“, thotë Dr. Ifedayo Adetifa, drejtues i Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve të Nigerisë.

Vaksinat për linë mund të ofrojnë mbrojtje edhe për linë e majmunit, por imunizimi masiv u ndalua dekada më parë.

Shumica e pacientëve të infektuar me linë e majmunit kanë vetëm temperaturë, dhimbje në trup, ethe dhe lodhje.

Njerëzit e sëmurur më rëndë mund të kenë irritim të lëkurës në fytyrë dhe duar që mund të përhapet në pjesë të tjera të trupit.

Në Sacramento të Kalifornisë, zyrtarët thonë se kanë një rast të dyshuar me linë e majmunit. Zyrtarët shpjegojnë se një pacient mund ta përhapë virusin derisa të jenë shëruar plotësisht infektimet në lëkurë.

Një person mund ta përhapë virusin derisa të jenë shëruar plotësisht infektimet në lëkurë, të ketë rënë korja dhe të ketë dalë lëkura e re. Transmetimi ndodh zakonisht nga kontakti i drejtpërdrejtë më lëngje trupore, lëkurën ose veshjet dhe çarçafët“, thotë Dr. Olivia Kasirye, zyrtare e shëndetit publik në bashkinë Sacramento, të Kalifornisë.

Autoritetet shëndetësore nuk kanë qenë në gjendeje të përcaktojnë nëse përhapja aktuale ishte për shkak të transmetimit kryesisht në rrugë seksuale, apo thjesht nga kontakti i afërt. Deri më tani janë regjistruar mbi 100 raste të infektuarish me linë e majmunit në disa vende, përfshirë Kanadanë, Spanjën, Izraelin, Francën, Zvicrën, Shtetet e Bashkuara dhe Australinë.

Vaksina aktuale kundër lisë është efikase edhe ndaj lisë së majmunit, ndërkohë që po prodhohen edhe ilaçe anti-virale. Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve rekomandoi që të gjithë personat e dyshuar se mund të jenë infektuar duhet të izolohen dhe t’u ofrohet vaksina ndaj lisë. Shtetet e Bashkuara disponojnë rreth 1 mijë doza të një vaksine të miratuar kundër lisë së majmunit, si dhe rreth 100 milionë doza më të vjetra të vaksinës kundër lisë në rezervat e qeverisë.

Të fundit